
Shqiptarët duhet ta tejkalojnë polarizimin e vjetër dhe të remë, Rama-Berisha, më 11 Maj

Shqipëria është lodhur nga një cikël i pafundëm i të njëjtave fytyra, të njëjtave premtime dhe të njëjtave dështime. Më 11 Maj, shqiptarët kanë një mundësi për të dalë nga kjo rrugë pa krye, sepse nuk mjafton të thuhet vetëm se “Rama duhet të iki”, por është po aq e rëndësishme të kuptohet se “Berisha s’duhet të vijë”.
Shqipëria është shndërruar në një vend ku qeverisja e Ramës ka zhbërë çdo kontroll mbi pushtetin, ndërsa opozita e Berishës është reduktuar në një lëvizje të udhëhequr nga interesat e tij dhe të klanit të tij personal.
Kur Rama e pasuron veten dhe rrethin e tij me paratë e taksapaguesve, duke vjedhur gjithçka publike dhe duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi, Berisha i mban militantët të lidhur pas një iluzioni ndryshimi që nuk do të vijë kurrë nën drejtimin e tij, për shkak se nuk mund të ketë ndryshim pa ikur ai që është vetë problemi.
Që të dy e mbajnë pushtetin jo përmes vizionit apo ideve, por përmes kontrollit nëpërmjet interrsave të ngushta mbi njerëzit që i ndjekin, duke i polarizuar në mënyrë të gënjeshtërt dhe duke i ushqyer të tjerët me propagandë boshe.
Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se shumë nga ata që sot përfitojnë nga qeverisja e Ramës, janë të njëjtët që u fuqizuan gjatë viteve të pushtetit të Berishës, ndërsa mediat e kontrolluara nga pushteti i sotëm janë të njëjtat që nuk e lënë Berishën të dalë nga skena, duke mbajtur në këmbë këtë dualizëm ekstrem.
Mos të harrojmë se Rama do të hetohet për korrupsion, kurse Berisha po gjykohet si i korruptuar, prandaj njëri e sheh SPAK-un si një kërcënim të ardhshëm, tjetri është tashmë në bankën e të akuzuarve. Prandaj pyetja që shtrohet është pse duhet të zgjedhin shqiptarët mes dy figurave që janë të lidhura kaq fort me korrupsionin dhe kanë kaq frikë nga drejtësia, duke e trajtuar atë si armikun e tyre të përbashkët?
Si përfundim, gjatë kësaj periudhe Edi Rama bëri gjithçka për të mbajtur në politikë Berishën, sepse vetëm Berisha në kushtet e sotme, mund të mbante në pushtet Edi Ramën.
Shqipëria nuk mund të mbetet peng i këtij cikli të pafundëm. Më 11 Maj, shqiptarët duhet të tregojnë se duan një të ardhme jashtë këtij dualizmi të shterpët. Përtej Ramës dhe Berishës ka një Shqipëri që meriton një drejtim të ri. Ka ardhur koha që shqiptarët të mos zgjedhin më mes dy të këqijave, por të kërkojnë një alternativë të vërtetë.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128