Hipoteza e Charles Darwin “Mbi prejardhjen e njeriut” dhe majmuni 

12 Nëntor 2025, 19:40 / JETË ALFA PRESS

Hipoteza e Charles Darwin “Mbi prejardhjen e njeriut” dhe

Midis mashtruesit dhe majmunit, do të zgjidhja të dytin, shkruan në postimin e tij, miku im, Selim Kurti, duke kthyer në vëmëndje një nga temat që kanë mbetur ende edhe pas afro 200 vitesh polemike dhe shkas, jo vetëm për oponencë por edhe për grotesk.

Në vitin 1871, kur u botua eseja e Charles Darwin “Mbi prejardhjen e njeriut”, revista satirike “Hornet” (“Grerëza”) publikoi një karikaturë therëse: ajo paraqiste Darvinin me trup majmuni, një lojë e hidhur mes humorit dhe thumbit. Ironia qëndronte në faktin se Darvini nuk kishte pohuar kurrë se njeriu rridhte nga majmuni; ai kishte sqaruar vetëm se njeriu dhe majmuni ndajnë një paraardhës të përbashkët. Pra, “Grerëza” po godiste, duke ngritur mbi një shtrembërim gjithë satirën e saj.

Në të vërtetë, ky keqkuptim-ose më saktë, keqinterpretim i qëllimshëm, ishte bërë i zakonshëm që në vitet e para të debatit evolucionar. Mjafton të kujtohet kongresi vjetor i Shoqatës Britanike në vitin 1860, ku tezave darviniane të “Prejardhjes së specieve” po u vihej në provë forca përballë autoritetit fetar dhe konservator. Pikërisht aty, peshkopi i njohur anglikan Samuel Wilberforce, njeri i ditur, por edhe mjeshtër i ironisë së mbështjellë me elegancë, iu drejtua Thomas Huxley-t, mbrojtësit më të vendosur të Darvinit, me një pyetje që synonte të nxiste të qeshura dhe përbuzje:

— “Zotëri, nga cila anë jeni më i afërm me majmunët, nga ana e gjyshit apo e gjyshes suaj?”

Huxley, i kthjellët dhe i mprehtë, u ngrit me një qetësi dinjitoze dhe i dha priftit një përgjigje që hyri në histori si triumf i arsyes mbi sarkazmën:

— “Nëse do të duhej të zgjidhja si paraardhës timin midis një majmuni dhe një njeriu i cili, sado i arsimuar, e përdor arsyen e tij për të mashtruar një publik të paditur, nuk do të ngurroja asnjë çast të zgjidhja majmunin.”

Kjo përgjigje nuk ishte vetëm një ripërkufizim i dinjitetit njerëzor, por edhe një mësim moral: evolucioni nuk është poshtërim i njeriut, ndërsa mashtrimi i vetëdijshëm po. Në fund të fundit, edhe sot, midis një krijese që ndjek instinktin dhe një qenieje që e përdor mendjen për të shtrembëruar të vërtetën, zgjedhja mbetet po aq e qartë sa ishte për Huxley-n: më mirë një majmun i pafajshëm sesa një mashtrues i stolisur me tituj.

 

Po ndodh...

ide