Gjuha që tolerojmë: Pasqyra e kristaltë e rrënimit!

Udhëton me autobus, gjendesh në një kafene, hap një rrjet social e pa filtra dëgjon të njëjtën gjë: një gjuhë të shëmtuar, fyese, që dikur do të na vinte turp ta shqiptonim qoftë edhe nën zë!
Prej kohësh pyes veten: çfarë po ndodh me gjuhën tonë? Si arritëm në këtë pikë, ku fjalët nuk më japin më shpresë, por më lënë shijen e hidhur të një shoqërie që po shembet nga brenda?
Në çdo brez, gjuha ndryshon. Por kur ndryshimi nuk pasqyron më përparim, por rrënim, ajo që ndodh është lindja e një shoqërie të sëmurë, jo vetëm nga sëmundje trupore, por nga plagët e shpirtit, zemrës dhe gjuhës.
Në hapësirat publike sot është e pamundur të mos dëgjosh përdorimin e gjerë të një gjuhe agresive dhe përçmuese. Më tronditëse është normalizimi i kësaj gjuhe jo vetëm mes burrave, por gjithnjë e më shumë nga gratë dhe, akoma më alarmuese, nga fëmijët.
Më duhet të nënvizoj, nuk jam këtu për të hapur diskutime seksiste apo gjinore, por për të mbrojtur natyrën e ndjeshme dhe të brishtë të figurës femërore, e cila po humbet butësinë dhe dinjitetin e vet.
Kur gratë përqafojnë vulgaritetin nën flamurin e barazisë, pyes veten: mos vallë zhurmën po e ngatërrojmë me forcën?
Ama, nëse banaliteti është kriter i barazisë, atëherë a nuk do duhet të thellohemi: Çilës barazi po i brohorasim?!
E pra sot fjalori vulgar, dikur kufi i pakalueshëm na shfaqet hapur, pa i ngrysur vetullat më.
Aty ku dikur fjalët zgjidheshin me kujdes, tani ato hidhen si gurë, shpejt, me zë të lartë dhe pa menduar për pasojat: në grindje të pamëshirshme në parlament, në debate të pasjellshme politike, në fushata elektorale të paturpshme e mashtruese.
Gjuha është dhuratë, por gjithnjë e më shpesh po e shohim të shndrohet në armë për të dominuar, për të poshtëruar, për të fituar me çdo kusht.
Nuk shohim më njerëz me shtyllë të brendshme morale. Shohim veç figura të zbrazura që bëjnë zhurmë!
Shqetësimi im nuk është thjesht dhe vetëm tek fjala, por në atë që ajo simbolizon: zbraztinë morale, humbjen e vetëkontrollit dhe fytyrën e vërtetë të një shoqërie që po braktis dinjitetin e vet kulturor.
Është koha të ritheksoj se gjuha është pasqyrë e shpirtit shoqëror e kur ajo bëhet e ashpër, fyese dhe pa asnjë ndjenjë ajo veç se shpalos rrënimin e brendshëm të anëtarëve të saj.
E ky rrënim nuk ndodhi përnjëherë. Ai është pasojë e një neglizhence të gjatë: e sistemit arsimor, e formimit kulturor, e ndërtimit moral dhe e përgjegjësisë tonë, si më të rritur.
Këtu qëndron dhe rreziku më i madh: një shoqëri që zbraz anëtarët e saj nga mendimi, turpi dhe ndërgjegjja, përfundon duke mos e kuptuar më se sa keq ka rënë. Humbim vetëdijen për vlerat, e bashkë me to edhe aftësinë për t'u përmirësuar.
Kjo që po na shfaqet nuk është "gjuhë moderne", por shembja e dinjitetit kulturor.
Kjo është metamorfozë katastrofike; një transformim tragjik i shkaktuar jo nga liria, por nga humbja e kuptimit, e udhëzimit dhe e vetërespektit.
Kur fëmijët rriten duke menduar se vulgariteti është normal, atëhere në cilin bazament emocional dhe moral do mbështeten kur të jenë të rritur?!
E shqetësuar pohoj se nuk e kemi më luksin të qëndrojmë indiferentë. Të qëndrosh i heshtur përballë normalizimit të së shëmtuarës nuk është neutralitet. Është bashkëfajësi.
E të themi se “kështu flitet sot” është të dorëzohemi, të pranojmë që gjuha nuk ka më forcën për të ngritur mendimin, për të formuar karakterin apo për të reflektuar dinjitetin.
Ndaj, kujdesin për mënyrën si flasim nuk e konsideroj aspak nostalgji apo prapambetje, por respekt për veten, për të tjerët dhe për brezat që na shohin si shembull.
Nëse heshtim, të gjithë bëhemi përgjegjës, thjesht dhe vetëm duke mbetur soditës, duke buzëqeshur me indinjatë, duke u shtirur apo sforcuar apo më keq duke e pranuar si normale, thjesht pjesë e kohës sonë.
JO.
Të heshturit do të thotë të ndihmosh rënien. Të qëndrosh mendjelehtë dhe pasiv do të thotë të tradhtosh brezin e ardhshëm.
Ka ende kohë për të reaguar:
- Përmes transformimit të sistemit arsimor, debatit publik, dhe shembullit personal. Por së pari, duke kuptuar se gjuha nuk është vetëm çështje private, ajo është dhuratë dhe përgjegjësi publike.
Nëse nuk veprojmë, do të jetojmë në një shoqëri ku fjala nuk shëron, nuk frymëzon, nuk ndërton, por vetëm plagos, fyen, rrënon e përçan.
Le mos të flasim për t’u pëlqyer, por për të mos e humbur veten.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
