G20 nën tension, Lavrov përjashtohet nga fotografia e përbashkët: Rusia nuk ndryshon qëndrim për luftën

31 October 2026, 08:18 / BOTA ALFA PRESS
G20 nën tension, Lavrov përjashtohet nga fotografia e

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se qëndrimi i Moskës për luftën në Ukrainë mbetet i pandryshuar, ndërsa ka kritikuar deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për shtimin e sulmeve ndaj objektivave në territorin rus. Sipas tij, retorika e Kievit për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe goditjen e Rusisë nuk ndihmon në krijimin e kushteve për një raund të ri negociatash.

Duke folur me gazetarët në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të G20 në Atlanta, Lavrov u ndal edhe te marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, duke theksuar se vijojnë të ekzistojnë probleme për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë dhe mbështetjes ushtarake që SHBA i jep Ukrainës. “Qëndrimi ynë është i njohur, por çfarë synon të sjellë Ukraina në tryezën e negociatave, nuk e di”, u shpreh kryediplomati rus, sipas agjencive ruse të lajmeve. Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e përsëritura të Zelensky-t se Ukraina po siguron më shumë armatime për të goditur objektiva brenda territorit rus. “Ky lloj qëndrimi nuk ndihmon veçanërisht në përgatitjen për negociata”, deklaroi Lavrov.

Deklaratat e ministrit rus vijnë në një moment kur si Moska, ashtu edhe Kievi kanë shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në bisedime trepalëshe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara. Këto do të ishin negociatat e para të këtij formati që nga fillimi i vitit. Të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se shpresonte që një takim i negociatorëve të të tre vendeve të zhvillohej në Abu Dhabi, në periudhën 6-10 nëntor.

Ai theksoi gjithashtu se Ukraina kërkon që edhe përfaqësuesit evropianë të përfshihen në bisedimet për paqen. Nga ana tjetër, Lavrov përsëriti se qëndrimi i Rusisë ndaj konfliktit “mbetet i pandryshuar që nga fillimi i operacionit ushtarak special”, termin që Moska përdor për luftën e nisur kundër Ukrainës. Sipas tij, Rusia nuk mund të pranojë një Ukrainë që, në këndvështrimin e Kremlinit, përbën kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse.

 

Ndërkohë, takimi i ministrave të Jashtëm të G20 është shoqëruar edhe me tensione diplomatike. Sipas raportimeve, fotografia tradicionale familjare e përbashkët e ministrave u anulua, pasi përfaqësuesit e disa vendeve evropiane nuk dëshironin të pozonin pranë ministrit të Jashtëm rus. Prania e Lavrovit në samit ka nxjerrë edhe një herë në pah përçarjet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon të mbetet pengesa kryesore për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike.

 

Po ndodh...