Raporti: Shtohen pikat e këmbimit valutor, pakësohen degët bankare

28 Qershor 2024, 23:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Raporti: Shtohen pikat e këmbimit valutor, pakësohen degët
Deri në fund të vitit 2023, në Shqipëri numëroheshin gjithsej 11 banka, 39 subjekte financiare jobanka, 621 zyra të këmbimit valutor, 16 shoqëri të kursim-kreditit dhe 1 union i shoqërive të kursim-kreditit.

Sipas të dhënave nga Raporti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka e Shqipërisë ka licencuar një numër të konsiderueshëm zyrash të këmbimit valutor gjatë vitit 2023. Konkretisht, u licencuan 52 zyra të reja të këmbimit valutor, ndërsa janë revokuar licencat e 14 pikave të këmbimit, si masë mbikëqyrëse dhe për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë.

Dy zyrave të këmbimit valutor u është hequr licenca si pasojë e mungesës së rregulloreve për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërkohë që në 17 prej tyre janë ndërmarrë masa administrative lidhur me këtë çështje.

Sa i takon bankave të nivelit të dytë, Banka Qendrore ka miratuar zgjerimin e rrjetit të bankave me 1 degë të re brenda Shqipërisë dhe 1 degë të re jashtë territorit të vendit tonë, si dhe ka autorizuar 1 bankë për ushtrimin e veprimtarisë financiare shtesë si ndërmjetës ose agjent në sigurime.

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet 390 degëve, shpërndarja gjeografike e të cilave përfshin pothuajse të gjithë territorin e vendit. Kjo shpërndarje e degëve dhe agjencive bankare është në përpjesëtim me numrin e popullsisë. Kështu, rreth 44.10% e degëve dhe agjencive bankare janë të përqendruara në Tiranë, ku edhe përqendrimi i popullsisë është më i madh. Direkt pas Tiranës me 172 degë të bankave, vjen Durrësi me 38 gjithsej dhe Fieri me 30. Ndërkohë që qarqet me numrin më të vogël të degëve janë Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra.

Por si ka qenë ecuria e numrit të degëve të bankave dhe zyrave të këmbimit valutor në vite?

Në një hark kohor prei 10 vitesh, numri i degëve të bankave nëpër qarqe ka pësuar një ulje drastike nga viti në vit, por numri i zyrave të këmbimit valutor është shoqëruar me rritje.  Në vitin 2013 rezultonin gjithsej 529 degë, ndërsa sot rezultojnë 139 më pak. Për sa i përket zyrave të këmbimit valutor, nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezultojnë 299 pika më shumë që prej vitit 2013./SCAN

 

Po ndodh...