Kriza e parimeve dhe shijeve në fushatën e Ramës

4 Maj 2023, 11:58 / IDE NGA PREç ZOGAJ

Kriza e parimeve dhe shijeve në fushatën e Ramës

Shumë media i bënë jehonë këto ditë një lajmi, sipas të cilit kryeministri Edi Rama do të jepte edhe 140 milionë euro të tjerë në mbështetje të projekteve që po reklamon në fushatë kandidati socialist për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci. Në një version tjetër të lajmit thuhej se ishte Beci që ia mori si premtim Ramës. Po kjo është e njëjta gjë.

Pyetja që besoj i shkon ndërmend në këtë rast çdo zgjedhësi, në Shkodër e kudo tjetër është:

A do t’i financojë  Rama projektet e Benet Becit apo të kandidatëve socialistë  të Elbasanit, Durrësit, Korçës e me radhë nëse bashkinë e fiton kandidati i opozitës?

Praktikat e qeverisjes së mirë në vendet demokratike thonë: “Sigurisht që po”. Logjika gjithashtu thotë “po”. Sepse projektet në fjalë nuk janë projekte xhepi, pavarësisht autorësisë së pamohueshme të kandidatit që mund t’i ketë ideuar, porositur e bërë pjesë të fushatës së tij. Këto projekte janë pasuri publike. Aq më shumë kur qëllon të jenë dizajnuar nga studime të organizatave ndërkombëtare dhe janë planifikuar që në krye të herës si projekte me financim nga buxheti i shtetit apo institucionet financiare të vendeve mike.

Mirëpo kryeministri Rama po u vë zgjedhësve gjithandej një kusht: “Votoni PS nëse doni investime”. Do të thotë se, sipas tij, këto projekte nuk do të financohen në se fitojnë kandidatët e opozitës.

Në asnjë vend të botës së lirë nuk ndodh që kryetari i qeverisë t’i prijë fushatës së zgjedhjeve vendore duke dorovitur e ngjyrosur politikisht paratë publike për të orientuar e kushtëzuar votën e qytetarëve në favor të kandidatëve të tij. Po të ndodhte kjo ai do të përgjigjej dhe do të paguante  për shkelje flagrante të standardeve  që sigurojnë zgjedhje  të lira, të ndershme e të barabarta.

Ma merr mendja se Rama është unikal dhe kampion i abuzimit dhe shpërdorimit të postit në këtë pikë. Kushtëzimi i votës me zgjidhjen e qeses së qeverisë , si ta kishte të varur në rripin e pantallonave, ndërkohë që  buxheti i shtetit është i taksapaguasëve pa dallim, tregon mungesë respekti për votën e lirë. Për njerëzit e lirë gjithashtu, të cilëve në ketë rast u kërkohet të sillen si raja, si arushë cirku.

Në fakt “votoni kryeministrin në doni investime” është treguesi  sintezë i inekzistencës në vendin tonë të decentralizimnti të  pushtetit vendor si  shtyllë e demokracisë. Nëse e shohim në dritën e hapësirave të mëdha, autentike dhe origjinale që ka pushteti i decentralizuar vendor në vendet demokratike, mund të themi se nuk ka fushatë reale të zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Në vektorin socialist tonin e japin premtimet e kryeministrit. Skenën e dominojnë përformancat e tij. Mendësia autokratike ka kohë që i trajton bashkitë gati-gati si Komitetet Ekzekutive te dikurshme, si kaza ideologjike, si xhepa, anekse  dhe zgjatime  të pushtetit qëndror, si ndërmarrje ku përkrah atyre që bëjnë punën, vegjetojnë njësitë e një ushtrie parazitësh që paguhen për të votuar Partinë Socialiste.

Në mbështetje të pohimit se decentralizmi i pushtetit vendor është reduktuar në një parullë boshe shkon edhe fushata që bëjnë shumica e  kryebashkiakëve të PS-së. Kreun e mburrjeve të tyre për çfarë kanë bërë dhe të premtimeve për çfarë do të bëjnë e zënë investimet e qeverisë qëndrore  dhe ato të sipërmarrjes private që  vet-vepron në logjikën e ekonomisë së tregut. Pak llogaridhënie  apo vizion për taksat vendore dhe përdorimin e tyre, për politikat  specifike të zhvillimit te vetë  bashkive në njësitë e saj.

Fushata e kandidatëve të aleancës “Berisha-Meta” imiton atë të Ramës sa i takon  karakterit thellësisht politik të saj. Nuk është surprizë.  Komportimin e Berishës si të ishin zgjedhje politike e përcakton qëllimi i tij parësor për të zhdukur PD-në  e kryesuar nga Enkelejd Alibeaj e për të marrë eskluzivitetin e opozitarizmit.  Me shpresë se mund ta përdorë për të negociuar sanksionimin e tij nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ndjekësit e tij dhe vetë Berisha  do të duhet ta provojnë se negocimi i sanksionimeve në kushte të tilla as ka ndodhur ndonjëherë e as ka për të ndodhur. E  kanë bërë të ditur disa herë zyrtarët e lartë amerikanë. Opozita jonë thjesht do të humbë një tjetër tren dhe një tjetër tren për të fituar zgjedhje.

Në tërësi, fushata për zgjedhjet vendore po thekson mungesën e identitetit të pushtetin vendor në  vendin tonë, lidhur ngushtë e gjithë kjo me krizën e thellë të decentralizmit. Si rregull, kriza  e parimeve shkon në një hap me krizën e shijeve. Kjo e dyta është hëm pasojë hëm nxitëse e së parës.  Për t’u mjaftuar me një shembull, apo me një gotë nga buti, siç thotë shprehja e njohur, le të sjellim në vëmendje kolonën zanore “ej ça bo, eja festo” të këngës së fushatës së PS-së . Prapa së cilës shohim tallavanë e festimit katërshe  të babëzisë, dhjamosjes mendore, varfërimit shpirtëror dhe banalitetit.