Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit turistik

26 Korrik 2025, 15:50 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po përjeton një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve gjatë sezonit veror 2025.

Vetëm gjatë muajit qershor, autoritetet në vend informuan se janë regjistruar mbi 1,14 milionë pasagjerë, që përfaqëson një rritje prej 8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fluksit lidhet jo vetëm me sezonin turistik, por dhe me zgjerimin e lidhjeve ajrore.

Në këtë situatë, administrata doganore në Aeroportin e Rinasit thotë se ka marrë masa shtesë për menaxhimin e fluksit, përmes ristrukturimit të orareve të punës, shtimit të personelit në pikat kyçe dhe optimizimit të proceseve të kontrollit.

“Objektivi kryesor është garantimi i një procesi efikas dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pa krijuar vonesa të panevojshme”, bën të ditur Dogana.

Për muajin korrik, i cili tradicionalisht shënon pikun e lëvizjes, autoritetet doganore theksojnë se do të vijojnë me të njëjtin nivel gatishmërie dhe monitorimi të vazhdueshëm, për të përballuar flukset në rritje dhe për të siguruar respektimin e procedurave ligjore në kufi.

 

Po ndodh...