PD, parti e busullës euroatlantike

19 Prill 2023, 14:38 / IDE ALFA PRESS

PD, parti e busullës euroatlantike

Dëshiroj ta nis këtë fjalë përshëndetëse duke evokuar një episod nga shkurti i vitit tashmë të largët  1991, dy muaj pas themelimit të PD-së. Mua, si drejtor i shtypit, Eduard Selamit si Sekretar i Përgjithshëm, Edmond Trakos si anëtar i Komitetit Drejtues na ra nderi i papërsëritshëm të prezantonim për herë të parë në Europë Partinë Demokratike të Shqipërisë, në një vizitë të organizuar nga Idriz Basha dhe bashkëshortja e tij, Kimeta Basha Mitrovice, përfaqësues shumë të kultivuar të emigracionit antikomunist shqiptar në Perëndim.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Bruksel, përveç takimeve të planifikuara, Idrizi na krijoi  mundësinë  të takonim diplomatë amerikanë atje, ndërkohë që një tjetër emisar i shquar i emigracionit politik në SHBA, Sejfi Protopapa, kishte kaluar oqeanin dhe kishte ardhur në Bruskel për të na bërë të njëjtën pyetje si ajo që na bënë diplomatët amerikanë:

Pyetja ishte: Cili ishte interesi ynë si PD në lidhje me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA: ti rivendosnim para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve të 31 marsit?

Ishte një pyetje respekti për forcën e re politike, që u ishte bërë nga drejtime të tjera Azemit,  Berishës dhe Pashkos gjithashtu. Përgjigja jonë në Bruksel ishte:  “Menjëherë, që nesër”. E tillë edhe e kolegëve të tjerë  nismëtarë në Tiranë.

Nuk kishin patur nevojë të mblidheshim dhe të diskutonim. Përgjigja  ishte në atë se pse ishim krijuar dhe pse ekzistonim  si parti. Përgjigja ishte në vetë statutin e themelimit të PD-së si parti perëndimore.

Përgjatë tri dekadave të jetës së saj, PD ka përjetuar divergjenca të brendshme të llojllojshme, përplasje, ndarje, bashkime, ndarje përsëri  kryesisht  për çështje të diversitetit të mendimeve dhe qëndrimeve  në Parti.

Për herë të parë  nga shtatori i vitit 2021, PD filloi dhe vazhdon të përballet për një çështje të pangjashme me të mëparshmet, që sipas pikëpamjes sime,  është përtej  diversitetit normal që duhet të karakterizojë e mbajë të bashkuar një  parti demokratike.   Është çështje e  orientimit, thënë ndrydhe, e  asaj se më ke është PD dhe kush është me PD-në në botë sot, kë don ajo dhe kush e don atë? Do të jetë partia që SHBA, BE dhe Perëndimi njohin  si aleaten dhe partneren e tyre  perëndimore apo një Parti së cilës  do ti mbyllen dyert në Uashington, në Londër dhe në Europë,  nëse drejtimin e saj e merr dhe e mban mban një individ  i sanksionuar prej tyre non grata?

Për këtë ka ndodhur ndarja, për ketë vazhdon ndarja. Të tjerat janë sajime, spekulime, demagogji, tymnaje për të fshehur të vërteten.

Euroatlantizmi është një çështje madhore identitare dhe atdhetare për çdo forcë politike në Shqipëri. Për PD-në është  “të jesh a të mos jesh”.  PD është në  gjenezë dhe në gen vetëm euroatlantiste. Nëse nuk është euroatlantiste, nëse nuk është proamerikane dhe pro europiane  nuk është më PD.

Euroatlantizm nuk është servilizëm, as jesmenizëm.  Është shqiptarizëm, është demokraci. Është pasuri për ne para se të jetë e atyre që na e mundësojnë.

Nuk duhet  të lejojnë  që e djathta shqiptare  të pluskojë nëpër ekuivoke, mëdyshje apo në hipokrizi  për këtë. Do të ishte vërtetë e trishtë, pse jo e turpshme për të djathtën që euroatlantizmin  ta  përfaqësonte vetëm  e majta, trashëgimtarja e Partisë që izoloi vendin.

Që kjo të mos ndodhë, qëndron e do të qëndrojë deri në fund PD-ja perëndimore. Duhet ta  nënvizojmë  sërish: nuk mjafton të themi apo të duam ne të jemi euroatlantistë.  Duhet që edhe vendet e NATO-s të na njohin e pranojnë të tillë.

Në mbyllje, duke u rikthyer te evokimi që bëra në fillim të kësaj fjale, me shkon mendja se kur thamë “menjëherë” atëherë,  intuitivisht kishin menduar se  në një situatë të dhënë, orientimi, marrëdhëniet  me SHBA dhe BE  janë me të rëndësishme se vetë pushteti që shkon e vjen.

Në fakt pushteti në Shqipërinë demokratike  është një  degë që del nga trungu euroatlantist.

Të tjerët mund të përdridhen, ne jo.

Shumë prej miqve  tanë demokratëve  që nuk janë këtu,  të hutuar, të turbulluar,  apo të manipuluar  do ta kuptojnë se kjo është rruga e drejtë, e vetmja e duhur, e vetmja  e hapur.  Kam dëgjuar zotin  Roland Bejko tu thotë atyre: jeni e do të jeni të mirëpritur  të na gjeni në këtë rrugë dhe të bëhemi sërish bashkë sot, nesër, pasnesër. Jam shumë dakord me këtë.

Kjo kohë erdhi me dëme, por ishte edhe një sprovë. PD e drejtuar nga Alibeaj u ngjan në këtë moment  grupimeve krijuese që nuk është e thënë të jenë shumicë menjëherë,  por të jenë krenarisht  pakica  krijuese që  mban ndezur pishtarin e ideve të mira, që  cakton drejtimin dhe shpëton të ardhmen. Kjo është PD e busullës, jo thjesht e vulës apo e logos.

Kjo parti nuk pakësohet më. Vetëm mund të rritet e  duhet të rritet. Ndaj nga kjo tribunë dua t’u  drejtoj një thirrje  gjithë njerëzve të lirë e  të fortë, që ndajnë me ne këto qëndrime: të ndihmojnë  për shpërthimin dhe forcimin e PD-së, të votojnë numrin nëntë, të votojnë  kandidatët e saj, të votojnë kandidatin e saj  për bashkinë  e Tiranë,  zoti Roland  Bejko, personin  që me qartësinë, kurajon, qëndresën  dhe integritetin e tij e mishëron plotësisht historinë dhe rrugën e PD-së euroatlatike.

 

ide