Të tallur dhe të dhunuar/ BIRN: Kriza e bullizmit në shkollat shqiptare

26 Shkurt 2024, 18:45 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Të tallur dhe të dhunuar/ BIRN: Kriza e bullizmit në shkollat
Aida [nuk është emri i vërtetë] nuk ia fal vetes që nuk e kuptoi momentin kur e bija nisi të thyhej. Ajo ndryshoi sjellje dhe ra nga mësimet në vitin e parë të gjimnazit, por nëna e saj i mësoi problemet vetëm pasi 15-vjeçarja tentoi të vriste veten.

“Kur e kam gjetur në shtëpi pa ndjenja se kishte konsumuar qetësues, nuk di ta përshkruaj frikën, ndjenjat që më kaluan ato çaste,” tregon gruaja nga Fieri në kushtet e anonimatit.

Aida tregon se e bija kishte tentuar t'i bënte keq vetes, pasi ishte targetuar me komente tallëse në rrjetet sociale dhe në grupe nxënësish për shkak të pëlqimit ndaj një shoku të klasës. Ajo është vetëm një nga mijëra viktimat e identifikuara të bullizmit në sistemin arsimor të Shqipërisë.

Mësues, psikologë dhe punonjës socialë të intervistuar nga BIRN flasin për një krizë të bullizmit në shkollat shqiptare, ku rastet e raportuara janë trefishuar gjatë viteve të fundit, ndërsa mijëra raste të tjera mendohet se kalojnë në heshtje dhe pa u trajtuar.

Bullizmi nuk është një fenomen i ri dhe çdo brez në Shqipëri është përballur me historitë e veta të dhunës psikologjike dhe fizike në moshën e fëmijërisë apo adoleshencës.

Megjithatë, ekspertët flasin për një formë të re që lulëzoi në periudhën e pandemisë; bullizmi i kohëve të fundit është zhvendosur nga korridoret e shkollave në rrjetet sociale apo grupet e aplikacioneve online – çka vështirëson identifikimin dhe trajtimin e duhur të rasteve.

“Ajo që kam vënë re është se [bullizmi online] ka rritje vitet e fundit dhe i referohem periudhës së pandemisë që e kishim çdo gjë online. Që nga ai moment është edhe më i fortë si fenomen,” thotë Majlinda Ziu, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.

“Shpesh krijojnë grupe Whatsapp, pavarësisht atyre grupeve të shkollës, apo në rrjete sociale.  Hapin faqe për të bërë presion,” shtoi ajo, duke theksuar se bullizmi kalon më pas nga bota virtuale në atë realen.

Trefishim rastesh

Prindërit duke shoqëruar fëmijët e klasave fillore në ditën e parë të vitit të ri shkollor, për nxënësit | Foto: LSA
Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan bullizmin si një shqetësim madhor të shëndetit publik dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve. Agresioni i vazhdueshëm psikologjik ose fizik sipas OBSH shkakton pasoja serioze në edukimin dhe shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Raportet tregojnë gjithashtu se fëmijët që janë subjekt i bullizmit performojnë më keq në mësime dhe mund të vuajnë nga ankthi, frika, stresi emocional, pagjumësia dhe dhimbja psikosomatike. Fëmijët e bullizuar kanë gjithashtu rrezik të shtuar për sjellje vetëvrasjeje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi nga katër drejtoritë rajonale të arsimit Parauniversitar tregojnë një trefishim të rasteve të raportuara të bullizmit përgjatë pesë viteve të fundit në Shqipëri.

Nga 327 raste të raportuara në rang vendi në vitin 2019, numri u rrit në 1077 raste në fund të vitit 2023. Në total, rreth 3 mijë raste të bullizmit janë raportuar në katër drejtoritë rajonale të Durrësit, Korçës, Fierit dhe Lezhës gjatë viteve 2019-2023.

Rreth 60% e rasteve u regjistruan nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, e cila mbulon edhe shkollat e Tiranës me numrin më të madh të nxënësve në rang vendi.

Sipas drejtorive arsimore, rastet e bullizmit janë bërë më të vështira për t'u adresuar, pasi e kanë zanafillën e tyre te konfliktet në rrjetet sociale.

“Ndërveprimet negative të shpërndara në mënyra të ndryshme, përfshirë situatën e bullizmit në rrjete sociale dhe mesazhe të dëmshme online, ka bërë që kjo dukuri të ketë ndikim në klimën e shkollës dhe sjelljes së nxënësve,” i tha BIRN drejtoria rajonale e Durrësit.

Bullizmi online është kthyer tashmë në një fenomen shqetësues edhe për Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë.

“Adoleshentët janë më të prirur për të përjetuar bullizmin në rrjetet sociale, përfshirë fyerjet në internet, shpërndarje të imazheve të turpshme apo përjashtim nga grupet online,” tha ajo.

Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt, e ngritur nga organizata CRCA Shqipëri raporton gjithashtu një rritje galopante të rasteve të bullizmit online në raport me format e tjera të abuzimit me fëmijët dhe adoleshentët.

Dhjetë vite më parë, bullizmi online zinte vetëm 2% të raportimeve në këtë platformë, ndërsa aktualisht zë 33% të rasteve.

“Çështja e bulizmit online është kthyer në problemin më shqetësues tek fëmijët,” thotë Altin Hazizaj, drejtues i CRCA Shqipëri. “Ato që arrin të kapë sistemi janë vetëm maja e ajsbergut,” shtoi ai.

Fuks, spiun, çun mami'

Adelina Pjetra është psikologe klinike në Tiranë dhe thotë se trajton rreth 100 raste të fëmijëve apo adoleshentëve të bullizuar përgjatë një viti. Ajo beson se rastet më të shumta janë të paraportuara.

Pjetra thotë gjithashtu se prindërit u drejtohen specialistëve për ndihmë vetëm atëherë kur situata është tepër e rënduar.

“Vijnë kur është pika finale. Prindërit bëhen alert kur ka një tenativë për vetëvrasje, kur fëmija i tyre ka tentuar t'i bëjë dëm vetes. Rrallë ka familje që kërkojnë ndihmë më herët se sa kjo situatë,” theksoi ajo.

Mënyra si përjetohet bullizmi sipas psikologëve është e ndryshme; dikush e kalon me ankth të shtuar, dikush ka pagjumësi të theksuar dhe të tjerë shfaqin forma të çrregullime të të ushqyerit. Ata apelojnë që prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm për të diktuar ndryshimin e sjelljes së fëmijëve të tyre që në fazat e para, në mënyrë që edhe trajtimi të jetë më i shpejtë.

Lediona Asabella, punonjëse sociale në gjimnazin “Besnik Sykja” në Tiranë, thotë se shumica e rasteve që ajo trajton e kanë burimin te prishja e miqësive – e cila kthehet më pas në një mjet shantazhimi mes adoleshentëve. Armët që ata përdorin kundër njëri-tjetrit janë sekretet, të cilat i hedhin më pas për konsum nëpër rrjetet sociale.

“Rastet më ekstreme i kemi në faqet virtuale, ku një numër i madh dhunohet, ofendohen në mënyrë kolektive. Pra ku nuk ka emra se kush po e bën. Hapin faqe, se adoleshentët janë mjeshtra për teknologji,” thotë Asabella.

“Kjo është forma më e rënduar tani dhe shumë e përhapur,” shtoi ajo.

Mësuesit theksojnë se bullizmi nis të shprehet në moshën 12-13 vjeçare dhe disa prej problematikave mbarten nga shkolla 9-vjeçare në gjimnaz.

“Sepse dëshira për t'u dukur, për të shfaqur veten dhe për të dominuar grupin nis që në klasë të 7-të,” tha Ziu nga gjimnazi “Sami Frashëri”.

Ajo thotë se oficeri i sigurisë merr informacion për këto konflikte përpara se nxënësit të regjistrohen në gjimnazin e drejtuar prej saj dhe në raste të problemeve njoftohen menjëherë prindërit dhe punonjësit e sigurisë.

Megjithatë, nuk mungojnë rastet kur bullizmi prek edhe mosha më të vogla.

Vitin e kaluar, një djalë 11-vjeçar u targetua nga shokët e tij të klasës në një shkollë të Tiranës, pasi i tregoi prindërve se njëri prej tyre kishte ardhur në shkollë me një thikë. Prindërit i treguan mësueses për situatën, por pasojat i vuajti djali i tyre.

“Fuks, spiun, tradhëtar, çun mami ishin vetëm disa nga epitetet që përdoreshin kundër tij,” tregon e ëma.

“Aq kritike u bë situata sa djali nuk donte të shkonte më në shkollë, në klasë rrinte vetëm.  Nisi makthe natën, qante,” shtoi ajo, duke theksuar se për këto fenomene nuk janë të përgatitur as prindërit dhe as sistemi arsimor.

Problemet e familjes  

Lediona Asabella nga shkolla “Besnik Sykja” në Tiranë. Foto: Ermelinda Hoxhaj.
Ekspertët bien dakord se kriza në sistemin arsimor reflekton në njëfarë mënyre edhe krizën e familjes shqiptare pas një periudhe prej 3 dekadash tranzicion. Problemet e mëdha të dhunës në familje, divorceve, gjendjes së keqe ekonomike apo emigracionit reflektohen gjithashtu te sjellja e fëmijëve.

Punonjësja sociale, Lediona Asabella i tha BIRN se në gjimnazin e saj ka shumë fëmijë që punojnë, që rriten me gjyshërit ose që janë sjellë në Tiranë për një sistem më të mirë arsimor – por që u mungon autoriteti prindëror.

“Kemi shumë raste të nxënësve që rriten me gjyshër, të cilët nuk i kontrollojnë dot dhe mungon autoriteti i prindit, se mund të jenë të divorcuar apo në emigrim,” tha Asabella.

“Ka pasur raste që prindërve u kam sugjeruar që t'i marrin fëmijët, t'i mbajnë pranë vetes, se është më mirë në një qytet të vogël dhe në kujdesin e tyre, sesa në një qytet të madh dhe pa kujdes,” shtoi ajo.

Edhe Majlinda Ziu nga gjimnazi “Sami Frashëri” vëren se prindërit nuk kanë shpeshherë informacione për problemet e fëmijëve të tyre, pasi janë të zënë me punët apo problemet e tyre. Në mungesë të tyre, nxënësit mbushin orë të gjata me rrjetet sociale dhe u drejtohen shokëve të tyre për modele, që mund të jenë të gabuarat.

“Ka prindër që vinë në shkollë dhe befasohen dhe thonë që s'e kam parë këtë anë të fëmijës. Ndaj kontrolli prindëror duhet të jetë shumë i fortë, sidomos sa i përket raportiti që ka fëmija me teknologjinë. Sepse aty janë në kontakt me të gjitha rreziqet edhe me të panjohur,” tha Ziu.

Modelet e gabuara të jetës së përditshme apo të mediave sociale ndikojnë gjithashtu në personalitetin e fëmijëve. Sipas psikologes Adelina Pjetra, fëmijët i shohin shembujt e gabuar si modele suksesi dhe i imitojnë ato në jetën e tyre të përditshme.

Ndonjëherë, prindërit janë edhe vetë të varur nga rrjetet sociale, ndaj ekspertët i këshillojnë ata  që të hedhin sa më pak foto të fëmijëve në internet. Megjithatë, rastet më të vështira shfaqen ato ku agresorët janë njëkohësisht edhe viktima për shkak të dhunës së përjetuar në familjen e tyre.

“Kur i futemi me themel familjes, rezulton se janë përdorur forma dhune, forma izolimi, forma nga më të ndryshme të dhunimit të një fëmije. Dhe duke parë këtë model, ka marrë modelin që unë po bëj pak shaka me shokët e mi dhe nuk kanë përse të lëndohen kaq shumë, pasi ai vetë ka qenë i lënduar nga personat që duhet ta mbrojnë,” thotë Asabella.

Sistemi i referimit

Mbrojtja e fëmijëve dhe e të drejtave të tyre është një detyrim ligjor në Shqipëri dhe një nga strukturat përgjegjëse janë Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijës, NJMF, të ngritura pranë secilës prej 61 bashkive të vendit.

Por këto struktura funksionojnë me staf të reduktuar, të cilët duhet të përballojnë disa shkolla njëkohësisht.

Klaudio Pulaha, punonjës social pranë linjës kombëtare për fëmijë “Alo 116” ngre si shqetësim mbylljen e shumicës së rasteve të bullizmit brenda shkollave, pa u referuar pranë Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Një drejtor apo nëndrejtor shkolle nuk është ekspert i fushës, pavarësisht dëshirës së mirë për të trajtuar rastin. Nëse një punonjës social apo psikolog, që nuk e trajton dot rastin me ato kushte dhe mundësi sa ka në shkollë, duhet ta referojë tek punonjësit e mbrotjes së fëmijëve, por nuk refrohen,” tha Pulaha.

Ai thekson gjithashtu se roli i psikologëve apo punonjësve socialë në shkolla nuk është mjaftueshëm i fuqizuar, çka sjell një nënraportim të rasteve të bullizmit.

Por Asabella nga gjimnazi “Besnik Sykja” e kundërshton këtë ide, ndërsa vlerëson se institucionet arsimore në Shqipëri janë bërë më të hapura dhe më të kujdesshme ndaj këtyre fenomeneve.

Megjithatë, ajo shton se jo të gjitha rastet mund të referohen.

“Brenda institucionit mund të mbyllen raste me më pak problematika dhe ti e ke në monitorim, sepse dhe referimi i rasteve ka disa kufizime,” tha Asabella.

“Tek NJMF-ja referohen ato rastet që kanë elementët e dhunës, shantazhit e problematikave më të rënda,” shtoi ajo duke theksuar se mungesa e qendrave të rehabilitimit e bën të vështirë trajtimin e këtyre rasteve.

Pasi e bija u bullizua deri në pikën që tentoi t'i bënte keq vetes, Aida nuk e gjeti zgjidhjen te sistemi publik, por te zhvendosja e saj në një shkollë private.

“U ndoq për kohë të gjatë me psikolog, por tani është mire. Nuk ka probleme dhe në mësime ka avancuar goxha,” përfundoi ajo.

 

Po ndodh...