
Dëmi mesatar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve ra për të dytin vit radhazi në 2024

Dëmi mesatar i paguar nga kompanitë e sigurimit për sigurimin e detyrueshëm motorik TPL pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2024.
Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për vitin e kaluar dëmi mesatar i paguar nga sigurimi i brendshëm për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta zbriti në 156 mijë lekë, 7.1% më pak krahasuar me një vit më parë.
Në total, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për këtë produkt vitin e kaluar arritën në 4.27 miliardë lekë, në rritje me 26.2% krahasuar me një vit më parë.
Gjithashtu, raporti i thjeshtë mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto u rrit në 33.6%, nga 29.1%
Sigurimi i brendshëm TPL mbulon përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve për dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta.
Ky sigurim i detyrueshëm me ligj përbën edhe shtyllën kryesore të tregut të sigurimeve në Shqipëri, me pothuajse 57% të primeve të shkruara bruto dhe 54% të dëmeve të paguara bruto në sigurimet e Jo-Jetës.
Statistikat e detajuara të llogarive teknike nga AMF tregojnë se produkti i sigurimit të detyrueshëm motorik TPL në vazhdimësi në vitet e fundit ka qenë fitimprurës për kompanitë e sigurimit.
Që nga fillimi i vitit 2025, kompanitë e sigurimit në vend kanë nisur aplikimin e primeve të diferencuara për sigurimin TPL, mbështetur mbi disa faktorë rreziku.
Për shumicën e drejtuesve të mjeteve, sistemi i ri ka sjellë rritje të primit vjetor të sigurimit të detyrueshëm të mjetit.
Në terma mesatarë, për të gjitha produktet e tregut të Jo-Jetës, vitin e kaluar një dëm i ndodhur u kushtoi siguruesve shqiptarë mesatarisht 112 mijë lekë ose rreth 1140 euro.
Të dhënat nga AMF treguan se për vitin 2024 dëmi mesatar në sigurime u rrit me 4.7% krahasuar me një vit më parë.
Dëmet më të kushtueshëm në terma mesatarë janë ato në pronë. Vitin e kaluar, një dëm në pronë u kushtoi mesatarisht kompanive të sigurimit më shumë se 3.3 milionë lekë, me një rritje të fortë prej 44.6% krahasuar me një vit më parë.
Për sigurimet motorike, duke përfshirë të gjitha produktet, dëmi mesatar ishte 170 mijë lekë, në rënie të lehtë me 1.3% krahasuar me një vit më parë.
Dëmet që mbulohen nga kartoni jeshil janë shumë më të shtrenjta në raport me dëmet brenda vendit. Për vitin 2024, dëmi mesatar në produktin e kartonit jeshil ishte 892 mijë lekë, në rritje me 68.4% krahasuar me një vit më parë.
Në total, për vitin 2024, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 8.66 miliardë lekë dëme, në rritje me 24.4% krahasuar me një vit më parë. Raporti mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto u rrit gjithashtu në 35.3%, nga 30.4% që kishte qenë një vit më parë./Monitor

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128