
Alfapress.al sjell intervistën në shqip: Agim Baçi intervistë për "Albania Letteraria": Letërsia është magji. Të lejon të shikosh brenda vetes pa frikë...

Gazetari dhe kritiku letrar i njohur shqiptar, Agim Baçi, ka dhënë një intervistë në gjuhën italiane për gazetën, Albania Letteraria.
Për të gjithë dashamirësit dhe adhuruesit e letërsisë në Shqipëri, Alfapress.al, po sjell për ju intervistën e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe.
Intervista e plotë:
Agim Baçi është gazetar, kritik, eseist dhe narrator ndër më të njohurit në Shqipëri. Aftësia e tij kritike, vizioni i tij analitik për letërsinë dhe mënyra e drejtpërdrejtë e trajtimit të çështjeve me interes kolektiv, e bëjnë atë një intelektual të gjithanshëm. Në këtë intervistë, të cilën na e dhuroi me dashamirësi, ai flet për letërsinë me një shtrirje të gjerë. Uroj ta shijoni këtë intervistë!
-Çfarë është letërsia?
Ndoshta Jorge Luis Borges e ka përmbledhur më qartë se shumëkush teksa thotë se “Libri është imagjinatë dhe kujtesë, ndaj dhe mbetet një nga shpikjet më të rëndësishme të njeriut”. Për mua letërsia ka qenë liri dhe vetëbesim pasi më ka dhënë mundësinë të udhëtoj në kohë, të mos shoh atë që më mungon por të dalloj atë që duhet të arrij dhe atë që duhet ta mbaj fort. Pa letërsinë, jam i bindur, nuk do isha ky që jam, nuk do kutpoja shumë gjëra të cilat për mua janë thelbi i gjithçkaje- të besosh! Për mua pa besim gjithçka mund ta humbësh. Pa besim mund të humbësh dashurinë, familjen, miqtë. Ndaj dhe sa herë kthej kokën pas, besoj se letërsia është ajo magji që na bën të shohim brenda nesh pa frikë, na ndez disa drita që të shohim atë që na bën ne të jemi këto që jemi dhe të dimë se çfarë është e rëndësishme për ne. Unë besoj se njeriu duhet sa më shpejt të kuptojë se, ajo që lumturon dikë, nuk lumturon dikë tjetër dhe ajo që shqetëson dikë, nuk shqetëson dikë tjetër. Por ama, të gjithë kemi nevojë për një dorë drejtuar drejt nesh. Dhe letërsia është ajo që të përshpërit te veshi, se Njeriu ashtu siç zgjat dorën drejt dikujt, duhet me të njëjtën lehtësi të pranojë dorën që zgjatet drejt tij.
-Cila është gjendja e letërsisë shqipe sot dhe do t'ju pyesja për letërsinë në botë, sipas jush?
-Letërsia shqipe po rimëkëmbet përmes një udhe të vështirë pasi për 50 vite Shqipëria kaloi përmes një kulture ku fjala ishte “pronë e partisë”. Tashmë letërsia shqipe shkruan për atë që sa ndihet shqiptar aq ka dhe nevojë për t’u bërë banor i botës së madhe. Një brez hkrimtarësh që janë edukuar nën diktaturë, besoj se janë brezi që do arrijë të përshkruajë më fort se kushdo tjetër atë njeriun e rrënuar të atij sistemi, atë që humbi thuajse çdo vlerë të njerëzores dhe u bë thejsht një numër, një hallkë zinxhiri pa patur kurrfarë fuqie për të vendosur për vetveten. Ndërkaq sot, shumë autorë shqiptarë, që tashmë i kanë kaluar të tridhjetat, janë një brez që kërkojnë shtigje të reja, krejt të barabartë me atë që është letërsia e përbotshme. Madje, shumë prej tyre kanë lindur në shumë vende të botës, dhe fatmirësisht vijojnë të kenë në mendje shqipen, gjuhën dhe traditën shqipe, duke u kthyer në urë e rëndësishme për letërsinë shqipe përballë letërsisë botërore.
Ndërsa lidhur me letërsinë e sotme botërore, besoj se ka autorë të cilët e kanë kapërcyer kohën e vet. Milan Kundera, Haruki Murakami, Filip Rothi, Javier Marias, Vargas Llosa, Alesandro Baricco, Bolano, Saramango, Houllebecq, kanë qenë dhe janë ndoshta emrat që kanë rrokur çdokënd me shpirtin e tyre letrar, ku bashkohen e shkuara dhe e tashmja. Unë gjithmonë kam besuar se letërsi e mirë është ajo që më mban fort lidhur pas pyetjeve që duhet t’i bëj vetes pas leximit, apo nëse arrin të më tërheqë në një meditim nga ku unë reflektoj për veten, për atë që më rrethon, për botën.
Gjithsesi, unë vijoj të besoj se letërsi e madhe është ajo që rilexohet, dhe gjithnjë jam kthyer te Servantesi, Shekspiri, Dostojevski, Hasheku, Mark Tueini, Çehovi, Borgesi, Balzaku, Buzzati, Moravia, Danillo Kish, apo te përmbledhja “Një mijë e një net” ku duket sikur ka një burim të përhershëm të asaj që ti do që të lexosh apo shkruash.
-Le të flasim për Letër Dylqinjës. Si lindi ideja për ta shkruar, çfarë keni lënë nga vetja dhe çfarë ju ka dhënë?
Letër Dylqinjës është një pjellë e ardhur nga leximet, nga bashkëjetesa ime me shumë personazhe. Janë emra të letërsisë botërore që kanë jetuar me mua për një kohë të gjatë, që më kanë dhënë shumë për të përballur botën dhe të shkruarit drejt tyre dhe marrja e përgjigjeve janë për mua një kthim borxhi ndaj gjithë asaj që më kanë dhënë në kohë të ndryshme, gjatë leximeve apo rileximeve. Duke shkruar këtë libër, kam dashur të them se, libri jeton me ne, ecën me ne dhe shpesh kthehet në atë shokun që nuk të lë kurrë vetëm.
-Lexova një artikull tuajin ku shprehët shqetësimin tuaj për shprehjet gjuhësore që u transmetojmë fëmijëve. Pyetja që më erdhi në mendje është kjo: ndoshta një ditë nuk do të mjaftojë më letërsia?
Gjuha prodhon mendim. E nëse na janë helmuar mendimet, më së pari duhet të shohim se sa kemi lejuar të na helmohet gjuha. A nuk e ndjejmë ne sot se, komunikimi nuk ka më qëllim mendimin dhe reflektimin, por vetëm zbavitjen? Dhe cili është problemi që hasim çdo ditë?- është gjetja gjithnjë e më pak e atyre që mendojnë vetë. Por pa mendim, ne nuk lexojmë dot nga vijmë e, për pasojë, as nga ku do duhet të shkojmë. Letërsia është një forcë e madhe e fjalës, e imagjinatës dhe kujtesës. Por, nëse nuk kemi lexues, atëherë imagjinata dhe kujtesa do jenë në një rrezik të madh. Por, çfarë mund të jemi ne pa imagjinatë dhe pa kujtesë- siç na mëson Borgesi? Nëse kemi vetëm dëshira- dëshira që na vetëm na sugjerojnë se si të vishemi, si të argëtohemi,- atëherë do kemi të zhvilluar vetëm tregun e vëmendjes, por do kemi humbur gjurmët e rrugëtimit të fortë të njeriut, që vjen si një forcë për të parë përpra.
E nëse fëmijët sot janë në këtë rrugë të thepisur, siç e ka vënë re me të drejtë Umberto Galimberti, atëherë ne, të rriturit, duhet të kthejmë sytë nga vetja e të reflektojmë për pafuqinë tonë ndaj tyre, ndaj asaj që duhet të bëjmë që fëmiëjt të mos dinë nesër të kenë asnjë urë me ne.
-Cili është roli i shkrimtarëve dhe leximit në ruajtjen e kujtesës historike?
Jam i bindur që vetëm letërsia e ruan njeriun dhe gjuhën. Po të shohim sot se përse njerëzit dinë diçka për të shkuarën, kjo është meritë e letërsisë, e artit në përgjithësi. P.sh, askush nuk di nëse vërtet e vrau Bruti Çezarin duke i ngulur thikën, por ama kemi shumë njerëz në mbarë botën që e dinë se Bruti nënkupton atë të pamenduarën nga njeriu se mund të tradhëtohet nga ai që ka patur pranë, sepse të tillë na e ka sjellë Shekspiri. Ose, a ka njeri që ka interes nëse ka ekzituar apo jo Beatriçja për të cilën flet Dante? Jo, të gjithë e kanë bindjen se ajo ishte aty. Ja kjo është fuqia e madhe e letërsisë, që arrin të ndërtojë identikitin e njeriut në kohë dhe nuk ka nevojë për hetim faktesh nëse ishte apo jo, pasi thlebi i asaj është ajo që beson njeriu për vetveten, për njerëzoren, dhe jo thjesht për kohën. Edhe letërsia krahasuese, që shpesh shpjegon dokumente të shumë shekujve më parë, është një lëndë që ka ardhur duke u përhapur, pasi nuk është vetëm një lëndë që afron kulturat, por na jep mundësi të kuptojmë thelbin e së shkuarës dhe jo pak herë, edhe projektimin e së ardhmes. A nuk jetoi Shqipëria dhe shumë vende të tjera ish komuniste parashikimin e Oruellit? A nuk jemi sot në autokracitë e spektaklit të parashikuara prej Aldous Huxley te “Më e mira e botëve”? Njëkohësisht, shkrimtarët kanë misionin e madh të ruajtjes së gjuhës dhe për vende si Shqipëria ky është një mision i jashtëzakonshëm, pasi gjuha mbetet thelbi i identitetit kombëtar. A nuk ishte vepra e Dantes një bekim për italishten e përbashkët? Ndaj unë besoj te misoni i Letërsisë është ashtu siç e cilësonte Claudio Magris - Një udhëtim pa mbarim/ Marrë nga Albania Letteraria, përktheu në shqip, Alfapress.al

"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128