Ngadalësimi i blerjeve të banesave/ Ekspertët: Një ndër arsyet edhe operacionet e SPAK

3 Dhjetor 2023, 23:35 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Ngadalësimi i blerjeve të banesave/ Ekspertët: Një ndër

Banka e Shqipërisë sinjalizoi se në tremujorin e dytë të këtij viti çmimet e pasurive të paluajtshme patën një ngadalësim, ndërsa rritja e tyre i është rikthyer mesatares normale prej 11.6% nga 30% në 2022-in.

Gjithashtu në tetor ndërtuesit mbi treguesin e ndjesisë ekonomike u shprehën se presin ulje për shitjet dhe çmimet që do të kenë. Agjentët e tregut shprehen se për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh

“Këto kriza kanë qenë në dy lloje, kanë qenë në ulje çmimi si në 2008-ën dhe ka qenë edhe kriza e vitit 2022 me rritje të çmimit. Duke qenë se historikisht ka edhe luhatje të tregut të pasurive të paluajtshme pikërisht për shkak të efektit të krizave mendoj edhe unë se së shpejti do të ketë një flluskë. Në vitin 2024 nisem nga fakti që ka shumë leje ndërtimi, shumë pallate të reja po fillojnë, mungesa e specialistëve vihet re në mënyrë të ndjeshme, të ardhurat e shqiptarëve nuk është se po rriten dhe mendoj se çmimet nuk do të rriten më në 2024, por do të ketë edhe një frenim të transaksioneve”, tha agjenti imobiliar, Lefter Sila.

Në vrojtimin e saj, BSH tha se gjashtë muajt e parë të këtij viti 60% e transaksioneve për blerje pasurie u bënë me para fizike, ndërsa 40% me kredi. Ngadalësimi i blerjeve po vjen pikërisht nga tregu informal sipas ekspertëve ndikuar edhe nga operacionet e SPAK për sekuestrot e pasurive të paligjshme

 “Mbingopja është arsyeja e parë sepse sado qoftë ofrohet një sasi apartamentesh më e lartë se sa ka kërkesë. Gjithashtu pastrimi i parave në vetvete mund të ketë një moment stepje, sepse po bëhet presion shumë dhe gjithë procesi që po ndodh me pastërtinë fiskale me shumicën e bizneseve po qoftë dhe individëve I stopon në njëfarë mënyrë ato nisma që tentojnë dhe mund të ketë edhe një devijim sa I përket për pastrimit të parave jo më në Shqipëri, por edhe në vendet përreth”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.

Në vrojtimin e bërë me agjentët imobiliarë BSH shprehet se çmimet u rritën në zonat qendrore të kryeqytetit, ndërsa në zonat e tjera të Tiranës pësuan rënie të lehtë. Në bregdet ndërkohë u shfaqën të pandryshuara. Gjatë këtij viti qeveria rriti edhe çmimet e referencës për zonën e kryeqytetit gjë që ndikoi direkt në çmim.

Po ndodh...