Një vit nga vrasja e Astrit Kalajës, magjistratët apel shtetit: Siguria ka mbetur në vend, mos prisni të humbasim një tjetër për të vepruar!
Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë ngrenë alarmin se institucionet ende nuk kanë marrë masat e kërkuara për sigurinë e magjistratëve, ndërsa Kalajës nuk i është njohur statusi "Dëshmor i Atdheut".
Në një deklaratë të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, duke paralajmëruar: "Një vit më parë humbëm një koleg. Shteti nuk duhet të presë humbjen e një tjetri për të vepruar".
Astrit Kalaja u vra me armë zjarri më 6 tetor 2025, teksa ushtronte detyrën në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Një vit më pas, shoqatat e magjistratëve thonë se përkujtimi dhe solidariteti nuk mjaftojnë dhe se një sërë çështjesh të ngritura pas vrasjes së tij vazhdojnë të jenë pa zgjidhje.
"Një vit pas vrasjes, organet shtetërore ende nuk i kanë njohur gjyqtarit Astrit Kalaja statusin 'Dëshmor i Atdheut', që i takon një gjyqtari të vrarë në detyrë. Procedurat vazhdojnë të zvarriten, duke i detyruar familjarët që t'i drejtohen gjykatës", thuhet në deklaratë.
Sipas tre shoqatave, për fëmijët e gjyqtarit, njëri prej të cilëve i mitur, nuk është parashikuar një trajtim i posaçëm institucional, ndërsa kërkesat e magjistratëve për masa në mbështetje të familjes kanë mbetur pa përgjigje.
Por shqetësimi kryesor që ngrihet në deklaratë lidhet me sigurinë në institucionet e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët thonë se, edhe pas vrasjes së një gjyqtari brenda sallës ku ushtronte detyrën, gjykatat dhe prokuroritë vazhdojnë të mos kenë një strukturë policore të posaçme.
"Edhe siguria ka mbetur në vend. Një vit pas vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit, gjykatat dhe prokuroritë nuk kanë ende një strukturë policore të posaçme. Nuk ka mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të kërcënuar. Nuk ka një kuadër ligjor të ri për sigurinë e institucioneve të drejtësisë. Nga autoritetet kompetente mungon ende një reagim konkret dhe i qëndrueshëm", thuhet në deklaratë.
Shoqatat shtrojnë edhe pyetjen: "Nëse një gjyqtar nuk është i sigurt në sallën e gjyqit, sa i sigurt është qytetari që hyn në të?"
Sipas tyre, vrasja e Astrit Kalajës nuk ishte vetëm një sulm ndaj një gjyqtari, por ndaj sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve që i drejtohen atij. Ato theksojnë se magjistratët trajtojnë çdo ditë çështje të krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe mund të bëhen, së bashku me familjarët e tyre, objekt kërcënimesh dhe presionesh.
Për këtë arsye, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kërkojnë njohjen pa vonesë të statusit "Dëshmor i Atdheut" për Astrit Kalajën, trajtim institucional për familjen dhe fëmijët e tij, krijimin e një strukture të posaçme policore për gjykatat dhe prokuroritë, një mekanizëm për vlerësimin e kërcënimeve ndaj magjistratëve dhe familjeve të tyre, si dhe një kuadër të ri ligjor për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.
"Siguria e magjistratit nuk është privilegj. Është garanci për çdo qytetar që kërkon një drejtësi pa frikë dhe pa presion. Një vit më parë humbëm një koleg. Shteti nuk duhet të presë humbjen e një tjetri për të vepruar", përfundon deklarata e përbashkët.
Po ndodh...
By Lindita Çela - The mirror where nothing is seen
ide
When humor becomes an alibi, a response to Filip Çakuli
Faik Konica, Man-History and History-Man
Why doesn't Rama resign?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
