Rafael Leao “zyrtarizon” largimin e Teo Hernandez nga Milani: Vëllai im, nuk duhej të mbaronte kështu

2025-07-08 00:04:57 / SPORT ALFA PRESS

Rafael Leao “zyrtarizon” largimin e Teo Hernandez nga Milani:

Teo Hernandez do t’i bashkohet së shpejti klubit të Al Hilal në Arabinë Saudite duke i dhënë lamtumirën Milanit. Palët janë prej kohësh në negociata dhe më në fund kanë gjetur gjuhën e përbashkët, me Milanin që do të përfitojë 25 milionë euro për transferimin e mbrojtësit francez.

Zyrtarizimi nga klubet nuk është bërë ende, por ai ka ardhur nga Rafael Leao, i cili ka postuar në rrjetet sociale një mesazh lamtumire për atë që ishte kthyer në mikun e tij më të ngushtë në radhët e kuqezinjve.

Vëllai im, shoku im në shumë beteja, së bashku kemi kaluar shumë kohë të mira dhe të këqija, por ishte një kënaqësi të ndaja dhomën e zhveshjes dhe fushën me ty, vëllai im. Të uroj gjithë fatin e botës në këtë fazë të re.

Do të më mungosh shumë sepse me kalimin e viteve je bërë një person i rëndësishëm për mua.

Nuk duhej të mbaronte kështu, por jeta është plot sfida. Paç fat në udhëtimin tënd të ri. Si gjithmonë, do të bëj tifo për ty dhe për ne!

 

Happening now...