Nënkryetarja e FRPD-së, Alesia Balliu: Berisha të ikë, Flamur Noka merret me thashetheme

27 Prill 2026, 16:08 / POLITIKË ALFA PRESS

Nënkryetarja e FRPD-së, Alesia Balliu: Berisha të ikë,

Nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Alesia Balliu ka komentuar zhvillimet e fundit brenda kampit demokrat.

Në një intervistë për programin e drekës në News24, përballë gazetares Nisida Tufa, Balliu u shpreh se Berisha e mban partinë me forcë dhe për interesa personale. Ajo shtoi se ai sulmon Ervin Salianji, ndërsa, sipas saj, tregohet i butë ndaj Belinda Balluku.

“Mandati i zotit Berisha ka mbaruar në shtator të vitit 2025. Këtë e përcakton qartë statuti. Kur zgjedhjet legjitimohen dhe certifikohen, kryetari që ka humbur nuk duhet të jetë më në detyrë. Nga shtatori e deri më tani, zoti Berisha nuk ka më fuqi juridike dhe ligjore ndaj meje apo ndaj zotit Salianji, pasi i ka përfunduar mandati.

Ky nuk është qëndrim personal. Kam qenë pjesë e Rithemelimit dhe e kam ndjekur në të gjitha foltoret. Kam besuar tek ai. Unë i referohem Kushtetutës së PD-së dhe statutit të votuar nga anëtarët e saj. Për këtë arsye kam hartuar një shkresë, ku i drejtohem statutit dhe jo interesit personal.

Berisha i tradhtoi demokratët. Edhe pse ishte ‘non grata’, ne i besuam. Ai premtoi se do të rrëzonte Edi Rama, por nuk e bëri. Madje, mendoj se nuk donte që PD të fitonte zgjedhjet. E kam deklaruar se, nëse nuk do t’i mbante premtimet, do t’i kthehesha kundër.

Ai e trajton partinë si pronë private. Kemi vënë re sulme të ashpra dhe të pavërteta ndaj Salianjit. Nuk ka paraqitur asnjë provë nga 16 mijë faqet për Ballukun. Sulmon pa fakte Salianjin dhe kursen Ballukun.

Zoti Flamur Noka merret me thashetheme nga mëngjesi deri në darkë. Në vend të argumentit, përdor shpifje. Me këtë sjellje turpëron edhe burrat e veriut. Ai akuzon persona që janë votuar me mbi 10 mijë vota nga demokratët dhe i implikon si të lidhur me elementë kriminalë.

Kërkesën time e kam paraqitur edhe për ata demokratë që nuk besojnë më tek Berisha. Do ta çoj çështjen deri në gjykatë, sepse Partia Demokratike nuk mund të trajtohet si pronë private.

Nuk ka më shpresë me Berishën, i cili është ‘non grata’, as me Flamur Nokën. Berisha ka frikë nga gara dhe nuk pranon asnjë kandidat përballë. Ai pengon çdo garë dhe legjitimon veten, ndonëse statuti nuk ia lejon një gjë të tillë”, tha Balliu.

Po ndodh...