Perëndimi po bie, por ne do ta bëjmë Shqipërinë Madhështore!

5 Mars 2025, 22:42 / IDE NGA ERL KODRA

Perëndimi po bie, por ne do ta bëjmë Shqipërinë

Më 20 Janar 2025 Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump vendosi të ndryshojë kursin e planetit drejt një të ardhmje të paqartë. Askush nuk e di se ku do të përfundojmë - në luftë apo në paqe. Papritur, armiqtë u bënë miq, ndërsa miqtë armiq. Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë Kanadasë, Meksikës dhe Europës ndërsa Vladimir Putin është kthyer në aleat dhe partner. Kjo nuk mund të ndodhte as në makthin më të errët.

Sonte Presidenti Macron mbajti një fjalim tronditës në Pallatin Elize. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e braktisën Ukrainën dhe Europën, duke shtuar se Rusia po teston kufinjtë e saj nga toka, ajri dhe deti. Sigurisht që gjuha e tij ishte paksa më e përmbajtur në lidhje me SHBA, por thelbi i qartë ky ishte. Ndërsa në Bruksel do të mblidhen shefat e ushtrive europiane.

E ardhmja është krejt e paqartë, sepse në bord kemi një pilot të paparashikueshëm, që kryen manovra të çmendura. Nëse për 45 ditë ia doli të përmbysë Europën, po për 45 ditë të tjera!?

Në Tiranë dhe në Prishtinë janë të zënë në banalitetin e tyre. Hajdutët e Tiranës po lumturohen se mund të shkrijnë SPAK-un, por ndëkohë janë në terr se çfarë suprize do t'u rezervojë fati. Amerika "iku" - por a do vazhdojë Europa, që edhe vet është në telashe? SPAK vazhdon i qetë, por koha nuk pret. Kush pret zgjedhjet për 60 ditë, kur për 45 ditë Donald Trump përmbysi perëndimin!?

Trumpistët janë bërë putinist dhe anasjelltas. Më interesantët janë ata që shajnë Ukrainën dhe tallin Volodomir Zelensky. Nuk do ta kisha besuar se tek ne do kishte kaq shumë rosofil.

Shqiptarët rrezikojnë Kosovën. Jo veriun, jo gjysmën, por të gjithë Kosovën, madje rrezikon edhe Shqipëria. Sepse po bie rendi mbi të cilën ne kishim siguruar mbijetesën. Po bie Perëndimi, dhe sigurisht, bashkë me Perëndimin do të biem edhe ne.

Në fakt shpresa jonë e vetme mbetet Europa, Britania e Madhe dhe Turqia. Por nuk e dimë nëse do të kenë kohë të merren me ne.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë madhështole.
Me Edi Ramën Kryeministër dhe Sali Berishën Kryetar Opozite.