Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit

27 Prill 2026, 16:06 / KOSOVA ALFA PRESS
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në një seancë të

Kuvendi i Kosovës ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme plenare, e cila do të zhvillohet sot në orën 17:00 në sallën kryesore të institucionit. Në rend dite është vetëm një çështje: diskutimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kjo seancë vjen në një moment kyç për skenën politike, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit po afrohet drejt fundit. Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin; në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja, të cilat duhet të organizohen brenda 45 ditësh, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë fundjavës, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u ka bërë thirrje dy partive opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës – që të propozojnë nga tre kandidatë për president, duke kërkuar figura unifikuese dhe jopartiake.

Megjithatë, kjo nismë nuk ka gjetur mbështetje të plotë. PDK e ka refuzuar ofertën, ndërsa kryetari i saj, Bedri Hamza, e ka cilësuar atë si joserioze. Nga ana tjetër, LDK ka lënë të hapur mundësinë për të propozuar Vjosa Osmanin, por vetëm nëse sigurohen 66 vota nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas procedurave, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Megjithatë, për vlefshmërinë e seancës është e domosdoshme prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Po ndodh...