Tregu i sigurimeve: Kapitali vendas ruan kryesimin, por rritet pesha e kompanive austriake

3 Shkurt 2023, 14:52 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

 Tregu i sigurimeve: Kapitali vendas ruan kryesimin, por rritet pesha e kompanive

Kapitali vendas ruajti peshën më të madhe në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës gjatë vitit të kaluar, por me një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se kompanitë me kapital shqiptar mbanin 51.4% të tregut sipas primeve të shkruara bruto për vitin 2022, nga afërsisht 51.6% që zotëronin për vitin 2021. Paralelisht, kompanitë me kapital të huaj shënuan rritje të pjesës së tyre të tregut nga 48.4% në 48.6%.

Prej vitesh tashmë tregu shqiptar i sigurimeve është i ndarë mes kompanive me kapital shqiptar dhe atyre me kapital austriak. Në kompani veprojnë tetë kompani sigurimesh dhe prej afërsisht një dekade nuk shënohen hyrje të reja në treg.

Në nivel të kompanive të veçanta, edhe për vitin 2022 tregu i sigurimeve u kryesua nga Sigal Uniqa Group Austria, që shënoi një rritje të pjesës së saj të tregut në 26.8% të primeve të shkruara bruto, nga 25.6% që mbante një vit më parë. Sigal Uniqa Group Austria ishte njëkohësisht edhe kompania me rritjen më të lartë të primeve, me 13.3% krahasuar me një vit më parë, për një vlerë totale prej 5.16 miliardë lekësh.

Albsig ruajti vendin e dytë në treg edhe për vitin 2022, por pjesa e saj e tregut pësoi rënie në 18.2%, nga 18.7% që kishte qenë një vit më parë. Rritja vjetore e primeve të Albsig ishte 5.5%, më e ulët se rritja mesatare prej 8.35% e regjistruar në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës.

Eurosig për vitin 2022 mori vendin e tretë ne treg, me 13.5% të primeve të shkruara bruto, nga 13% që zotëronte një vit më parë. Eurosig shënoi rritjen e dytë më të lartë në treg, me 12.5% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group vitin e kaluar u rendit e katërta, me 12.5% të primeve të shkruara bruto, nga 13% që mbante një vit më parë. Kompania më e madhe e grupit vienez në Shqipëri shënoi një rritje të ngadaltë të primeve, me 3.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kompania tjetër e Vienna Insurance Group, Intersig për vitin 2022 mbante 9.4% të tregut, edhe kjo në rënie nga niveli prej 9.8% i vitit 2021. Intersig shënoi një nivel të rritjes së primeve të njëjtë me Sigma Interalbanian, prej 3.7% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Më tej renditja vijon me Insig, që është rritur në 7.1%, nga 6.9% që mbante në vitin 2021 dhe Ansig, që ka arritur në 6.6% të tregut, nga 6.4% që mbante një vit më parë.

Atlantik për vitin 2022 ka zbritur në vendin e fundit në treg, me 6% të primeve të shkruara bruto, nga 6.55% që mbante një vit më parë.

Në nivel të grupeve siguruese, renditja për vitin 2022 kryesohet sërish nga Uniqa Group Austria, me 26.8% të primeve të shkruara bruto (25.6% në vitin 2021), e ndjekur nga Vienna Insurance Group, me 21.8% (22.8% në vitin 2021) dhe grupi Eurosig, me 20.6% (19.9% në vitin 2021)./ Monitor

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128