Spiunazhi armik mes nesh, çfarë fshihet pas alarmit të shefit të SHISH?

20 Prill 2022, 15:11 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Spiunazhi armik mes nesh, çfarë fshihet pas alarmit të shefit

Në çdo vend raportimi i shefit të shërbimit sekret do të përbënte lajm, por jemi në Shqipëri dhe SHISH më shumë ngjason me një fantazmë nga e shkuara, se sa me një institucion të rëndësisë së veçantë. Aq më tepër në këto kohë të trazuara gjeopolitike dhe të mbretërimit të krimit të organizuar.

Ditën e djeshme kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, bëri deklarata të forta dhe alarmuese në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, por në medie ato u kaluan me raportime rutinë dhe “shkurt”.

Por çfarë deklaroi përpara deputetëve Bendo?
“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, tha me një qetësi `të çuditshme` ai.
Pra me pak fjalë shërbimet sekrete armiqësore me vendin tonë dhe normalisht edhe me Perëndimin, qenkan “ulur këmbëkryq” në Shqipëri.
“Armiqtë, bëjnë propagandë dhe dizinformojnë”- deklaron njeriu që supozohet se disponon informacion sekret të dorës së parë, edhe nga shërbimet aleate.
Po ku i bëjnë të gjithë këto?
Natyrisht në medie dhe në rrjetet sociale, se nuk kemi parë ndonjë individ të dalë me megafon në mes të Tiranës dhe të thërrasë: Rroftë Rusia, poshtë Perëndimi “nazist”!
Gjithsesi nuk është se na duhet që të shohim dosjet sekrete të SHISH, për këtë “luftë hibride” që “Armiqtë dhe vendet e treta” po bëjnë në Shqipëri, sepse tashmë të gjithë e dimë se një valë anti-amerikane dhe anti-perëndimore ka shpërthyer në vend.
Mjafton të futesh në faqen e ambasadës amerikane dhe të lexosh lumenjtë e komenteve (shpesh me të njëjtin stil, si të dala nga e njëjta dorë) dhe sekretarët e partisë e komisarët e Enver Hoxhës, të ngjasojnë sot si “aleatë” me imperializmin amerikan.
Por nëse rrjetin është e vështirë ta investigosh për të mbërritur te burimi i kësaj fushate anti-perëndimore, çfarë e pengon SHISH që të hetojë dhe të kuptojë arsyen se pse shumë media online apo TV, bombardojnë opinionin me lajme që duken si të prodhuara në zyrat e Kremlinit?
Për hir të së vërtetës kjo vlagë anti-perëndimore dhe veçanërisht anti-amerikane është ushqyer më së shumti, edhe nga zhvillimet politike në vend.
Në raportin e fundit të “Freedom House” për Shqipërinë, konstatohet qartë:
“Vitet e fundit dhe veçanërisht gjatë vitit 2021, fraksione brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, e kanë shtuar retorikën e tyre të ashpër kundër SHBA-së dhe BE-së, duke pretenduar se ato po ndërhyjnë në sovranitetin dhe punët e brendshme të vendit”.

Nuk ka njeri (përveçse disa autopolantëve mediatik të Edi Ramës) që të besojë se brenda grupimit të Berishës dhe LSI, ka njerëz që punojnë për “të tretët” kundër Perëndimit në Shqipëri. Por përzierja e luftës politike ndaj Edi Ramën me qëndrimet heshtëse të ambasadorëve, pasojat e “non grata” për Berishën apo izolimi ndërkombëtar për Ilir Metën, kanë krijuar pa dashje ose jo, një retorikë të ashpër “sovraniste” të këtyre eksponentëve. Kjo pastaj merret nga militantët dhe tifozët e tyre pa kushte dhe përcillet në rrjet, si një “zhgënjim dhe neveri” kundër SHBA dhe BE.
Sido që të jetë; veprimtaria e shërbimeve sekrete armike në Shqipëri (siç thotë kreu i SHISH) bashkë me inatin që ka një pjesë e klasës politike shqiptare me ambasadorët në Tiranë, po krijojnë një klimë të rrezikshme në një vend që pa Perëndimin do ishte hiç në çdo pikëpamje.
Kjo lojë e rrezikshme duhet të marrë fund, sa nuk është vonë. Por ndërhyrja emergjente nuk varet nga askush, përveçse institucioneve përgjegjëse (SHISH në radhë të parë), të cilat duhet të gjejnë urgjent burimin që ushqen këta lumenj anti-perëndimorë në Shqipëri./Alfapress.al

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128