Opozita e errësirës dhe alternativa Basha!

20 Tetor 2023, 20:24 / IDE NGA ERMAL PEçI

Opozita e errësirës dhe alternativa Basha!

Ajo që dje u propagandua me të madhe në media nga grupi i Rithemelimit dhe nga grupi i Bardhit sesi ky bashkim do t'ju sillte shpresën shqiptarëve u rikthye edhe njëherë në rrethin vicioz të tragjikomedisë së saj. Para se të niste kjo seancë plenare përpara parlamentit një grup pensionistësh edhe minatorësh po protestonin për pensionet dhe statusin e minatorëve.

Një e drejtë e munguar prej vitesh që ka fajtor të gjitha forcat politike. Oerd Bylykbashi u afrua për t’i dëgjuar, por mori reagime aspak miqësore, e larguan duke e bërë bashkëfajtor për situatën ku ndodhen. Seanca nisi ashtu siç ishte paralajmëruar me deputetët e Rithemelit, të cilët zunë e vendet e ministrave të Ramës. Revolucioni goditi në zemër të pushtetit. Tek karriget.

Pikërisht për ato të shkreta bëhet lufta e vërtetë e pushtetit. Në lëvizjet e tyre për të furnizuar me karburant politik revolucionistët dhe qytetarët që në 14 maj u distancuan nga dyshja politike Berisha-Meta.

Krijuan çdo mekanizëm për të dalë para qytetarëve në media, si kundërshtarët e egër të regjimit. Qershia mbi tortë, e cila e kthente sa komike, por dhe tragjike ishte video që u shpërnda nga vetë deputetët që mbështesnin Berishën, të cilët në errësirën e parlamentit dëgjonin këngën "Mora Fjalën", himnin e ri të kombëtares sonë së futbollit, kënga e cila i kushtohet heroit tonë legjendar Adem Jasharit.

Një rreth vicioz politik i përsëritur herë pas here duke përsëritur të njëjtin rezultat, tashmë nuk jep më shpresë për qytetarët dhe demokratët. Zhurma politike dhe shashkat mediatike triumfojnë mbi qëllimin që ka politika në vetvete, për të kryer reforma të qënësishme, të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarit dhe politikbërjen në tërësi. Kur opozita e errësirës zinte karriget e ministrave të Ramës edhe secili në rresht dilte në facebook-un e Berishës për të goditur regjimin, KKRT ndërkohë miratoi kullën 64 të Ilir Shtufnit. Një kullë ku Berisha nuk ka dhënë asnjë përgjigje për akuzat e PD-së dhe tashmë kjo kullë është në SPAK duke u hetuar për pastrim parash.

Dita nisi edhe bitisi me akuzat e Berishës ku paralajmëroi përshkallzim të situatës politike madje deri në grevë urie të deputetëve, të cilët e mbështesin.
Pyetjet që lindin janë: A është kjo fotografia e opozitës që duan shqiptarët? A është kjo fotografia 30-vjeçare e opozitës, e cila në vend të reformave prodhon zhurmë, fast food politik dhe përsërit vetveten pa prodhuar rezultat?

Këto janë pikëpyetjet që lindin në kokën e çdo qytetari dhe votuesi të djathtë. Në përballjen me ish-liderin e PD-së, i cili u shpall non grata nga SHBA-të, kryetari i PD-së është rritur shumë në aspektin politik. E ka kuptuar që për të çmontuar sistemin zhurma politike nuk është zgjidhje, pa implementuar reforma dhe pa pasur një kohezion politik të qëndrueshëm nuk mund ta çmontosh një sistem politik, i cili është i çimentosur nga korrupsioni, nepotizmi dhe oligarkia financiare.

Sot kaloi në heshtje gjithçka, por një amendament i dorëzuar nga Partia Demokratike dhe Lulzim Basha është një hap shumë i rëndësishëm për të shpëtuar nga baltosja dhe thashethemet politike, të cilat janë kthyer në kryefjalë.

Një amendament që do të ndryshojë ligjërimin publik të politikës e sidomos të deputetëve që shpeshherë i janë shmangur ligjit dhe gjykatës përballë akuzës për shpifje.

Amendamenti i iniciuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, do të sanksionojë me ligj që deputeti përballë veprës penale të shpifjes të jetë përballë ligjit njësoj si çdo qytetar tjetër i këtij vendi pa asnjë mbrojtje ekstra ligjore siç ka ndodhur deri tani.

Pra, deputetët do të jenë përballë ligjit dhe jo koracës politike që deri tani i ka mbajtur larg ndëshkimit ligjor edhe kur e kanë konsumuar publikisht veprën penale të shpifjes.
Ky amendament i jep fund teatrit politik ku deputetët luajnë dhe marrin role me akuza të ndërsjellta duke iu shmangur përgjegjësisë ligjore e duke bërë teatër përpara qytetarëve ndërsa vazhdojnë agjendën e tyre të darkave çdo natë.

Prandaj përtej fast food-it politik të zhurmës, baltosjes pengmarrjes së vërtetë dhe show-t mediatik, qytetarët e kanë një parti, e cila po merr hapa konkretë për ta pastuar moçalin tonë nga errësira parlamentare që ka mbërthyer sistemin e saj nevralgjik në çdo qelizë të shtetit shqiptar.
Shfaqje të tilla primitive nuk kanë asgjë të ngjashme me konceptin evropian apo politikën evropiane.
REND, LIGJ DHE FAIR PLAY NË PROPOZIME ALTERNATIVASH.

Po ndodh...

ide