Hetonte bandën e Laert Haxhiut, prokurorja: S'ndihem e trembur, shqetësuese nxjerrja e fotove të vajzës

2023-10-01 20:59:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

Hetonte bandën e Laert Haxhiut, prokurorja: S'ndihem e trembur,

Sot, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, menjëherë mbasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eleminimin e saj apo të një të afërmi. Prokurorja e dosjeve të forta në SPAK, më e fundit ajo e masakrës së urës Vajgurore ishte vënë në shënjestrën e të fortëve të Lushnjës, mbasi kërkoi burgim të përjetshëm për dy miqtë e Haxhiut, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshin.

Burime shumë të sigurta i thanë TCH se nën ruajtje të posaçme është marrë dhe familja e prokurores Musabelliu, për të cilën mbrojtja iu kërkua policisë nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Deri më tani nga kjo struktura e posaçme kundër krimit të organizuar janë kanë marrë në ruajtje të posaçme, dy gra gjyqtare dhe prokurorja Musabelliu.

Ndërkohë në rrëfim përmendet edhe prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi, e cila mbasi kreu hetimet për grupin e Lushnjës, shpalli moskompetencën dhe ja kaloi dosjen SPAK. Aktualisht ajo është e shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut por vijon të ketë statusin e magjistratit për sa kohë nuk është shprehur apeli. Një Vendim i Këshillit të Ministrave numër 114, thotë se në rast të rrezikimit të jetës së prokurorit, komisioni i KLP mblidhet për të vendosur ruajtjen e posaçme të tij.

Por kjo ruajtje duhet kërkuar me shkrim nga magjistrati, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ose Drejtuesi i Prokurorisë. Nëse do të kërkojë mbrojtje prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi tha në telefon për TCH: “Të lutem nuk prononcohem për këtë fakt”. Ndërkohë jeni shkarkuar nga vettingu a ndiheni e trembur prokurore? “Jo më shqetëson fakti që më kanë nxjerrë foto të vajzës”, tha prokurorja.

Aktualisht nën mbrojtje janë shtatë prokurorë të Juridiksionit të Përgjithshëm të cilët kanë marrë ruajtje nga KLP. Ndërkohë nga i penduari është pranuar se grupi kishte bërë plan të vriste edhe avokatin Adriatik Guri, i cili i shpëtoi atentatit dy vite më parë.

“E dëgjova emrin tim në televizor e përmendi Drejtori i Përgjithshëm. Por s’më ka marrë asnjë. As komisariati i Lushnjës ku jetoj. Ndihem i trembur. Po duan të na vrasin le të na vrasin”, tha avokati.