Finalja Spanjë-Argjentinë vendos më shumë se kampionin e botës, Messi dhe Yamal përballen për ‘Topin e Artë’ 2026

19 July 2026, 11:44 / SPORT ALFA PRESS
Finalja Spanjë-Argjentinë vendos më shumë se kampionin e

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të vendosë vetëm kampionin e ri të botës.

Sfida në “MetLife Stadium” pritet të ketë një ndikim të madh edhe në garën për “Topin e Artë” 2026, ceremonia e të cilit do të zhvillohet më 26 tetor në Londër.

Sipas raportimeve të Marca, Lionel Messi është aktualisht favoriti kryesor për të fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll. Nëse Argjentina arrin të mbrojë titullin botëror, 39-vjeçari mund të ngrejë për herë të nëntë “Topin e Artë”, një arritje që do ta largonte edhe më shumë nga çdo rival në histori.

Messi ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm. Para Botërorit, ai shkëlqeu me Inter Miami në MLS, duke regjistruar 12 gola dhe 8 asistime në 14 ndeshje, ndërsa me Argjentinën ka qenë vendimtar në rrugën drejt finales, me 8 gola dhe 4 asistime.

Një nga debatet më të mëdha ka qenë fakti që Messi luan jashtë futbollit europian. Megjithatë, sipas mediave spanjolle, ky argument mund të mos ketë më peshë. Madje, llogaria zyrtare në rrjetet sociale e “Topit të Artë” ka nxitur diskutime me një postim ku pyeste: “A ka vërtet rëndësi të luash në Europë?”, një sinjal që është interpretuar si një avantazh për yllin argjentinas.

Megjithatë, Messi nuk është i vetëm në garë. Rivali i tij më i madh konsiderohet talenti spanjoll Lamine Yamal. Edhe pse nuk ka shënuar ende në këtë Botëror, 19-vjeçari ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe ishte një nga lojtarët më të mirë të sezonit me Barcelonën, duke regjistruar 24 gola dhe 17 asistime, si edhe duke fituar La Ligën dhe Superkupën e Spanjës. Një triumf i Spanjës në finale mund ta kthejë Yamalin në favoritin e ri për “Topin e Artë”.

Në listën e kandidatëve përmenden edhe Harry Kane, i cili fitoi “Këpucën e Artë” në Europë me Bayern Munich dhe zhvilloi një Botëror shumë të mirë me Anglinë, si dhe Fabián Ruiz, që fitoi gjithçka me PSG, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve. Megjithatë, historia ka treguar se “Topi i Artë” zakonisht favorizon lojtarët vendimtarë në sulm dhe ata që shkëlqejnë në Botëror.

Për këtë arsye, sytë e botës nuk do të jenë vetëm te trofeu i Kupës së Botës. Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës mund të jetë edhe momenti që do të përcaktojë fituesin e “Topit të Artë” 2026, me Lionel Messin që është vetëm një hap larg një tjetër kapitulli historik në karrierën e tij legjendare.

 

Po ndodh...