"Rrëfimi është Mbretëresha e provave"

24 Shtator 2022, 21:58 / IDE NGA ERL KODRA

"Rrëfimi është Mbretëresha e provave"


Kur kujton se çfarë dramash dhe tragjedishë kanë kaluar shqiptarët, kur kujton edhe vuajtjet post-traumatike që kanë përjetuar viktimat e Sigurimit, damkat dhe terrori që i ka përndjekur që në fëmijëri, por mbi të gjitha kur kujton se çfarë paradoksi i tmerrshëm është kur përfaqësohesh nga idiotë të dobishëm, që nuk e dinë se ç'thonë e çfarë bëjnë ...
***
Për shekuj me radhë, fraza latine "Confessio est regina probationum" (në shqip: "Rrëfimi është mbretëresha e provave") justifikonte përdorimin dëshmisë nën torturë në sistemin ligjor evropian. Veçanarisht gjatë mesjetës marrja e një rrëfimi nën torturë ishte procedur standard para gjyqit. Kështu, metoda e përdorur për të marrë rrëfimin ishte e parëndësishme, duke sanksionuar de facto përdorimin e torturës për të marrë rrëfimin e duhur.


Nga fundi i shekullit të 18-të, shumica e studiuesve dhe avokatëve e mendonin rrëfimin e detyruar (dëshminë nën torturë) jo vetëm si një relike të kohëve të shkuara dhe moralisht të gabuar, por edhe të paefektshme, pasi viktimat e torturës mund të rrëfejnë dhe pranojnë çdo gjë vetëm për të lehtësuar vuajtjet e tyre.


Zhvillimet në shekullin e 20-të, veçanërisht Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, reduktuan shumë pranimin ligjor të dëshmive të detyruara.
Për shtetin terrorist të Enver Hoxhës tortura ishte mjeti kryesor i marrjes së dëshmive. Sigurimi i Shtetit ishte kthyer në një përbindësh që shqyente jetët e shqiptarëve, pa kursyer askënd dhe asgjë. Mjetet dhe metodat e përdorurua për të gjymtuar fizikisht njerëzit ishin mesjetare, çnjerëzore, degraduese dhe mizore. Në këto rrethana, çdo rrëfim, dëshmi ose "bashkëpunim" i siguruar nën shtrengim dhe torturë nuk ka vlerë juridike, për më tepër, vet akti është një krim i neveritshëm kundër njerëzimit.


Sigurimi i Shtetit ishte arma brutale e Partisë së Punës - organizatës që kontrollonte me dorë të hekurt të gjithë jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit. Vet shteti i përkiste Partisë së Punës - ndërsa partia i përkiste një njeriu - Enver Hoxhës. Përgjatë 50 viteve të diktaturës hoxhiane, Sigurimi i Shtetit ushtroi terror fizik dhe psikologjik mbi gjithë shqiptarët përmes vrasjeve, torturave, presionit, shpifjeve, burgosjeve dhe internimeve në masë. Metodat mesjetare të dhunës dhe torturave kishin për qëllim primar dehumanizimin e viktimave dhe terrorin psikologjik. Popullsia mbahej nën presion dhe ankth konstant, përmes një sistemi perfekt dhune dhe terrori. Mjetet dhe metodat e përdorura gjithmon ishin ekstra-ligjore - domethënë edhe në shkelje të vet ligjeve të kohës. Ato synonin që përmes këtyre metodave të përhapnin frikë dhe panik, duke goditur në linja vertikale gjaku brenda familjeve që konsideroheshin, ose presupozoheshin si kundërshtarë të regjimit.


Nga pikëpamja ligjore, Sigurimi i Shtetit ushtronte veprimtarinë në një zonë gri, diku mes legales dhe ilegales, duke vepruar mes sekreteve të frikshme që vet i prodhonte, përmes shpifjeve, mashtrimeve dhe përndjekjeve tipike. Ata kishin ngritur struktura sekrete në të gjithë vendin, që nga Tirana deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë. Aktiviteti i tyre ishte paralegal, i pakontrollueshëm dhe i pakundërshtueshëm nga askush. Viktimat vetëm duhet të bindeshin - ata nuk kishin rrugë të mesme. Dyert e tyre hapeshin gjithkund, vet shteti ishte në funksion të oficerëve të Sigurimit. Në të vërtetë, ata ishin mbi shtetin.


Sigurimi i Shtetit dhunoi dhe përndoqi me qindra mijëra qytetarë përgjatë 50 viteve të aktivitetit, duke prodhuar me mijëra dosje për viktimat e tij. Krijimi i dosjeve ishte kthyer në qëllim në vetvete - njëlloj kurthi ku çdonjëri kontrollonte tjetrin, dhe ky tjetri, vëzhgohej nga të tjerët. Zixhiri ishte shtrirë në gjerësi dhe thellësi, deri në qelizën familjare. Në këtë mënyrë ushqehej forma më përçudnuese e terrorit psikologjik, ku të gjithë ishin nën survejim nga Sigurimi i Shtetit.


Dosjet e përndjekjes për qytetarët prodhoheshin eskluzivisht nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, bazuar vetëm mbi shantazhe, thashetheme dhe shpifje. Në të vërtetë kjo ishte edhe veprimtaria kryesore e Sigurimit, që vepronte në çdo pjesë të territorit. Ata kishin të dokumentuar qëndrimin e çdo familje të madhe ose të vogël dhe çdo individi, si dhe biografinë familjare dhe individuale deri në shtatë breza. Të ashtuquajturat organizata të masave, si Fronti Demokratik, Organizata e Gruas, Organizata e Rinisë së Punës së Shqipërisë, Organizata e Pionerëve, Organizata e Bashkimeve Profesionale, Ogranizata e Veteranëve, dhe në krye Organizata Bazë e Partisë së Punës ishin instrumentet përmes të cilave gatuheshin thashethemet, shpifjet dhe shantazhet publike. Një rrjet i mirë-organizuar survejuesish vëzhgonin jetën publike të çdo qytetari, kush shoqërohej me tjetrin, me kë pinte kafen, kush fejohej dhe kush martohej, kush dashurohej dhe cilat ishin lidhjet mes njerëzve. Të gjitha këto informacione përcilleshin tek Organizata Bazë e Partisë së Punës, e cila nga ana e saj piketonte armiqtë e mundshëm. Oficeri i Sigurimit të Shtetit (Operativi i Sigurimit) merrte informacion të detajuar për armiqtë e ardhshëm, ndërkohë që ai hartonte planin konkret se si do të fillonte përndjekja dhe shantazhi kundër kandidatit për armik. Ai mësonte gjithçka për viktimën e rradhës, çdo rrethanë personale, punën që bënte dhe rutinën e përditshme. Në të vërtetë, në shumicën e herëve këtë informacion e merrte të gatshëm nga partia dhe organizatat e masave.


Viktimës i krijoheshin rrethana të pamundura, të frikshme dhe të rrezikshme. Ai gjendej para shantazheve të paimagjinueshme përmes njerëzve të tij më të dashur - si nëna, vëllai, babai, motra, e fejuara ose gruaja. Kërcënimet se "partia di gjithçka" - duke i përmendur edhe detaje nga jeta e tij e mëparshme - ishte horrori psikologjik ku hynte viktima. Burgu i ardhshëm me akuzën për "agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor" - ishte kërcënimi standard, jo vetëm për viktimën, por edhe të afërmit e tij. Gjithçka ishte një thriller i kobshëm për viktimën, që gjendej para provës për të mbrojtur më të dashurit e jetës së tij.


Sigurisht që në rrethana të tilla ai do të pranonte të "bashkëpunonte" me Oficerin e Sigurimit - për të mbrojtur familjen e tij nga burgu, dhuna dhe terrori. Askush nuk është i gatshëm të sakrifikojë jetën e djalit, vajzës, gruas, nënës dhe babait - kur ata kërcënohen drejtëpërdrejt me burg të gjatë ose internim. Këto janë tmerret që kanë përjetuar të gjithë të persekutuarit politik në Shqipëri. Ky është një fakt lehtësisht i provueshëm me çdonjërën prej dosjeve të prodhuara nga Sigurimi i Shtetit.
Ato dosje janë një llahtar i vërtetë - që tregon ferrin që përjetuan me qindra mijëra shqiptarë krejtësisht të pafajshëm, qytetarë të mirë dhe patriotë që e kanë dashur me shpirtë vendin. Gjysma e tyre u burgos pa faj, gjysma tjetër u internua, ndërsa mbi 6000 njerëz u vranë brutalisht.
Në një analizë të thjeshtë ligjore, Dosjet e Sigurimit të Shtetit ishin një produkt kryekëput falls dhe i pavërtetë, ndërtuar mbi intriga, gënjeshtra, shpifje dhe trillime. Prodhimi i tyre nuk kishte për qëllim të zbulonte ndonjë armik të vërtetë të regjimit, por regjimi e kishte kthyer në qëllim fabrikimin e armiqëve. Ata i projektonin armiqtë mes njerëzve të ndershëm - me normë, domethënë, nga partia projektohej një numër armiqsh, të cilët tërhiqeshin në një vorbull kurthesh kriminale, për t'i mbajtur përjetësisht aty.


Dosjet e Sigurimit nuk përmbajnë asnjë të vërtetë për askënd - sepse vet produkti i mbledhur në ato dosje është i bazuar mbi shantazh kriminal, shpifje, dhunë dhe terror psikologjik. Në asnjë rast ato dosje nuk përmbajnë një të vërtetë të vetme që mund të kriminalizojnë dikënd si armik real i vendit të tij, qoftë edhe sipas kritereve që aplikonte Kodi Penal i kohës. Një kurth, shpifje, gënjeshtër ose rrëfim i marrë nën dhunë nuk mund të shërbejë si provë për të dënuar askënd, qoftë edhe sipas Nenit 55.
Sigurimi i Shtetit ishte një organizatë që kreu aktivitet të qartë kriminal kundër një pjese të popullsisë, përmes shantazhit, shpifjes, dhunës dhe terrorit. Ata prodhuan viktima - të burgosur, të internuar, të vrarë. Ata dokumentuan më së miri gjithë veprimtarinë e tyre kriminale përmes Dosjeve të Sigurimit - dokumenta këto të prodhuar përmes terrorit fizik dhe psikologjik - kryer kundër popullit shqiptar. Vet dosjet janë një produkt absolutisht i pavërtetë, rrjedhimisht edhe kriminal. Si përfundim, përmes këtyre dosjeve është lehtësisht e provueshme se Sigurimi i Shtetit ishte një organizatë kriminale që ka kryer krime kundër njerëzimit.


***
Megjithse veprimtaria e Sigurimit të Shtetit ishte qartësisht kriminale, megjithse ka qindra milion dokumente që provojnë katërcipërisht krimet e kryera kundër qindra mijëra shqiptarëve, kjo organizatë nuk është dënuar ndonjëherë, as politikisht, as ligjërisht. Paradoksalisht, vet produkti i veprimtarisë kriminale - viktimat e Sigurimit - vazhdojnë të kriminalizohen përmes Dosjeve të Sigurimit, të prodhuara nga vet Sigurimi - me bazë shpifjen, shantazhin, dhunën dhe terrorin. Ky është një ndër paradokset më të mëdha morale, politike dhe ligjore për një shoqëri.


Askush nuk mund të kriminalizohet, as të penalizohet, ose të privohet nga të drejta kushtetuese përmes dokumentave të prodhuara nga një organizatë kriminale; ndërtuar mbi baza krejtësisht të rreme, si: gënjeshtra, shpifja, shantazhi, dhuna dhe terrori.


Duke qenë se vet Dosjet e Sigurimit janë prodhuar nga një organizatë kriminale, përmes metodave kriminale, vet produkti kriminal - Dosjet e Sigurimit - nuk mund të legjitimohen, as të konsiderohen si prova kundër viktimave. Çdo akt legjislativ, që i konsideron si prova aktet kriminale të prodhuara nga Oficerët e Sigurimit të Shtetit, mbi bazën e të cilave njollosen viktimat, por jo kriminelët është i papranueshëm. Është moralisht e papranueshme dhe antiligjore që viktimat të vazhdojnë të vuajnë konseguencat e krimeve që kanë kryer Oficerët e Sigurimit të Shtetit.


Është e turpshme që një parti politike si Partia Demokratike shkon kaq poshtë dhe larg, kur sot pas 32 vitesh, pasi viktimat e komunizmit humbën rininë e tyre burgjeve dhe internimeve, sot të linçohen përsëri nga "partia e tyre", duke mbetur armiqtë e përjetshëm. Turpi u mbuloftë edhe majat e flokëve kur kujton se asnjë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, ish-Kryetar Dege, ish-Ministër, ish-Zv.Ministër, ish-Drejtor Drejtorie, Hetues, Prokuror ose Gjyqtar nuk është dënuar për krimet e kryera, megjithse gjithë Shqipëria ishte një skenë gjigande krimi.


Kur kujton se çfarë dramash dhe tragjedishë kanë kaluar shqiptarët, kur kujton edhe vuajtjet post-traumatike që kanë përjetuar viktimat e Sigurimit, damkat dhe terrori që i ka përndjekur që në fëmijëri, por mbi të gjitha kur kujton se çfarë paradoksi i tmerrshëm është kur përfaqësohesh nga idiotë të dobishëm, që nuk e dinë se ç'thonë e çfarë bëjnë ...

Po ndodh...