Të ‘’pushtuar’’ nga Perëndimi

5 Mars 2024, 12:42 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Të ‘’pushtuar’’ nga Perëndimi

Gjithmonë është thënë se Shqipëria është një aleate e rëndësishme e amerikanëve në rajon. Ndoshta aleatja më e rëndësishme dhe më e qëndrueshmja. Mirëpo si asnjëherë më parë, në dy javët e fundit, kjo aleancë është materializuar edhe më shumë, edhe më fort.

Që nga vizita e Blinken, e deri te Samiti për Ukrainën, Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave perëndimore dhe protagoniste, në arenën gjeo-politike si kurrë më parë.

Një protagonizëm i cili kalon kapacitetet, rëndësinë apo forcën e Shipërisë si shtet.

Nuk dihet nëse kjo është një meritë e Edi Ramës, apo e kontekstit politik dhe gjeo-politik që po kalon rajoni dhe bota, apo nevoja që ka NATO dhe amerikanët për një aleancë të tillë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithsesi, fakt është se Shqipëria ka marrë tashmë rolin e saj brenda aleancës së NATO-s.

Një rol që duhet parë si privilegj dhe lajm i mirë, por edhe si përgjegjësi. Përgjegjësi që shtohet edhe më shumë në këto kohë të pasigurta për sigurinë botërore

Në këtë kuptim, rreshtimi përfundimisht në krahun e Perëndimit të Shqipërisë është një perspektivë për të ardhmen e saj dhe të shqiptarëve. Këtë rreshtim e kristalizoi inagurimi i bazës ajrore taktitike të NATO-s në Kuçovë.

Zhurma e avioneve të fuqishëm që fluturuan mbi qiellin e Kuçovës sot, e bënë më të perceptueshme dhe më të prekshme se çfarë do të thotë të jesh pjesë e NATO-së dhe alencës perëndimore në përgjithësi.

Aleancës më të rëndësishme ushtarake që ka parë ndonjëherë historia e njerëzimit.

Dhe kjo aleancë nuk është vetëm një çështje ushtarake, por më shumë se kaq. Është rreshtimi në krah të vendeve demokratike dhe pjesës më të zhvilluar të botës.

Sigurisht, Shqipëria është larg standarteve demokratike të vendeve perëndimore, por rreshtimi krah tyre është me siguri një ogur i mirë për të ardhmen e saj.

Dhe Kuçova në vetvete përmban një simbolikë domethënëse. Në kohën e komunizmit ai qytet quhej Qytet Stalin, dhe baza ajrore e saj ishte pjesë e Traktatit të Varshavës të vendve ish-komuniste të lindjes.

Ndërsa sot, është një bazë që përdoret nga NATO, aleanca e vëndeve perëndimore. Duket një trasformim thelbësor, edhe në simbolikë, që Shqipëria ka bërë në këto 34 vite pluralizëm.

Dhe 34 vite për historinë nuk janë hiç asgjë. Një peridudhë e shkurtër, për një ndryshim kaq të madh politik dhe gjeopolitik.

Duke parë këtë kontekst gjeo-politik por edhe politik, mund të thuhet që Shqipëria nuk është më një vend totalisht sovran.

Duke qenë pjesë e proceseve integruese euro-atlantike, Shqipëria e ka ceduar sovranitetin e saj në favor të këtyre organizatave ndërkombëtare. Këtë gjë e ka të saksionuar në Kushtetuën e saj.

Prandaj diskutimet se çfarë duan ndërkombëtarët me politikën e brendshme, se përse amerikanët ndërhyjnë në politikën tonë, janë diskutime pa vlerë dhe larg realitetit ku jetojmë.

Padyshim, ndërkombëtarët në Shqipëri mund të gjykohen, kritikohen, por jo të përjashtohen.

Tashmë ky është realiteti politik në të cilin jetojmë. Duam apo nuk duam ne, ndërhyrja e ndërkombëtarëve në Shqipëri do të vazhdojë, sidomos e BE dhe Shteteve të Bashkuara.

Për arsye politike apo gjeopolitike, ne do të vazhdojmë të jemi nën direktivat e tyre.

Disave, në media apo në politikë, kjo ndërhyrje ndoshta nuk u pëlqen sepse mbajnë flamurin e sovranizmit.

Por Shqipëria sot, është e ‘’pushtuar” nga Perëndimi. Ndoshta kjo nuk është demokracia ideale që kemi në mendje sipas kuptimit etimologjik të fjalës, por në fakt demokracia si e tillë , është në rrezik kudo.

Sepse ndonjëherë, arsyet e sigurisë janë përparësore mbi ato të demokracisë.