Kush po e merr Butrintin dhe lidhjet me aferën e Inceneratorëve!

29 Prill 2022, 14:24 / EDITORIAL NGA KLODIAN TOMORRI

Kush po e merr Butrintin dhe lidhjet me aferën e Inceneratorëve!

Marrëveshja që praktikisht e privatizon Parkun Kombëtar të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit përkatës është hartuar nga studio ligjore Tashko dhe Pustina. Ministria e Kulturës thotë në relacionin zyrtar se studio "Tashko dhe Pustina" e hartoi marrëveshjen sipas një kontrate sponsorizimi të lidhur në vitin 2020.

Flonja Borici, pronarja e studios "Tashko-Pustina" pasi hartoi marrëveshjen dhe pasi shkroi ligjin që ja jep Butrintin fondacionit të ngritur për këtë qëllim, papritur është emëruar në Bordin e Drejtorëve të Fondacionit. Bordi ka 5 persona në përbërje dhe do të kushtojë 140 mijë dollarë në vit.  

Pra zonja Borici, e cila bëri ligjin për t'ia kaluar parkun e Butrinit fondacionit të ngritur për këtë qëllim, do të marrë 28 mijë euro në vit nga fondacioni. Marshallah kontrata e sponsorizimit. Por kjo është vetëm antipasta.

Bordi emëron aparatin ekzekutiv që do të menaxhoje Parkun dhe ka vendimmarrjen kycce në aspektin financiar. Pra këta miratojnë investimet, shpenzimet e tjera dhe mbi të gjitha do të vendosin se si do të shpenzohen të ardhurat që do të gjenerohen nga parku.

Në planin e biznesit shkruajnë se bileta për të hyrë në Park do jetë nga 7 deri në 11 dollarë për vizitor, por Bordi ka tager që ta indeksojë atë sipas inflacionit. Pra ta rrisë deri në 30 për qind më shumë akoma. Para e madhe. Të kushton më lirë të hysh në muzeun e Uffizit në Firence.  

Tani nëse unë bëj një ligj që kalimi në rrugën Tiranë-Durrës të bëhet me pagesë dhe të ardhurat të menaxhohen nga një Fondacion ku unë të jem drejtor, ma pranon qeveria këtë? Se këtë ka bërë në rastin e Butrintit.

Ka dhe disa pyetje të tjera?

1-      A ka qenë studioja "Tashko dhe Pustina" studioja ligjore e inceneratorëve?

2-      A ka dërguar studioja "Tashko dhe Pustina" shkresa zyrtare për ndërprerjen e kontratave tek kompanitë furnitore të inceneratorëve, në emër të këtyre të fundit?

3-      A ka ankesa nga furnitorët e huaj, të cilit Klodian Zoto i ka lënë pa paguar për studion ligjore "Tashko dhe Pustina" pranë administratorit shtetëror që menaxhon sot kompaninë e sekuestruar të Klodian Zotos?

4-      Dhe më e rëndësishmja. A ka qënë studio ligjore "Tashko dhe Pustina" pjesë e negocimit të kontratës se inceneratorit të Tiranës me Bashkinë e Tiranës apo atyre të Fierit dhe Elbasanit me bashkitë respektive? Dhe nëse po, a do të sjellë kjo studio në Parkun e Butrintit të njëjtën eksperience pozitive në mbrojtjen e interesit publik ashtu si eksperienca impresionuese e inceneratorëve?

Unë i di përgjigjet e këtyre, por është qeveria që duhet të bëjë transparencë për qytetarët.

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128