Të ishte për Ramën, vula do hipotekohej sot nga Berisha

3 Mars 2023, 20:51 / EDITORIAL NGA FITIM ZEKTHI

Të ishte për Ramën, vula do hipotekohej sot nga Berisha

Nuk po i hyj debatit se cili ka të drejtë në këtë historinë bajate të vulës, por një gjë duhet thënë: Vendimi i sotëm nuk është diktuar nga Rama. Të ishte për Ramën, vula do hipotekohej sot nga Berisha.

Interesi i Ramës për vulën nuk ka lidhje me këto zgjedhje. Në gjendjen ku opozita është, zgjedhjet do t’i humbë thellë, cilido të jetë ai që ka vulën. Efekti i kësaj është në plan afatgjatë.

Me Berishën në krye, opozita nuk ka asnjë shans të ngrihet, të reformohet, të ofrojë diçka të re, të përshtatshme për të prodhuar shpresë e për të tërhequr elektorat gri. Me çdo variant tjetër përveç Berishës, opozita ka shanse të ofrojë një fytyrë të re për të ardhmen.

Për këtë arsye, interesi i Ramës është të favorizojë Berishën si garanci të përjetshme te pushtetit të vet, që, në fakt, sot është me i rrënuar se kurrë në planin e besueshmërisë publike. Vetë shtyrja prej një viti e gjyqit të vulës, ndërsa i falën shkallën e parë, ka qenë një mënyrë për ta ndihmuar.

Kjo shtyrje e stëgjatë i dha mundësi Berishës të fitojë kohë dhe të punojë fort, i ndihmuar edhe nga mediat e oligarkisë, të marrë në kontroll një pjesë të mire të strukturave dhe vëmëndjes publike, për ta vënë sot gjykatën dhe shoqerinë përballe faktit të kryer.

Unë nuk e di kush e ka shumicën në PD, ndonëse besoj se shumica nuk është me Berishën. Mund të mos jetë as me Alibeajn, por është e sigurt që sot ka një frymë të gjërë jo Berishiste në opozitë. Këtë na e vërteton fakti që gjysma e elektoratit të djathtë nuk doli të votojë në zgjedhjet e 6 marsit.

Përsa i përket strukturave të partisë, ato janë pragmatiste dhe shkojnë nga i forti. Të vendosur përballë presioneve, faktit të kryer, shumë prej drejtuesve të tyre, përfshirë këtu edhe deputete, sigurisht pa kuraje politike, janë lëkundur.

E megjithatë, gjysma e grupit parlamentar, kryesisë së vjetër dhe shumica dërrmuese e drejtuesve të degëve nuk shkuan tek Berisha. Kjo nuk është pak në kushtet kur fluksi joberishist është sot pa kryetar, pa veprimtari politike në terren dhe thuajse i papërfaqësuar.

Sot, pa praninë e amerikanëve, Berisha do kish marrë gjithçka. Fakti që nuk e mori vërteton se ai nuk ka më fuqi të imponohet, me gjithe ndihmën e Ramës. Ky është, gjithsesi një lajm i mirë në gërmadhen ku e ka katandisur opozitën revolucioni vetëvrasës i një lideri që është në luftë me kohën, veten dhe fatin e vet tragjik dhe të pakthyeshëm.

Po ndodh...

ide