Si holluesi i Bankers Petroleum e ktheu ligjin në tallje!

Në vitin 2013, qeveria socialiste e sapoardhur në pushtet akuzoi kompaninë Bankers Petroleum për kontrabandë dhe evazion. Për operacionet e saj të nxjerrjes së naftës, Bankersi importonte një lloj karburanti me cilësi të dobët që përdorej si hollues për naftën nën tokë për ta nxjerrë atë lehtësisht në sipërfaqe.
Duke qënë se holluesi përdorej si lëndë e parë në procesin e prodhimit dhe jo si mall konsumi, ai ka qenë i përjashtuar që prej vitit 2000 nga akciza për karburantin e importuar.
Qeveria e sapo ardhur socialiste vlerësoi se skema e importit të holluesit ishte kthyer në mekanizëm evazioni dhe kontrabande. Ajo konstatoi, se veçanërisht në peroiduhën 2011-2013, konsumi i holluesit në operacionet hidrokarbure të Bankersit ishte rritur ndjeshëm duke arritur në mbi 100 mijë tonë në vit.
Në një raport të përgatitur nga Ministria e Energjitikës në vitin 2013, pas një analize të shifrave që krahasonte sasitë e holluesit të importuar nga Bankers me ato që nevojiteshin realisht në procesin e prodhimit, thuhet se "krahasimi evidenton mospërputhje të mëdha mes shifrave".
Sipas këtij raporti, vetëm gjatë periudhës dhjetor 2011—shkurt 2012, Bankersi kishte importuar mbi 51710 metër kub hollues më shumë sesa sasia e nevojitur për prodhim.
Ishte pikërisht kjo arsyeja pse qeveria Rama vendosi në dhjetor 2013 të heqë përjashtimin dhe të aplikojë akcize edhe për holluesin e përdorur në operacionet e nxjerrjes së hidrokarbureve.
Në relacionin e ndryshimit të ligjit shkruhej, “përjashtimi nga pagesa e akcizës është përdorur me abuzivizëm nga shoqëritë hidrokarbure, të cilat kanë importuar lëndë djegëse pa taksa duke e shitur atë në treg”.
Sipas Ministrisë së Financave, në atë kohë, të ardhura te munguara për shkak të përjashtimit nga akciza të holluesit vlerësoheshin rreth 4,7 miliardë lekë për vitin 2012 dhe mbi 5,3 miliardë lekë për vitin 2013.
Bankers ra dakord me qeverinë, ndaj u bë edhe ndryshimi përkatës në marrëveshjen koncesionare, përmes të cilit kompanisë i njihej akciza për holluesin si shpenzim i zbritshëm.
Loja me gërmën e ligjit
Duke qënë se ligji i referohej holluesit “të importuar”, Bankersi vendosi të luaj me termat, duke pretenduar se përjashtimi nga akciza ishte hequr për sasinë e importuar, ndërsa përdorimi i holluesit të prodhuar brenda vendit mbetej i përjashtuar nga akciza.
Por në qershor 2014, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e sqaroi Bankersin se pavarësisht nëse holluesi sigurohej nga importi apo tregu i brendshëm, për të duhej të paguhej akcizë.
Më 23 Shtator 2014, sektori i akcizës pranë degës së Doganës Fier, mbajti një procesverbal konstatimi në të cilën evidentoi mospagesën e akcizës në shumën rreth 5 milionë euro.
Menjëherë pas kësaj Bankersi iu drejtua Gjykatës Administrative Tiranë, e cila në dhjetor 2014 pranoi padinë, vendosi sigurimin e saj dhe kërkoi shfuqizimin e akteve administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe saktësimin e detyrimeve.
Vendimi i masës së sigurisë së padisë, e ndalonte administratën doganore që të vilte detyrimin e akcizës për holluesin që përdorte Bankers Petroleum deri në përfundim të gjykimit.
Në qershor 2017, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë e rrëzoi masën e sigurisë duke lënë në fuqi pjesërisht vendimin e gjykatës së shkallës parë. Me rënien e masës së sigurisë, administrata doganore kishte të drejtën të ushtronte kontrolle të reja.
Ndërkohë, çështja u çua në Gjykatën e Lartë nga Avokatura e Shtetit.
“Demenca institucionale” e Ministrisë së Financave
Pavarësisht, ankimimeve për kontrolle të caktuara nga Bankers, Ministria e Financave kërkoi pagesën e akcizës nga kompania.
Në nëntor 2016, ministri Arben Ahmetaj i shkruan Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD) se "çfarë ka ndodhur nuk duhet të ndikojë në zbatimin rigoroz të ligjit edhe në vjeljen e akcizës nga holluesi i përdorur në operacionet hidrokarbure”. Ai i rikujton DPD-së se në buxhetin e vitit 2017 ishin parashikuar 1,3 miliardë lekë të ardhura nga akciza e holluesit të përdorur në operacionet hidrokarbure.
Interpretimi i ministrit Ahmetaj ishte se vendimet e gjykatës administrative kishin të bënin me kontrolle të caktuara në të shkuarën, por nuk mund të ndalonin zbatimin e ligjit për akcizën dhe për rrjedhojë kontrollet e reja.
Sërish në gusht 2017, në një korrespondencë shkresore me DPD-në, Ministria e Financave, përmes zëvendës ministrit Erjon Luçi, rithekson qendrimin se holluesi i përdorur në operacionet hidrokarbure nuk është i përjashtuar nga pagesa e akcizës dhe i kërkon administratës doganore të zbatojë Ligjin e Akcizës ndaj Bankersit.
Kontrollet për akcizën rifilluan dhe, në vitin 2019, dogana e Fierit arriti në përfundimin se Bankers kishte shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime akcize për holluesin e prodhuar nga ARMO-ja në Rafinerinë e Ballshit. Mbi këtë detyrim u shtuan gjobat për mos pagim në kohë duke e çuar shumën totale që kompania duhet të paguante në rreth 120 milionë euro.
Por menjëherë pas plotësimit të proces-verbalit të gjobës nga inspektorët doganorë dhe pa u marrë akoma vendimi nga dega e doganës në Fier, Bankers Petroleum u ankua në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke e cilësuar gjobën të paligjshme.
Ministrja Belinda Balluku iu drejtua me një shkresë Ministrisë së Financave duke pretenduar se holluesi është i përjashtuar nga pagesa e akzicës—qendrim i ndryshëm ky nga qëndrimet e Ministrisë së Financave dhe administratës doganore.
Në shkresën e saj, ajo kërkon të "pezullohen të gjitha veprimet për këtë çështje, përfshirë edhe finalizimin e njoftimit për këtë penalitet deri në marrjen e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e këtij akti". Për të përforcuar kërkesën e saj, ai jo referohet një rasti të mëparshëm me Bankers që sipas saj Shqipëria kishte humbur në arbitrazh.
Kjo ndërhyrje duket se pati ndikimin e “forcës madhore” pasi solli “demencë institucionale” në Ministrinë e Financave. Me një sërë argumentash jo ligjorë, përfshi faktin që çështja Bankers ishte në Gjykatën e Lartë, ministria ndryshoi qëndrim.
Në një shkresë të korrikut 2019, Ministrja e Financave Anila Denaj urdhëroi adminsitratën autoriteti që “bazuar në nenin 66 të Kodit të Procedurave Administrative, autoriteti doganor të procedojë me pezullimin e procedurës administrative deri në marrjen e interpretimit/vendimit përfundimtar për këtë çështje”.
Kodi Doganor dhe Kodi i Procedurës Administrative, nuk i japin kompetencë ministrit të Financave të pezullojë aktet e nxjerra nga administrata doganore apo tatimore. Pezullimi binte ndesh edhe me praktikën më të mirë të ndjekur më parë—ministria nuk ka ndërhyrë në vendimmarrjet që janë përgjegjësi e agjencive ligjzbatuese publike, si administrata doganore.
Shkresa e Ministres Balluku në mënyrë të pashpjegueshme kishte venë afat "për pezullimin deri në marrjen e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese” edhe pse në kohën e dërgimit të shkresës çështja nuk ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por ishte në shqyrtim Gjykatën e Lartë.
Sidoqoftë, në mars 2022, Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e Bankersit duke i dhënë të drejtë administratës doganore. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se "gjykatat e dy shkallëve më të ulta kanë gabuar më vlerësimin e interesit të ligjshëm material të palës për ngritjen e padisë duke cënuar thelbin e një procesi të rregullt ligjor".
Në korrik 2022, ishte Gjykata Kushtetuese që rrëzoi përfundimisht kërkesën e Bankersit duke konsideruar kushtetues edhe të drejtë vendimin e Gjykatës së Lartë që i jepte të drejtë administratës doganore.
Por nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më 2022, u deshën 3 vjet, deri në shtator 2025, që Ministria e Financave, me një shkresë të Ministrit Petrit Malaj "të lejonte" finalizimin e akt-kontrolleve edhe rivendosjen e gjobës për Bankersin.
Çfarë e pengoi Ministrinë e Financave të zbatonte ligjin dhe të tëhiqte pezullimin menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Pse u paralizua vendimarrja për 3 vite, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim dega e doganës në Fier për heqjen e pezullimit dhe hapjen rrugë finalizimi të procesit?
Cilado arsyeja ky rast tregon qartazi se kur zbatimi i ligjit kthehet nga qeveria në çështje negociotash, ligji kthehet në një tallje!/Exit
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
