The accusation about the house and the mining law, Kryemadhi: A tale built with three messages

2026-04-27 12:39:18 / POLITIKË ALFA PRESS

The accusation about the house and the mining law, Kryemadhi: A tale built with

Në një prononcim për mediat pas seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme, Monika Kryemadhi, e cilësoi dosjen e ngritur nga SPAK ndaj saj si një “përrallë” dhe “fabul” të ndërtuar për të krijuar një iluzion të rremë tek opinioni publik.

Sipas saj, prokuroria ka përdorur në mënyrë selektive disa mesazhe telefonike për të ndërtuar një akuzë për korrupsion, ndërkohë që ka kërkuar nga gjykata ekspertimin e plotë të telefonit të saj për të zbardhur të gjithë kontekstin e bisedave.

“E gjithë dosja është ndërtuar si një fabul për të krijuar një perceptim, një iluzion optik dhe të mendimit, bazuar në mesazhe të caktuara telefonike,” deklaroi Kryemadhi.

Në qendër të akuzës është pretendimi se një shtëpi ishte premtuar si ryshfet në këmbim të miratimit të ligjit për minierat në vitin 2014. Kryemadhi e hodhi poshtë këtë akuzë, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një shtëpi që e kishte parë në verë, por që më pas e kishte anuluar në shtator.

“Prokuroria përdor një mesazh ku unë kam thënë dua të marr një shtëpi. Kam shkuar e kam parë dhe në shtator e kam anuluar. Këtë e quajnë korrupsion,” tha ajo, duke e krahasuar situatën me provën e disa fustaneve në një dyqan, ku në fund blihet vetëm njëri.

Lidhur me ligjin për minierat, Kryemadhi theksoi se ai nuk ishte një vendim personal i saj, por një vendim kolegjial i miratuar me votat e 72 deputetëve. Ajo shtoi se ligji kishte për qëllim rritjen e sigurisë në punë për rreth 2000 minatorë dhe se ishte propozuar nga qeveria e asaj kohe, me propozues kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Damian Gjiknuri, dhe i miratuar në komisionin e drejtuar nga Eduard Shalsi.

Për të vërtetuar versionin e saj, Kryemadhi njoftoi se do të kërkojë thirrjen si dëshmitarë të të gjithë aktorëve të përfshirë, përfshirë kryeministrin Rama, si dhe ish-ministrin Gjiknuri e ish-deputetët Shalsi e Dokle.

“Patjetër që do të vijnë si dëshmitarë, sepse nuk mund të ketë përgjegjësi penale për një vendim kolegjial,” u shpreh ajo.

Në fund, Kryemadhi e cilësoi procesin si pjesë të një beteje me një “sistem drejtësie që funksionon me regji politike” dhe që kërkon të bëjë statistika duke goditur figura të caktuara politike për të qetësuar opinionin publik. Sipas saj, drejtësia po vepron nën dirigjimin e kryeministrit Edi Rama.

Happening now...