Sistemi Inxhinierik i Propaganës Rama-Berisha

5 Nëntor 2023, 22:19 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Sistemi Inxhinierik i Propaganës Rama-Berisha

Tashme po zgjatet përtej çdo limiti të tolerancës që një mendje racionale mund të ofrojë, teatri në parlament mes Ramës dhe Berishës. Nesër rinisin punët në komisionin e ekonomisë në Kuvendi, dhe është lajmëruar, se punimet do të mbahen online në platformën Zoom, pasi është një gjendje "e jashëzakonshme".
 
Por realisht çfarë është e jashtëzakonshme?!. Ka vërtet baza solide për një konfikt real dhe substancial?!

Në fasadë të konfliktit të deputetëve të Berishës, (sepse ata janë deputetë tashmë të Berishës, askujt entiteti politik tjetër), shfaqet konflikti për mospranimin e komisioneve parlamentare nga ana e PS, të propozuara nga deputetët e Berishës. Diskrepancat për këtë çështje, derivojnë në konflikt banal me përmbysje karrigesh dhe flakadane, sipas shpjegimeve publike të eksponentëve të Rithemelimit.

A qëndrojnë këto shpjegime?
 
Përgjigjen  e kësaj pytje e gjejmë në kontraditën që ka mes artikulimit të deputetëve të Berishës dhe veprimeve të tyre:

Ata thonë se është e drejtë kushtetuese ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, nësë plotësohet kuorumi prej 45 deputetëve që firmosin për këto komisione. Kjo sepse kështu është sanksionuar në kushtetutë.
Nëse është kështu, kaq e qartë dhe shteruese në kushtetutë, atëherë lind pyetja:
Përse një konflikt kushtetues nuk zgjidhet shpejt dhe qartë, me efiçensë dhe pa humbur kohë e energji në Gjykatën Kushtetuese?

Si mund te zgjidhet një problem kushtetues, jashtë gjykates kushtetuese por duke përmbysur karrige, lëshuar flakadane e tymuese në Kuvend apo edhe më keq me imitime të skeçeve te Pallatit 176, ku Jovan Bregun e zëvendëson Berisha e shokun Perikli,Gazment Bardhi?

Një problem ligjor zgjidhet në instancat e ligjit, një problem shëndetësor në shëbimet e mjeksisë si spitalet, një çështje ekonomike zgjidhet në institucionet financiare apo në negociata biznesi... por kur të është dëmtuar këmba nuk protestohet me përbysje karrigesh, por shkohet te mjeku te habitati adekuat për zgjidhjen. Është e njëta logjikë që aplikohet edhe në rastin aktual... nëse të është mohuar.
E drejta kushtetuese zgjidhe te tempulli i kushtetutës, në gjykatën e e specializuar për të drejtën kushtetuese.
 
Por përse zgjidhet te hidhen flakadanë e të thyhen karrige, pa gjetur zgjidhje por duke zgjatur teatrin primitiv i cili ngjan me një manifestim injorance?!
 Përgjigjia është e thjeshtë:

Berisha nuk ka objektiv komisionet parlamentare, por konfliktin dhe destabilizimin. Përse?

Për ti treguar faktorit ndërkombëtarë dhe drejtësisë, se ai është ende një mal i madh vullkanik i cili po u ‘’gacmua’’ nga drejtësia, mund të shpërthejë llavë dhe të djeg gjithë vendin. Komisionet parlamentare janë vetëm justifikimi që Berisha po përdor për të treguar fuqinë e tij destabilizuese dhe vullkanike e djegëse.

Mirëpo deri më sot, ka treguar që është shume larg të qenit një Vullkan djegës me llavën e tij, por një oxhak i vjetër i një furrnaje të shkatërruar që bën shumë zhurmë nën sfondind akustik të zërave të hollë të Gazmend Bardhit dhe Saimir Korreshit, dhe i vetmi destabilitet që mund të shkaktojë është përmbysja e disa karrigeve...asgjë më shumë.

Është një sistem inxhinierik që tenton të krijojë propagandë, të sundojë masat sikur Berisha është monopoli i fuqisë opozitare në Kuvend dhe kështu të formësoje perceptimin te masat se ai është opozita dhe simbolika e pluralizmit, se qëndrimi i tij si figurë e vetme imune nga drejtësia është vetë mbijetesa e demokracisë.
 
Terminologjia e kësaj tentative të dëshpëruar, quhet obstruksionizëm dhe ka një qëllim: Parandalimin e funksionimit të një shteti.

Por që ky sistem inxhinierik i krijimit të propagandës të funksionojë, duhet edhe një pjesë tjetër: Një aktor që të luajë rolin e viktimës dhe mundësisht të legjitimojë fuqinë destabilizuese të Berishës. Mjeshtërisht ky aktor është Edi Rama.
Gjykata Kushtetuese në disa raste si në 25 Prill, mori vendim pas kërkesës së deputetëve të opozitës të cilët kërkonin rrëzimin e votimit të 14 tetorit 2021 në Kuvend, pasi nuk u pranua ngritja e komisionit për çështjen ‘Becheti’,  se jo me çdo objekt legjitimohet ngritja e komisionit, pasi Kuvendi nuk mund të jetë një super organ që të deligjitimojë institucionet e tjera. Pra ka hapësira për konsulencë në gjykatë kushtetuese.
 
Pra Rama e di fare mirë që ka hapësirë ligjore ti rrëzojë Berishës ‘’kauzën fasadë’’ të konfliktit, por nuk ndërmerë asnjë akt ligjor për ta demontuar, përkundrazi ai është mekanizmi komplementar ideal për teatrin e Berishës. Berisha kërkon situatë konfliktuale, Rama i çon disa deputetë të bëjnë një lloj konflikti teatral…me çdo kusht kërkon ta faktorizojë si element destabilizues Berishën para Shqiptarëve.
Berisha kërcënon me dhunë në komisionet parlamentare, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe thërret punimet online… qesharakë. As Berisha nuk është faktor dhune se nuk ka fuqi, as gjendja nuk është e jashtëzakonshme…është thjeshtë qesharake.
 
Ndërkohe Rama vazhdon me lojën e pisët që Partisë Demokratike nuk i jep atë që i takon: Të reflektojë vendimet e Partisë Demokratike për përjashtimet e deputetëve dhe njohjen e grupit të saj parlamentar… po kalon në absurd, duke diskutuar nëse është partia e deputetëve, apo deputetët e partisë?!
 
Përse?

Sepse sistemi inxhinierik I propagandës është një mekanizëm me dy pjesë, Berishën dhe Ramën që bëjnë sikur konfliktohen, sikur është bllokuar funksionimi i kuvendit dhe përfitimet janë po ashtu në të dyja pjesët:
 
Nëse Berisha, edhe pse komplet jashtë orbitës të Partisë Demokratike, formëson perceptimin sikur ai ende është pjesë e saj…Rama me një qeveri të degraduar në krim dhe skandale korrupsioni, tërheq çdo vëmendje nga plagët që po i shkakton vendit keqqeverisja e tij, dhe i ofron qytetarëve Cirk e teatër, ku ai është personazhi më pak negativë dhe I konsumuar.
 
Ky mekanizëm propaganda, ka kristalizuar përpara opinionit public bashkëpunimin që Berisha dhe Rama bëjnë për të goditur partinë demokratike, ta mbajnë ende nën kthetrat e Berishës dhe ta lidhin fatin e saj me problemet që Berisha ka me drejtësine, burgun, prangat dhe kërcitjen e tyre sa herë që përmendet një aferë korrupsioni. Në fakt ky do jetë boomerang për dyshen Rama Berisha, pasi sa më shumë Berisha të zhytet në dënimet e drejtësisë, aq më lart dhe moralisht legjitime do ngrihet partia demokratike e shkëputur prej tij.

Po ndodh...

ide