Media franceze: Të rinjtë sfidojnë Ramën dhe Berishën, kërkojnë fundin e pazareve politike

21 November 2026, 12:24 / POLITIKË ALFA PRESS
Media franceze: Të rinjtë sfidojnë Ramën dhe Berishën,

Një vështrim nga Franca mbi zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ku mobilizimi i të rinjve po shihet si një nga shenjat më domethënëse të kërkesës për ndryshim demokratik. Në një analizë të publikuar në median franceze Ouest-France, politologu Christian Lequesne, profesor në Sciences Po, e vendos Shqipërinë dhe Serbinë në të njëjtën tablo të pakënaqësisë qytetare, duke vënë në qendër luftën kundër korrupsionit, kërkesën për institucione transparente dhe kundërshtimin e marrëveshjeve klienteliste mes elitave politike.

Autori ndalet veçanërisht te zhvillimet në Shqipëri, ku, pavarësisht thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pushteti vijon të mbetet në duart e tij. Por, sipas Lequesne, mesazhi i të rinjve nuk i drejtohet vetëm qeverisë, por edhe opozitës së drejtuar prej vitesh nga Sali Berisha. Në analizë, ai nënvizon se brezi i ri nuk dëshiron më marrëveshje politike dhe ekonomike mes njerëzve të së njëjtës elitë, ndërsa i kërkon Bashkimit Evropian të mos e braktisë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Artikulli i plotë

Dritëza demokratike në Ballkanin Perëndimor

Rinia është në revoltë në të gjithë Evropën, por arsyet e mobilizimit të saj ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në Shqipëri dhe Serbi, kërkesa kryesore e të rinjve protestues është konsolidimi i demokracisë. Në të dyja vendet, motoja kryesore është: Jo korrupsionit!

Në Serbi, Lista Studentore ka fituar zgjedhjet përballë partisë nacionaliste të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili deri atëherë konsiderohej i pamposhtur. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama vijon të qëndrojë në pushtet, pavarësisht thirrjeve për dorëheqje. Megjithatë, të rinjtë i kanë përcjellë atij një mesazh të qartë, ashtu si edhe partisë kryesore të opozitës, e drejtuar prej vitesh nga lideri i vjetër Sali Berisha: Nuk duam më “pazare” dhe marrëveshje mes miqsh.

Kjo rini e Ballkanit përbën një rreze shprese për demokracinë në Evropë. Ajo kërkon institucione transparente dhe liderë me integritet. Për këtë arsye, është e rëndësishme që kësaj rinie t’i jepet një përgjigje, duke mos i mbyllur derën shpresës së saj kryesore: anëtarësimit një ditë në Bashkimin Evropian (BE).

Megjithëse në Francë pothuajse nuk zhvillohet debat mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel, çdo javë zhvillohen negociata për anëtarësim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Kritikat ndaj diplomacive

Komisioni Evropian është detyruar të negociojë me qeveritë që janë aktualisht në pushtet. E njëjta gjë vlen edhe për shtetet anëtare të BE-së. Këto të fundit, në disa raste, kanë treguar tepricë tolerance në emër të stabilitetit të marrëdhënieve dypalëshe. Kritikat e diplomacive franceze dhe italiane ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk kanë qenë veçanërisht të forta gjatë viteve të fundit.

Pas fitores së Listës Studentore, në Serbi do të ndryshojnë edhe përfaqësuesit qeveritarë me të cilët zhvillohen negociatat. Duke qenë se objektivi i tyre kryesor është rivendosja e shtetit të së drejtës, kjo do t’u japë një peshë tjetër negociatave me Bashkimin Evropian.

Në Shqipëri, situata paraqitet më e ndërlikuar. Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama ka qenë në gjendje të pranojë reforma ambicioze me kërkesë të Bashkimit Evropian, siç është verifikimi sistematik i integritetit të gjyqtarëve. Nga ana tjetër, ai mbron në masë të madhe interesat ekonomike të njerëzve të tij të afërt.

Tashmë, BE-ja ka mundësinë t’i kujtojë kryeministrit shqiptar domosdoshmërinë për t’i dhënë fund këtij klientelizmi të vjetër.

“Gabimi do të ishte të thuhej jo”

E gjithë kjo është thelbësore që proceset e anëtarësimit të pranohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Por gabimi do të ishte të thuhej jo.

Duhet dëgjuar mesazhi proevropian që po përcjellin të rinjtë shqiptarë dhe serbë, si dhe duhet ndihmuar ata që ta shndërrojnë këtë mesazh në realitet në vendet e tyre.

Përndryshe, ekziston rreziku që kjo rini, e zhgënjyer, të përfundojë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Në këtë rast, modeli politik që do t’u ofrohej nuk do të ndihmonte aspak në reformimin demokratik të vendeve të tyre.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se Ballkani është pjesë e Evropës. Mjafton të bisedosh për disa minuta në Tiranë apo Beograd për ta kuptuar këtë.

Të mos harrojmë ata që ende besojnë te vlerat e këtij kontinenti.

Linku i artikullit

https://www.ouest-france.fr/reflexion/point-de-vue-lueurs-democratiques-dans-les-balkans-occidentaux-f1f1824e-e41e-11f1-a3b1-0c6de532ce7d


Përshtati në shqip alfapress.al

Po ndodh...