Lajme flash

Pse LaCivita i duhet Berishës "nongrata" më shumë në SHBA, se sa këtu si "hajmali" për militantët!

12 Prill 2025, 18:47 / IDE NGA ERSID KARAJ

Pse LaCivita i duhet Berishës "nongrata" më shumë

Që të ndjehej më i dobishëm për demokratët dhe të pavendosurit, a duhej që LaCivita të lobonte për heqjen e Non-Gratës dhe jo me mbështetësit e Berishës në Shqipëri? Dhe, për më tepër, a është realiteti amerikan njëlloj me atë shqiptar që LaCivita të thotë në Shqipëri atë që thoshte në fushatën e Trump në SHBA?

LaCivita, sigurisht, këtu nuk do t'i bëjë vota Berishës, por shihet qartë që pranishmëria e tij sjell idenë që shqiptarët të harrojnë faktin e Non-gratës së tij gjatë kësaj fushate. 

Për shumë nga ata që kanë parë nisjen e fushatës dhe mënyrën se si e priti Berisha, dhe që besojnë se LaCivita është shtylla e fortë për rrëzimin e Ramës, nga PD me në krye Berishën, ai duhet të lobojë si "strateg" në Amerikë për t'i hequr Non-gratën, pastaj të shprehë mbështetjen e pakufishme Amerikane.

Por përse i duhet Shqipërisë ndikimi i tij elektoral në prani të Berishës? Nëse Berisha do vërtetojë me mbështetjen e votuesve rikthimin në pushtet, për këtë nuk i nevojitet asnjë "Sherif" i botës, por shqiptarët. Kjo edhe për faktin se, prania e ndonjë "ndërkombëtari", qoftë edhe shumë pranë Presidentit Amerikan, nuk ka më atë fuqinë e dikurshme të fillimit të demokracisë, ku të huajt kishin fuqinë pasi tregonin anën e kundërt të braktisjes në diktaturë.

Ajo që mund të ishte e fortë, sidomos kur Rama premton të pamundurën, që nuk varet prej tij, integrimin në BE, PD mundet që të tërhiqte më shumë me slloganin - Shqipërinë e bëjmë ne! 

Por Berisha duket qartë që ka vuajtur braktisjen që kur u shpall Non-Grata, ndaj dhe kërkon ta zhbëjë me praninë e bashkëstrategut të fushatës së Trump, që është i rëndësishëm, por që gjithsesi, deri më sot, nuk ka ndryshuar dot realitetin politik të Berishës, që i gëzohet ftesave si kreu i Partisë Demokratike, por që vijon të jetë ende shumë larg takimeve si Sali Berisha me ndërkombëtarët. 

Nëse një ndërkombëtar, sado i rëndësishëm në vendin e tij, bëhet më i rëndësishëm se sa vetë liderët politikë, atëherë kjo tregon mosbesim ndaj vetes dhe ndaj popullit që mendon se do të të votojë. 

Për më tepër, PD ka armë përballë qytetarëve një premtim të pamundur të Ramës për vitin 2030 në BE, një premtim që tejkalon edhe mandatin për të cilën janë zgjedhjet e 11 Majit. Dhe ky premtim i Ramës vjen pasi ai nuk ka se çfarë të thotë për 12 vite në qeverisje ku shqiptarët vijojnë vetëm të largohen nga ky vend, duke rrëzuar atë që thotë qeverisja e Ramës për zhvillimin.

Pastaj, ka një pyetje të fundit - Kur LaCivita tha se socialistët mbajtën në burg Berishën, liderin e opozitës, siç ndodhi me Donald Trump në Amerikë, ai e kosnideron SPAK si të kontrolluar nga Rama apo “organizatë kriminale” siç e quan Berisha? Nëse është kështu, atëherë ai nuk ka lexuar mbështetjen që vendi i tij vijon t’i japë SPAK-ut.

Padyshim, dalja e LaCivita në fushatë ka entuziazmuar shumë mbështetës të PD. Por, a do vijojë të jetë e tillë kjo mbështetje kur ai nuk do ketë përgjigje për pyetjen që mund t’i bëjnë shumë gazetarë: Përse nuk i hiqet Non-grata Berishës?

Po ndodh...

ide