Luhatet tregu i gurëve të çmuar në Shqipëri/ Në qershor, 45% më pak blerje se një muaj më parë

22 Korrik 2024, 22:13 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Luhatet tregu i gurëve të çmuar në Shqipëri/ Në

Ndërsa vitet e fundit kanë filluar të shiten gurë të çmuar dhe diamante edhe në Shqipëri, tregu është ende i vogël. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to është më e lartë në rastet e festave ose gjatë verës. Konkretisht, nëse analizojmë historikun e blerjes së “Perlave natyrale, gurëve të çmuar, bizhuterive dhe monedhave”, vërejmë se në muajt mars dhe qershor të këtij viti  kërkesa për blerje ishte relativisht më e ulët krahasuar me muajt e tjerë.

Përkatësisht në muajin qershor të vitit aktual vlera e importit arriti në 374 milionë lekë ose rreth 45% më pak se një muaj më parë. Në të kundërt, në muajin shkurt, muaj ky  që përkon edhe  me festën e Shën Valentinit, por edhe në muajin maj, importi për këtë kategori arriti nivele rekord. Vlera e importit  në muajt respektivë arriti në 597 milionë lekë dhe 679 milionë lekë.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat edhe për periudhën janar-qershor 2023 për të kuptuar ndryshimet në trendin e kërkesës dhe blerjeve për kapitullin “Perla natyrale, gurë të çmuar, bizhuteri, monedha”. Shifrat tregojnë se vlera e importit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 për kategorinë “Perla natyrale, gurë të çmuar, bizhuteri, monedha” arriti në 2 miliardë lekë ndërkohë që këtë vit importi për këtë kapitull në  gjashtëmujorin e parë ka arritur në 2.7 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2023, konsumatorët shfaqën më shumë interes për blerjen e gurëve të çmuar gjatë muajve shkurt, maj dhe qershor. Ky i fundit ishte edhe muaji me vlerën më të lartë të importit për këtë kategori.

Por, rritja e kërkesës në muaj të caktuar të vitit mund të jetë edhe  pasojë e frikës për një zhvlerësim të mundshëm të mjeteve monetare,e cila zhvendos interesin e konsumatorëve për të investuar kursimet në sende me vlerë, si bizhuteri të shtrenjta, të cilat u rezistojnë krizave ekonomike dhe nuk e humbasin vlerën me kalimin e kohës.