Familja Kennedy padit Donald Trumpin, kërkon ndalimin e ndërtimit të harkut gjigant në Uashington: Do të mbulojë varret e tyre me hije

2026-11-11 09:18:00 / BOTA ALFA PRESS

Familja Kennedy padit Donald Trumpin, kërkon ndalimin e ndërtimit

Familja Kennedy ka ngritur një padi kundër presidentit amerikan Donald Trump, me synimin për të penguar ndërtimin e një harku gjigant triumfi në Uashington, i cili sipas tyre do të dëmtojë pamjen dhe simbolikën e memorialit kushtuar familjes në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Padia, e bërë publike të martën, është nënshkruar nga nëntë anëtarë të familjes Kennedy. Në dokumentet gjyqësore, ata akuzojnë Trumpin se po përpiqet të ndërtojë në mënyrë të paligjshme një monument gjigant, i cili do të hedhë hije mbi varret dhe memorialet kushtuar familjes.

Në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit prehen ish-presidenti John F. Kennedy, bashkëshortja e tij Jacqueline dhe dy fëmijët e tyre. Aty ndodhen gjithashtu varret e dy vëllezërve të tij, senatorëve Robert F. Kennedy dhe Edward M. Kennedy, si dhe Ethel Kennedy, bashkëshortja e Robertit. Memoriali i familjes Kennedy, ku ndodhet edhe flaka e përjetshme në kujtim të ish-presidentit, është një nga pikat më të vizituara të varrezave, së bashku me Varrin e Ushtarit të Panjohur. Sipas padisë, ndërtimi i harkut do të pengonte pamjen e varreve të familjes Kennedy dhe të flakës së përjetshme nga Ura Memoriale e Arlingtonit, duke cenuar një element thelbësor të projektimit të memorialit.

Familjarët argumentojnë gjithashtu se, sipas një studimi shkencor, monumenti do të krijonte një hije të përhershme mbi varret e Kennedyve dhe mbi ato të ushtarakëve amerikanë që kanë humbur jetën në shërbim të vendit. Projekti i Trumpit, i prezantuar si “Harku i Triumfit Ushtarak”, synon të nderojë heronjtë amerikanë dhe të shënojë 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara. Shtëpia e Bardhë e ka promovuar atë si një simbol të së kaluarës dhe të ardhmes së vendit. Megjithatë, ndërtimi i tij është përballur tashmë me pengesa ligjore. Në fillim të këtij muaji, një gjykatës federal në Uashington vendosi të pezullojë për të paktën dy javë punimet, ndërsa shqyrtohen ankimimet që kundërshtojnë ligjshmërinë e projektit. Ndërtimi ende nuk ka nisur.

Përmasat e mëdha të harkut kanë ngritur gjithashtu shqetësime se ai mund të pengojë pamjen drejt Memorialit të Abraham Lincoln dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Ndërkohë, projekti duket se është një prej nismave simbolike që Trump dëshiron të lërë pas në kryeqytetin amerikan. Në fund të vitit 2025, presidenti vendosi emrin e tij përpara atij të John F. Kennedy në Qendrën Kennedy, institucioni kulturor që mban emrin e ish-presidentit demokrat, i vrarë në vitin 1963. Ky ndryshim u shpall më pas i paligjshëm nga gjykatat. Administrata Trump ka njoftuar gjithashtu mbylljen e përkohshme të Qendrës Kennedy për riparime dhe restaurime, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e shembjes së saj.

 

 

Po ndodh...