Revolucioni Berisha&Metaj dhe demokrati Ilir Vrenozi!

15 Nëntor 2022, 16:31 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Revolucioni Berisha&Metaj dhe demokrati Ilir Vrenozi!

Këtë të martë media e Nikoll Lesit, “Koha Jonë”, kishte bërë një shkrim redaksional, thelbi i të cilit ishte mënyra e reagimit të Edi Ramës ndaj protestës së 12 nëntorit. Shkruhej që pavarësisht se opozita Berisha- Metaj bërtasin, “Fitore”, në fakt kryeministri ua pshurri triumfin dhe gjithë protestën “madhështore”.

Pra ai tubim jo vetëm që nuk i futi frikën, jo vetëm që nuk e bëri që të reflektonte, por përkundrazi i dha shans  që të tallet dhe ti rikthehet edhe më fuqishëm avazit të “opozitës së nongratës dhe spiunit”.

Konstatimi kryesor i këtij shkrimi është se dyshja Berisha- Metaj nuk kanë fuqi për ti treguar dhëmbët edhe një Edi Rame me qeverisje të korruptuar deri në palcë madje edhe më keq, me shumë gjasa janë bashkë.

Përtej këtij shpërthimi dhe një zhgënjimi të një medie e cila për kohë të gjatë ka qenë e rreshtuar në krah të opozitës dhe veçanërisht Ilir Metajt, duhet parë edhe pak më thellë se cili është problemi bazik i kësaj lloj opozite e cila ka “shumicë”, por njëkohësisht ka mbetur në një ngërç anemik.

Nëse tejkalojmë problemin “non grata” të Berishës “spiunllëkun” e Ilir Metajt dhe proceset që kanë në SPAK vetë, apo familjarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tyre, kemi edhe një situatë tjetër.

Këtë po e ilustrojmë me një moment brenda protestës. Ndërkohë që tubimin po e mbyllte Sali Berisha me fjalën e tij, Ilir Vrenozi, një demokrat “i çmendur” pas Rithemelimit por i pastër, idealist, qendrestarë dhe i varfër ekonomikisht, u fut live në faqen e tij popullore në Facebook.

Fliste Berisha, por fliste edhe Vrenozi. Doktori premtonte vazhdimin e revolucionit, Vrenozi i zverdhur nga zhgënjimi i thoshte se këto fjalime i kishin dëgjuar nga 3- 4 herë në ditë nga televizori. Berisha vazhdonte retorikën e tij të zakonshme, Vrenozi i thoshte se nuk kishin bërë 200 kilometra që të dëgjonin fjalime dhe se nuk ka frikë Edi Rama me këto lloj protestash.

Ilir Vrenozi ose “korçari i famshëm” që për pak bëri hasha edhe djalin e tij kur ju bashkua Lulzim Bashës dhe jo Berishës pas shpalljes “non grata” ishte në fund të turmës, ku zia dhe zhgënjimi dukej te të gjithë në atë video-selfie që shpërndau.

Në rreshtin e parë të “protestës” ishin udhëheqësit dhe organizatorët e saj. Ish-kryeministra e ish-presidentë, ish- ministra e ish Zëvendës ministra, ish- drejtorë të fuqishëm në administratë e polici, ish- doganierë, tatimorë, etj.

Pasi Berisha mbaroi fjalimin, të gjithë këta nxituan që tu hipnin makinave të tyre luksoze, Mercedez, Reinxh Rover e të tjera marka të shtrenja dhe u zhdukën. Kurse Ilir Vrenozi me ca demokratë të tjerë, përfundoj te autobusët e Korçës nga bëri një videon tjetër.

E kishte harruar zhgënjimin nga Berisha dhe Metaj për atë protestë anemike dhe e kishte zënë një hall, edhe më i madh. I kishte ikur autobusi për tu kthyer në shtëpinë e tij modeste 200 km larg, ku shfaqet shpesh në FB duke ngrënë fasule dhe trahana!

Nuk e di se si ka përfunduar aventura e Ilirit demokratit në palcë, por e kam të sigurt se ku përfunduan atë natë Sali Berisha, Ilir Metaj dhe shpura udhëheqëse e revolucionit të tyre. Në shtëpitë luksoze në Tiranë por me shumë gjasa në vilat e Gjirit të Lalzit, pasi e shtuna është e shtunë dhe duhet pak ajër deti.

E gjitha kjo nuk është metaforë, por një e vërtetë e hidhur dhe tragjike. Ata mijëra që i janë bashkuar Foltores, Rithemelimit, protestës dhe revolucionit Berisha- Metaj ndoshta ua kanë pranuar dhe falur “nongratat” dhe procedimet penale në SPAK, nga halli që kanë për të rrëzuar qeverinë e Ramës që i ka zhytur në varfëri.

Ndoshta edhe kanë nostalgji për kohët e hershme kur ata që ishin sëbashku në rreshtin e parë, Flamur Noka me shokë, shtyheshin fortë me policët.

Mund të jetë se vuajnë nga ky besim i verbër, por çështja është se sot Berisha- Metaj dhe lidershipi i kësaj lloj opozite nuk janë më ata që kanë qenë. Kurse fatkeqësisht Vrenozi me shumicën absolute të demokratëve dhe shqiptarëve, kanë mbetur po njësoj. Të njëjtët mos edhe më keq nga ana ekonomike, të njëjtët si militantë dhe idealistë të partisë që themeloi demokracinë.

Nëse Ilir Vrenozin, “demokratin e famshëm” që bëri 400 kilometra rrugë për “të rrëzuar Ramën” por në fakt pa milionerë të politikës duke gogësitur nga mbingopja nuk e pret 5 minuta as shoferi i autobusit, idhulli i tij Berisha dhe ortaku Metaj, kanë halle të tjera. Perëndimi kërkon ti nxjerr në pension, kurse SPAK tu numërojë pasuritë!

Ky është mashtrimi i madh i mbuluar me “Rrëzimin e Ramës”. Për Ilirin dhe mijëra demokratë e shqiptarë që përpëliten në varfëri dhe dëshpërim, mes kënetës së Tranzicionit Rama- Berisha- Metaj!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide