
AlfaPena/ Poezi nga Janis Ricos: Je kaq e bukur sa më tremb…

AlfaPena është një rubrikë letrare në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë shqipe dhe jo vetëm, të çdo poeti dhe shkrimtari.
Janis Ricos - Je kaq e bukur sa më tremb
Je kaq e bukur…
Sa bukuria jote më tremb.
Uritur për ty.
Etur për ty.
Të përgjërohem: Fshihu!
Bëhu e padukshme
për çdokënd,
e dukshme vetëm për mua.
Mbulohu
nga majat e gishtave
deri te flokët
me një vel të zi,
të tejdukshëm,
larushe
nga psherëtimat argjend
të hënës pranverore.
Poret e tua,
shpërhapin tinguj,
bashkëtingëllore joshëse,
fjalë mistike shqiptojnë,
shpërthime të trëndafilta
nga akti dashuror.
Veli yt fryhet,
vezullon ndajnatës
mbi qytetin me bare
të ndriçuar
e taverna buzë detit.
Dritëhedhësi i gjelbër
ndriçon barnatoren e natës.
Një rruzull i qelqtë
në rrotullim të shpejtë
shpalos peizazhet e tokës.
I dehuri valavitet
prej një suferine
sjellë nga frymëmarrja
e shtatit tënd.
Mos ik!
Mos shko!
Je kaq lëndore,
e pakapshme.
Një dem i gurtë,
kërceu në barin e thatë
prej ballinës.
Një grua e lakuriqtë,
ngjit shkallët e drunjta
me një legen ujëngrohtë.
Avulli ia fsheh fytyrën.
Lart, ajrit,
një helikopter patrullues,
gumëzhin nga një pikë
e vagullt.
Shpëto!
Ty të kërkojnë.
Fshihu sa më thelle
përqafimit tim.
Gëzofi i batanijes së kuqe
që na mbulon,
rritet pandalshëm.
Bëhet arushë shtatzënë
batanija.
E nën arushën e kuqe
duhemi pafundësisht,
tej kohës,
tej vdekjes,
në të vetmin bashkim
të përbotshëm.
Je kaq e bukur…
Sa bukuria jote më tremb.
Uritur për ty.
Etur për ty.
Të përgjërohem: Fshihu!
(Shqipërimi nga: Rielna Paja)

"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128