"I will be Albania's strong voice at NATO tables!" The former socialist MP is unanimously supported by the ruling party and the opposition to become ambassador

2026-02-23 13:21:24 / POLITIKË ALFA PRESS

"I will be Albania's strong voice at NATO tables!" The former

“Ndihem i vlerësuar për këtë përgjegjësi të madhe që më ngarkohet, por jam besimplotë të përfaqësoj vendin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të jem zëri i fortë në tryezat e aleancës, atje ku merren vendime që na prekin drejtpërdrejt, jo vetëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, u shpreh ditën e sotme përballë Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme Bardhyl Kollçaku, i cili është propozuar në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në NATO.

Kandidatura e tij u “përqafua” si nga socialistët, ashtu edhe nga demokratët, ku vlerësimet për figurën dhe eksperiencën e tij ishin pothuajse unanime.

Kollçaku, i cili ka qenë për një mandat katërvjeçar pjesë e Kuvendi të Shqipërisë në radhët e socialistëve, mban mbi supe një karrierë të gjatë ushtarake. Ai ka shërbyer si gjeneral dhe ka mbajtur postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke krijuar një profil të konsoliduar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Deputeti demokrat Tritan Shehu e cilësoi përfaqësimin në NATO si një pozicion kyç strategjik për Shqipërinë dhe rajonin, duke vlerësuar përvojën e pasur të Kollçakut si në nivel ushtarak, ashtu edhe në diplomacinë parlamentare. Ai shprehu bindjen se kjo detyrë do të ushtrohet me dinjitet dhe do të forcojë më tej rolin e vendit në aleancë.

“Ju jeni një personalitet, nuk keni qenë pjesë e trupit diplomatik, por keni një CV të pasur në atë drejtim, qoftë në nivelin ushtarak, qoftë në diplomacinë parlamentare, aktivitete të ndryshme, dhe unë jam dëshmitar se ne kemi qenë së bashku në shumë aktivitete dhe shumë procese të këtij lloji. Besoj se do ta kryeni me dinjitet këtë detyrë të rëndësishme që iu është ngarkuar duke bërë që roli ynë të jetë akoma dhe më i fort”, tha ai ndërkohë që në të njëjtën linjë qëndruan edhe deputetët e shumicës, të cilët nënvizuan kontributin e tij në Parlament dhe eksperiencën shumëvjeçare në fushën e sigurisë, duke theksuar profesionalizmin dhe seriozitetin në çdo detyrë që ka marrë përsipër.

Gjatë prezantimit, Kollçaku theksoi rëndësinë e koordinimit të gjerë institucional përpara çdo vendimmarrjeje në Këshillin e Atlantikut, duke vënë theksin te harmonizimi i prioriteteve kombëtare me angazhimet në terren dhe me dokumentet strategjike të vendit. Ai la të kuptohet se synimi i tij do të jetë forcimi i zërit dhe interesave të Shqipërisë në tryezat ku merren vendimet më të rëndësishme të aleancës.

Pjesë nga diskutimet në Komision:

Tritan Shehu: Padyshim të jesh kryetar i misionit tonë në NATO është e rëndësishme. Është një pozicion shumë i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe rajonin sepse është një organizëm prej disa vitesh dhe jo vetëm që jemi anëtarë por jemi anëtarë aktivë dhe kemi qenë anëtarë aktivë që në 1994 dhe gjithmonë kemi luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Ju jeni një personalitet, nuk keni qenë pjesë e trupit diplomatik, por keni një CV të pasur në atë drejtim, qoftë në nivelin ushtarak, qoftë në diplomacinë parlamentare, aktivitete të ndryshme, dhe unë jam dëshmitar se ne kemi qenë së bashku në shumë aktivitete dhe shumë procese të këtij lloji. Besoj se do ta kryeni me dinjitet këtë detyrë të rëndësishme që iu është ngarkuar duke bërë që roli ynë të jetë akoma dhe më i fortë.

Spahiu: Vlerësoj maksimalisht kontributin tuaj të dhënë në katër vite në parlament por mbi të gjitha dhe kontributin që keni dhënë në fushën tuaj, si komandant i përgjithshëm. Eksperiencën tuaj në NATO e keni filluar shumë vite më parë dhe mendoj se profesionalizmi juaj dhe serioziteti që merrni çdo detyrë do të realizoni të gjitha objektivat që i keni vendosur vetes në këtë mision.

Igli Hasani: Ju ndoqa në prezantim, doja të dija si e mendoni ju mandatin, pjesë përmendet organizimin e samitit, samiti bëhet në Tiranë, çfarë tjetër përveç aspekteve politike madhore, juve keni si gjë të rëndësishme në punën tuaj si ambasador i mundshëm i Shqipërisë në këtë organizatë?

Kollçaku: Pyetja juaj i nderuar kryetar është shumë e rëndësishme. Ambasadori merr pjesë në Këshillin e Atlantikut por përpara se ambasadori të marrë vendime apo të ngrejë dorën në atë tryezë është një rrjet, që unë e ceka pak, i gjerë i kolegëve, vartësve, bashkëpunëtorëve në të dyja stafet, stafi ushtarak, civil. Duke filluar prioriteti, i cili ishte në Prishtinë ku kemi në KFOR, anëtarë të KFOR që kemi përfaqësuesit tonë, çdo lloj vendimmarrje që kulmon në Bruksel fillon aty ku ndodh ngjarja, diskutohet.

Ajo që do kërkoj është që vendimmarrja apo çdo lloj dokumenti të ketë vulën, gjurmën e të gjithë atyre që kontribuojnë, të pasqyrojnë në mënyrën më të drejtë të mundshme prioritetet, vëmendjen e ministrisë së Jashtme por mbi të gjitha të sensitizoj, harmonizoj, interesat e Shqipërisë në kompleks. Referuar që burojnë nga dokumentet kryesore, strategjia, planet, dokumente të tjera për integrimin dhe kur themi që unë vërtet do të jem aty dhe do të përcjell, por mbi të gjitha kur thashë do jem një zë në mënyrë që të mbrojmë interesat e Shqipërisë në atë tavolinë ku merren vendimet.

 

Happening now...