Salianji, kurban i gjoja opozitës

28 Shtator 2024, 22:12 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Salianji, kurban i gjoja opozitës

Fatkeqësia e vërtetë e Ervin Salianjit është se burgosja e tij i leverdis Sali Berishës më shumë se Edi Ramës. Përveç hakmarrjes së vëllezërve Xhafa, për socialistët burgosja e Salianjit nuk ka ndonjë vlerë të madhe, sepse as nuk ndryshon gjë në raportin a forcave, e as nuk e balancon dot bilancin e tyre katastrofik me drejtësinë. Ama për opozitën formale të Sali Berishës, burgosja e diskutueshme e një deputeti të PD është shumë e çmuar.

Edhe pse laboratorët e huaj thanë se audio përgjimi nuk ishte autentik, fajësia e deputetit Salianji nuk duket të jetë e provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Një proces ku përfshihet SHIK-u dhe drejtorë të rëndësishëm policie, nuk mund të të bindë plotësisht për fajësinë e të akuzuarit. Për Salianjin as nuk mund të thuash me siguri se është i pafajshëm, por as nuk mund të kesh bindje të plotë për fajësinë. Edhe dënimi është i çuditshëm. Ai që ka premtuar para për të futur në kurth vëllain e ministrit, i bie të jetë koka e grupit dhe si rrjedhojë të marrë dënimin më të rëndë. Po çuditërisht porositësi merr dënim më të ulët se zbatuesit.

Duke qenë se pjesë e trupës gjykuese të apelit ishte dhe e afërmja e Ballukut, kamikazja e gjyqit të 11 qershorit që i dha non gratta-s vulën e PD, logjika të thotë se edhe Salianji mund të ishte shpëtuar. Po nëse do të shfajësohej Salianji, ku do të gjente Sali Berisha një casus belli më të mirë se burgosja e diskutueshme e një deputeti të opozitës?

Pasi shiti interesin opozitar duke votuar amnistinë penale që lironte të korruptuarit e Ramës dhe pasi paturpësisht votoi mbylljen e listave, Sali Berisha, do të radikalizojë aksionin opozitar, si një përpjekje e dëshpëruar për t’u shitur në opinionin publik si një armik i egër i Ramës.

Thirrjet qesharake për ngujim të grupit parlamentar në mbrojtje të deputetit Salianji, apo për bllokim rrugësh, portesh e aeroportesh, do të katndisen në një spektakël bajat në Kuvendin e Shqipërisë, sepse në popullin opozitar nuk ka më budallenj. Sikur t’i kishte ndjekur populli në protesta, nuk do të kishin nevojë të ndiznin flakadanë e të digjnin karrige në parlament. Si mund të besosh një parti opozitare kur bën thirrje radikale për burgosjen e një deputeti prej dhjetra të tillëve, por nuk del të bllokojë rrugë e aeroporte për liderin që jeton prej një viti mes livingut dhe tualetit.

E sado i pagjasë të jetë suksesi i akrobacive të tilla, gjoja opozita do ta luajë pjesën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamntare, ku ajo luan për vendin e dytë. Lideri do të sakrifikojë sado salianjë që të duhet në përpjekje për të shpëtuar prapanicën e tij.

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128