Pezullimi i Belinda Ballukut: Vendim brenda ligjit, jo shkelje e Kushtetutës

Debati publik pas pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Energjitikës është fokusuar në orët te fundit te tek pyetja në është ky vendim shkelje e Kushtetutës?
Përgjigjja e saktë, mbi bazë të ligjit dhe praktikës gjyqësore, është jo. Pezullimi është një masë plotësisht kushtetuese, e parashikuar nga ligji dhe e zbatuar në përputhje me kompetencat që Kushtetuta i njeh pushtetit gjyqësor.
Thelbi i çështjes qëndron tek neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, i cili i jep gjykatës të drejtën të pezullojë nga detyra personin e proceduar, kur ekziston rreziku që ai, me vazhdimin e funksionit, të pengojë hetimin, të ndikojë tek vartësit apo të prishë provat. Ky nen nuk bën asnjë përjashtim për anëtarët e qeverisë dhe nuk ka asnjë kufizim kushtetues që e ndalon aplikimin e kësaj mase ndaj ministrave. Arsyeja është e qartë: Kushtetuta i konsideron ministrat funksionarë të emëruar, jo të zgjedhur nga populli. Neni 103 i Kushtetutës përcakton se ministrat emërohen nga kryeministri dhe dekretohen nga Presidenti, çka i vendos ata në kategorinë e zyrtarëve ekzekutivë, të cilët detyrimisht i nënshtrohen kontrollit dhe përgjegjësisë penale si çdo subjekt tjetër i ligjit.
Në të njëjtën mënyrë, argumenti i imunitetit nuk qëndron. Neni 73 i Kushtetutës u garanton imunitet vetëm deputetëve dhe vetëm për hetim-arrest, jo për masa të cilat lidhen me ushtrimin e detyrës ekzekutive. Imuniteti parlamentar nuk shtrihet mbi funksionin qeveritar: ai nuk e mbron një ministër nga pezullimi i detyrës nëse ekziston rreziku i pengimit të hetimit. Në këtë kuptim, pezullimi nuk prek mandatin e saj si deputete, nuk cenon përfaqësimin e popullit dhe nuk ndërhyn në vullnetin elektoral. Prek vetëm një funksion ekzekutiv që Kushtetuta vetë e ka vendosur nën kontrollin e ligjit dhe të gjyqësorit.
Nga ana tjetër, pezullimi nuk cenon as funksionimin e qeverisë dhe nuk krijon vakum kushtetues. Kushtetuta parashikon qartë se qeveria është organ kolegjial dhe funksionon edhe kur një ministër largohet, shkarkohet, dorëhiqet ose pezullohet. Kompetencat e një ministri mund të delegohen, ose kryeministri mund të propozojë një emër të ri. Asgjë në Kushtetutë nuk e lidh stabilitetin e qeverisë me prezencën e detyrueshme të një individi të vetëm, prandaj masa e pezullimit nuk prodhon asnjë efekt që mund të interpretohet si cenim i rendit kushtetues.
Nëse do të pranonim logjikën e kundërt, që një ministër nuk mund të pezullohet në asnjë rast, atëherë zyrtarët e nivelit më të lartë do të ishin praktikisht të paprekshëm, edhe kur dyshohen se po pengojnë hetimet për korrupsion. Kjo jo vetëm që do të ishte kundër frymës së Kushtetutës, por do të shndërronte imunitetin ekzekutiv në mburojë ndaj ligjit. Dhe pikërisht për këtë arsye legjislatori ka parashikuar mundësinë e pezullimit si një masë të përkohshme, të drejtuar jo kundër demokracisë, por në mbrojtje të saj.
Në kontekstin europian, pezullime të tilla janë të zakonshme. Italia, Rumania, Kroacia, Çekia dhe Franca kanë aplikuar të njëjtën praktikë ndaj ministrave, kryetarëve bashkish dhe zyrtarëve të lartë kur ekzistonte rreziku i cënimit të hetimeve. Në të gjitha këto raste, gjykatat kanë vlerësuar se pezullimi është një masë që garanton ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e shtetit ligjor, jo një ndërhyrje arbitrare mbi ekzekutivin.
Prandaj, për pyetjen e madhe që është bërë sot se a është pezullimi i Belinda Ballukut shkelje e Kushtetutës, përgjigjja është e qartë, e argumentuar dhe e padiskutueshme: jo. Është një masë ligjore, kushtetuese, proporcionale dhe në përputhje me standardet e vendeve të BE-së. Në një shoqëri ku për vite me radhë kemi dëgjuar ankesa për pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, fakti që drejtësia vepron ndaj një figure kaq të rëndësishme nuk është kërcënim ndaj demokracisë, por është dëshmi se demokracia më në fund po fillon të funksionojë.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
