Enver-Sali!

24 Maj 2026, 23:42 / IDE NGA INDRIT VOKSHI
Enver-Sali!

Në një sondazh pati dalë se 30% në Shqipëri kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën.

Enveri killer. Diktator banal i cili ka djegur 2-3 breza në Shqipëri, duke mos i lejuar të jetojnë, të performojnë, të shfaqin talentin, të merren me ekonomi, art, kulturë, filma, informim etj. I nxorri shqiptarët në 1990 të pangrënë, të paqethur, të pa veshur, të vobektë, mbrapa bote, pa lidhje me civilizimin. 

Mirëpo 30% pro-enveristë, sepse rininë e tyre e kanë pasur në atë kohë dhe njeriut sikur i pëlqen rinia e vet, sepse ska tjetër rini. Nuk kanë reflektuar asgjë, janë munduar t'i japin kuptim asaj jete duke e rindërtuar imagjinatën, duke e deformuar kuptimin mbi botën, duke manipuluar veten, sepse e kanë pasur të nevojshme të kenë edhe ata një rini. Duan të na thonë se kishin edhe ata rini të bukur. Dhe në përpjekjen për të zbukuruar rininë e tyre, zbukurojnë edhe diktaturën e Enverit. Frika, gojëkyçja, jeta e njeriut e pavlerë, qenia njerëzore statistikë, kanë qenë normale për kohën. Ata nuk i llogarisin këto si të çmuara e të shtrenjta, ata i zbehin e i eklipsojnë këto dhe u japin vlerë kujtimeve. Sa kujtime të bukura. Nevoja për kujtime të zbukuruara i shtyn të shmangin e të harrojnë jetën e pavlerë dhe nën mëshirën e aparatit të diktaturës, qenien njerëzore të ndrydhur sepse duhej të mbijetonte. Ndërsa një pjesë tjetër e shqiptarëve kishin reflektuar; e shihnin diktaturën si tmerr dhe si fyerje të njeriut.

Dje dhe sot bëra një sondazh të vogël në rrjete. Del se rreth 70% e njerëzve të cilët shajnë e fyejnë nëpër komente personat e tjerë, janë të moshës 55 vjeç e lart. Shanin cilindo që kishte kundërshtuar apo tallur "rizgjedhjen" e Sali Berishës në krye të pronës së tij. Sharësit janë ata të cilët e kanë përjetuar pushtetin e SB. Pushteti i SB për ta, ka kujtime të mira. Ishin të rinj asokohe, kishin miq e shokë në pushtet, kishin përfituar diçka, dikush tokë, dikush banesë, dikush rrogë qyl, dikush familjarë në shtet, e disa aksesin, miqësinë, si edhe ndjenjën krenare se ata janë sunduesit dhe munden të vendosin diçka, si për veten, si për jetën e të tjerëve.

Këta janë brezi, ose më saktë tipi i njeriut që mendon se duhet të pyetet, mendon se brezat e rinj duhet të dëgjojnë këta, duhet të ndjekin vendimin e tyre. Sepse kujtimet e tyre për një kohë të artë pushteti, janë e vërteta dhe e drejta. Sali Berisha është hiç asgjë, ai është simbol-ikona e kohës së kujtimeve të tyre, rinisë së tyre, është kujtimi i gjallë i ditëve kur ata mendonin se ishin dikushi, se ishin pushteti, ose kishin lidhje familjare ose krenarie me pushtetin. E në emër të kujtimeve të tyre ata shajnë, fyejnë, agresojnë, sepse po mbrojnë ikonën e kujtimeve të tyre. Po mbrojnë rininë e tyre. 

Duan ta manipulojnë të vërtetën dhe për një çast të besojnë se rinia e tyre do të kthehet nëpërmjet ikonës së atyre kohërave. Mirëpo edhe nëse nuk kthehet rinia, të paktën simboli i cili ua kujton atë rini le të jetë aty, le të jetë çdo ditë në ekran, tua kujtojë atë kohë jo aq me fytyrë sepse fytyra është plakur por me zë, ngaqë zëri ka mbetur i përafërt. Ai simbol i mban disi gjallë tani që fëmijët e tyre si pyesin as i dëgjojnë, gjë në dorë nuk kanë më sepse iu kanë rënë pupulat, pasqyra i tregon çdo ditë e më të pabukur dhe ndjejnë se edhe në jetën shoqërore janë më të izoluar e të shmangur.

Ata po luftojnë për kujtimet e tyre, po luftojnë në gjendje dëshpërimi. E edhe për kujtimet luftohet sipas hierarkisë kulturore, injoranti lufton si injorant, harbuti si harbut, i pafytyri si i pafytyrë, ndërsa ata më të kënduarit luftojnë duke u bërë qesharakë sepse marrin guximin të shkruajnë e të shtjellojnë. Lum kush i pranon stacionet e jetës si ndalesa e stacione të natyrshme.

Po ndodh...

ide