Mashtronin shtetasit përmes Call Center-ave, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 8 të pandehurit

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 të pandehur, të akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj shtetasve gjermanë, të kryer përmes një skeme të organizuar Call Center-i.
Sipas njoftimit zyrtar, prokuroria ka dorëzuar në GJKKO kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 42 të vitit 2024, ku të pandehurit akuzohen për veprën penale “mashtrim kompjuterik” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Mes të akuzuarve janë Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi, si dhe Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani. Gjithashtu në dosje figurojnë edhe Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi.
Hetimi ka nisur mbi bazën e një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Përgjithshme e Karlsruhe në Gjermani, pas një rasti mashtrimi të organizuar ndaj shtetasve gjermanë.
Sipas dosjes, skema është zbuluar pas një tentative mashtrimi ndaj një shtetaseje nga Freiburg, të cilës i ishte kërkuar një shumë prej 120 mijë eurosh. Policia gjermane ka arritur të parandalojë transferimin e parave, ndërsa hetimet më pas kanë identifikuar rrjetin kriminal.
Autorët dyshohet se përdornin teknologji të sofistikuara si “caller ID spoofing”, “VoIP” dhe “VPN” për të fshehur identitetin dhe për të kryer telefonata mashtruese. Hetimet kibernetike kanë çuar në identifikimin e lidhjeve edhe nga territori i Shqipëri, përmes IP-ve të kompanive të internetit.
Në kuadër të hetimeve është zbuluar edhe një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina” në Tiranë, ku gjatë një kontrolli të zhvilluar në prill 2024 janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale.
SPAK bën me dije se dëmi i dokumentuar për 14 viktima në Gjermani arrin në rreth 363 mijë euro, ndërsa qindra tentativa të tjera mashtrimi janë parandaluar falë ndërhyrjes së autoriteteve gjermane.
Në përfundim të hetimeve, gjykata ka caktuar më herët masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi” për disa nga të dyshuarit, ndërsa një prej të hetuarve është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri.
Po ndodh...
Denoncimi i berishizmit është parakusht për denoncimin e pushtetit
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128