Asmbleja e Ramës njëlloj si ajo që krihet, pasi i ka vënë zjarrin fshatit

2026-03-22 09:51:20 / IDE NGA GJERGJI NIKA

Asmbleja e Ramës njëlloj si ajo që krihet, pasi i ka

Njëlloj si ajo që krihet, pasi i ka vënë zjarrin fshatit.

Ndërkohë që qytetarët numërojnë qindarkat në fund të muajit dhe shohin si u rritet fatura e jetesës më shpejt se paga, pushteti ka gjetur një prioritet të ri: të numërojë dhe shtojë anëtarët e vet.

Nga buka te karburanti, gjithçka është bërë më e shtrenjtë, por ajo që duket se nuk ka humbur asnjë gram vetëbesimi është propaganda.

Asamble për anëtarësime, fushata për zgjerim, deklarata për fitore “100%” në 2027-ën, sikur vendi të ishte në kulmin e mirëqenies dhe jo në një lodhje kolektive që mezi mbahet në këmbë.

Në një realitet ku infrastruktura çahet, spitalet boshatisen nga ilaçet, arsimi prodhon më shumë ikje sesa dije, dhe ku fermeri nuk di më nëse produkti i tij do të shitet apo do të kthehet mbrapsht si i kontaminuar, pushteti ka zgjedhur të investojë në një tjetër “kapital”: patronazhistët. Jo për të zgjidhur hallet, por për t’i menaxhuar ato politikisht.
Jo për të ndërtuar besim, por për të ndërtuar kontroll.
Ndërkohë, skandali është bërë normalitet.

Fondet europiane trajtohen si plaçkë, urat e tunelet ndërtohen pa hekur, të dhënat më të ndjeshme të shtetit rrëshqasin në duar që s’kanë lidhje me ligjin, ndërsa prona private rri pezull, si një mall që pret të shitet tek “investitorë strategjikë” me oferta që nuk i refuzon dot askush, jo se janë të mira, por sepse janë të imponuara. Malet, bregdeti, toka: gjithçka ka një çmim simbolik, ndërsa qytetari ka një vlerë gjithnjë e më simbolike.

Dhe në këtë tablo, arroganca nuk është më thjesht një ves politik, është rrezik publik. Është ajo arrogancë që të bën të flasësh për fitore absolute kur njerëzit ndihen të humbur. Që të shtyn të mbledhësh forca për zgjedhje, kur vendi po shpërbëhet në heshtje. Që të jep luksin të shpallësh triumf, ndërkohë që shpresa është bërë mall i rrallë.

Kjo nuk është më vetëm një çështje qeverisjeje.

Është një krizë raporti me realitetin. Një pushtet që nuk dëgjon më, por vetëm flet. Që nuk sheh më, por vetëm projekton. Që nuk ndien më, por vetëm llogarit.

Happening now...

ideas