Kthehen në atdhe eshtrat e Qazim Mulletit, të hënën kryhen homazhet dhe varrimi në Tiranë

24 Gusht 2023, 23:13 / JETË ALFA PRESS

Kthehen në atdhe eshtrat e Qazim Mulletit, të hënën kryhen

Familja Mulleti ka njoftuar se është bërë e mundur sjellja në atdhe e eshtrave të Qazim Mulletit.

Përmes një postimi në rrjetin social, një pjesëtarë i familjes bën me dije se në rastin e 67-vjetorit të vdekjes së Qazim Mulletit, të hënën më 28 gusht do të zhvillohen homazhet dhe do të bëhet ceremonia e varrimit.

Mësohet se homazhet do të zhvillohen të hënën në orën 9:00 në Shtëpinë Funerale “ALBA  2000″ në rrugën e Dibrës.

Në orën 13:00 do të kryhen ritet fetare në xhaminë e “Kokonozit”, te “Pazari i ri” dhe në orën 14:00 do të kryhet ceremonia e varrimit në varrezat e Shish-Tufinës.

Qazim Mullai ka qenë një figurë mjaftë e njohur, sidomos për qytetarët e Tiranës. Ai ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës (1939-1940) dhe gjithashtu ka qenë Prefekt i kryeqytetit (1942-1944).

Qazim Mulleti lindi në Tiranë më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq në Itali më 28 gusht 1956, aty ku trupi i tij u preh për 67 vite.

“Të dashur të afërm, miq dhe dashamirë,

Në emër të familjes sonë, dëshiroj t’ju njoftoj që pas përpjekjeve të vazhdueshme, u bë e mundur sjellja në atdhe e eshtrave të z. Qazim Mulleti. Ndihemi të lehtësuar shpirtërisht, pasi jo vetëm sollëm në vend amanetin e vetë djalit të tij të vetëm z. Reshit Mulleti, por realizuam edhe një dëshirë të kahershme të familjes, si dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës e më gjerë që e nderuan dhe respektuan figurën e Qazim Mulletit ndër vite, madje edhe gjatë regjimit diktatorial komunist.

Detajet e ceremonisë së varrimit, e cila përkon edhe me 67-vjetorin e vdekjes së Qazim Mulletit në Rocca di Papa/Romë, janë si më poshtë:

E hënë, 28 gusht 2023

09:00-12:30: Homazhet dhe vizitat në Shtëpinë Funerale “ALBA    

                     2000″

                    Adresa: Rruga e Dibrës, nr. 302, Tiranë

13:00:           Kryerja e riteve fetare në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari

                     i ri, Tiranë

14:00:           Ceremonia e varrimit në varrezat e Shish-Tufinës.

Më në fund, Qazim Mulleti do të prehet në Tironën e tij të dashur, pranë bashkëshortes zj. Hajrie Mulleti (Kusi) dhe djalit të tij, me të cilët kaloi aq pak vite në jetën e përkohshme të kësaj bote për shkak të angazhimit të tij politik dhe qytetar për një Shqipëri etnike, republikane dhe me orientim qartësisht perëndimor.

Një falenderim i veçantë shkon për drejtuesit e Shtëpisë Funerale “ALBA 2000” Sherbime Funerale Alba 2000 Tirane që bënë të mundur ndjekjen dhe finalizimin e procedurave tekniko-ligjore për riatdhesimin e eshtrave nga varrezat e Rocca di Papa në Romë, i cili për hir të së vërtetës, nuk ishte një proces i lehtë.

Shprehim gjithashtu mirënjohjen për shoqatat Shoqata Tirana, Shoqata “Tirona Intellectum” dhe Shoqnia Tirona Autoktone, si dhe çdo mbështetës, për të gjithë angazhimin dhe aktivitetin e tyre ndër vite në nderim të figurës së Qazim Mulletit. Së fundmi por jo nga rëndësia, shprehim falenderimet për finalizimin e këtij procesi dhe organizimit të ceremonive të rastit, të gjithé kontribuesit si Akademia e Studimeve Shqiptare, historianë, diplomatë, klerikë, politikanë, artisë etj,duke veçuar ndër ta juristin e njohur dhe intelektualin e njohur tironas z. Shkëlqim Hajdari, për koordinimin e punës në realizimin e këtij procesi të gjatë.

Me respekt,

Familja Mulleti”, shkruhet në njoftimin e publikuar ne rrjetin social

 

Po ndodh...