Marsit 1991, në tri ditë ikën 25 mijë shqiptarë drejt Italisë me anijet e ankoruara në kalatat e portit! Ramiz Alia dha urdhrin: Të qëllohet me armë!

7 Mars 2025, 16:48 / JETË ALFA PRESS

Marsit 1991, në tri ditë ikën 25 mijë shqiptarë drejt

Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të vendit.

Më 6 mars të vitit 1991, më shumë se 3000 shtetas lanë Shqipërinë dhe hipën në bordin e anijes “Tirana”, për t’u nisur drejt Italisë. Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit (Itali) u ankoruan 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria.

Me rënien e diktaturës, të motivuar nga liria e rifituar, bashkatdhetarët u drejtuan në kërkim të botës së ëndërruar prej kuadrit të ekranit të televizorit, për të siguruar mirëqenien e munguar. Ikjet gjatë javës së parë të marsit të 1991-shit qenë të përmasave tejet të mëdha, aq sa u konsiderua si analoge me eksodin biblik.

Gjithashtu, braktisja masive e vendit, mobilizoi elitën politike të kohës për të marrë masat e nevojshme për parandalimin e fluksit emigrator. Në gusht, mijëra shqiptarë të tjerë u nisën drejt portit të Durrësit dhe hipën në anijen “Vlora”, e cila u tejmbush me burra, gra e fëmijë. Brenda dy javësh pas zbarkimit në Bari, u riatdhesuan më shumë se 17 mijë shqiptarë.

Ndërsa në Itali mbetën rreth 1500 azilantë që kishin kërkuar strehim politik. Mijëra shqiptarë në emër të një jetë më të mirë, në emër të lirisë, në ato ditë të ftohta të marsit 1991, mes plumbave, terrorit e sakrificave pafund zbarkuan në brigjet Apenine.

Ky ishte migrimi më i madh i shqiptarëve dhe grushti i fundit që iu dha diktaturës. Eksodi i marsit ‘91 numëroi afro 25 mijë të ikur në 3 ditë. Ikjet nga deti vijuan për muaj më radhë në përmasa më të vogla. Ato u bënë lajm i parë i pothuajse gjithë mediave botërore. Ikej me çdo mjet që mund të lundronte, që nga varkat, kamerdaret e deri te traper artizanalë që shpesh gjendeshin në det të hapur nga anijet tregtare.

Fundi i vitit 1990 kishte sjellë ndryshime të mëdha në jetën politike dhe sociale të Shqipërisë. Ndërsa një muaj pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit, nisi eksodi i shqiptarëve drejt Italisë. Pas dy eksodeve historike, atyre të ambasadave të korrikut ‘90 dhe anijeve të marsit ‘91, do vinte i treti, 8 gusht 1991.

Gdhiu ajo ditë me zakonshmërinë e të tjerave të asaj vape gushti, ku aty nga ora 9.00 rendi i gjërave u prish dhe e zakonshmja u kthye në të pazakontë…

Pas 5 muajsh kthim në normalitet, portat e portit të Durrësit do hapeshin sërish, ku me mijëra shqiptarë do dyndeshin drejt anijes “Vlora”, duke hipur aty me të gjitha format, ku më e dukshmja ishte ajo me litar.

Mediet botërore do të kishin shansin tjetër që të garonin për të realizuar fotot më spektakolare me ikanakë të marrosur drejt Perëndimit. Dëshira për një jetë më të mirë e mposhti frikën e rrezikut. Fëmijë, gra, të rinj e burra mbledhur strumbull në një mjet lundrimi që me kapërcimin e detit prisnin të kapërcenin jetën e vështirë.

Komunizmi sapo kishte kapitulluar dhe etja për liri, demokraci e mundësi më të mira ishte e madhe. Anija “Vlora” ndezi motorët aty nga ora 19:00 e mbrëmjes 8 gusht 1991, për të vijuar një udhëtim të pazakontë sa ekzistonte, drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj mbante plot 20 mijë shqiptarë që kapicë mbi njëri-tjetrin dhe me zorrët që u gërryenin nga uria, po shijonin ëndrrën e rendjes drejt Perëndimit. Ishte një udhëtim që zgjati gjatë gjithë natës, për të përfunduar të nesërmen paradite në brigjet e Barit. Por nuk ishte e thënë që ata 20 mijë shqiptarë të priteshin si bashkatdhetarët e tyre të marsit: t’u jepej ushqim e veshje aty për aty, si për t’u ndjerë të mirseardhur.

Politika dhe shoqëria italiane u nda në dysh në qëndrimet e saj rreth asaj mase që po zbarkonte në brigjet e Barit, nëse duhej të mirëpritej apo duhej kthyer mbrapsht. Dhe çfarë ndodhi më pas rezultoi të ishte një metodë që i detyroi të 20 mijë shqiptarët (më pak përjashtime), që të ktheheshin pas, shumica me rrugë ajrore. Nga porti i Barit, ajo mizëri njerëzore do transferohej në stadiumin e vjetër të qytetit, ku do merrte përmasat e një tragjedie, nga fakti se aty do shpërthenin dhe betejat me bandave të krijuara nga elementë kriminalë që kishin udhëtuar dhe ata si refugjatë, e po ashtu nga fakti i betejave për krodhën e bukës, që nisi t’u hidhej turmave me helikopterë nga sipër. Ishte 8 gushti i vitit 1991, fiks 28 vjet më parë, kur anija “Vlora” zbarkoi në Portin e Barit në Italisë.

Në bord ndodheshin rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët kërkonin një jetë më të mirë në vendin fqinj. Ngjarjen e kujtojnë çdo vit edhe vetë mediet italiane si e përditshmja “Corriere della Sera”, e cila para tri vitesh këtë eksod e ka titulluar: “Kur Italia ishte ‘Amerika’ për shqiptarët”.

Gazeta në fjalë nënvizoi se, ky rast ishte i pari që shënoi fenomenin e fluksit të emigrantëve drejt brigjeve italiane, fenomen që sot është mëse i zakonshëm, ndonëse jo më me protagonistë refugjatët shqiptarë.

Kur shqiptarët u dyndën të iknin në “eksodin e parë” në vitin 1991, Ramiz Alia dha urdhrin: Të qëllohet me armë. Këtë dhe detaje të tjera të tranzicionit nga komunizmi në pluralizëm i ka rrëfyer në vitin 2015 profesor Servet Pëllumbi në librin në librin e tij të ri “Përmbysja e komunizmit”.

ÇFARË SHKRUAN SERVET PËLLUMBI

Gjendja e rënduar ekonomike detyroi një masë të madhe njerëzish, sidomos nga zonat fshatare, të kërkojnë para zgjedhjeve mundësi e rrugë për të imigruar jashtë. Ishte e qartë se kjo vazhdonte të nxitej edhe nga jashtë, madje edhe duke dërguar vaporë e tragete “si gabimisht”!

Në fillim të shkurtit, në shumë rrethe të vendit, u përhap fjala, se “më 9 shkurt”, në portin e Durrësit do të vinin dy tragete të mëdhenj për të marrë e ndihmuar shtetas shqiptarë, për t’i dërguar kryesisht, për të punuar e jetuar në Afrikën e Jugut. Që më 8 shkurt u dyndën në Durrës mbi 15 mijë persona, kryesisht të rinj, nga rrethet e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Lushnjës, Fierit, Burrelit, Dibrës etj..

Dhe vërtet, të nesërmen, më 9 shkurt, u dëgjua që herët në mëngjes një sirenë anijeje. U dëgjuan thirrjet: “Bëhuni gati, erdhën anijet”!

Në orën 8 u thye dera e hyrjes në port. Trageti i linjës Durrës-Trieste ishte i ankoruar, por kapiteni deklaroi se ka marrë urdhër të ikte bosh dhe u nis. Megjithatë, njerëzit prisnin…

Filloi sulmi mbi anijet nëpër porte, në Durrës, Vlorë e Shëngjin, përfshi dhe ato ushtarake. Madje për largimin me emigrantë të anijes ushtarake nga ishulli i Sazanit, R.Alia urdhëroi: “Të qëllohet me armë”. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nuk mund të ndodhte, se urdhrat e tilla të Ramizit, dihej që ishin fiktive, sa për të kaluar radhën, “pikun” e ngjarjeve. Kësaj here, Vlora u bë epiqendra e eksodit… Po në ishullin e Sazanit, më 2 mars 1991, u rrëmbye peshkarexha “Namik Osmani” dhe shkoi në Brindisi me emigrantë.

Më 4 mars 1991, nga Pashalimani u largua anija cisternë “e rrëmbyer”; më 4 mars, rimorkiatori “Kozma Nushi” po ashtu shkoi në Brindisi. Varka e trape filluan të sajohen… Anijet shkonin e vinin në Itali si të ishin autobusë urbanë. Askush nuk i ndalonte anijet për të shkuar në Itali dhe askënd nuk e ndalonte kush. Liri e plotë anarkike.

Një eksod që përfshiu kryesisht jugun me kryeqendër Vlorën, që dukej se ishte i paramenduar dhe i organizuar për të ikur sa më shumë “votues”, në prag të zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Mendja, më skeptikët i çonte përsëri te Ramiz Alia.

Për më tepër, që dhe në sferat e larta të pushtetit flitej për marrëveshje të fshehta që implikonin dhe vizitat e Peres De Kuelarit të një viti më parë. Kjo u provua konkretisht: sapo u plotësua numri i emigrantëve sipas marrëveshjeve, eksodi u ndërpre me forcë nga Italia, Franca etj., dhe u vendos të mos pranohen më emigrantë, as nga deti, as nga toka prej Shqipërie. Nga Italia madje, u kthyen dy avionë ushtarakë me 600 persona.

Gjatë analizës së deritanishme kam synuar të jem objektiv, të shkruaj mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve, por nuk ndaj mendimin që R.Alia “solli demokracinë dhe vendosi pluralizmin politik në Shqipëri”.

Nëse deri në këto zgjedhje mund të përligjej ideja e gradualitetit të ndryshimeve për të “evituar gjakderdhjen”, siç thuhej, pas kësaj ajo rrezikonte të shndërrohej në të kundërtën e vet. Së pari, sepse kjo nuk mund të jetë vepër e një personi sa do i shquar qoftë ai; së dyti, se kështu injorohen lëvizja studentore dhe aksionet e tjera popullore që imponuan ndryshimet; së treti, se ka plot fakte konkrete që R.Alinë e prezantojnë krejt ndryshe: kontradiktor, që bënte lojë të dyfishtë, njeri hije, që mbi gjithçka gjatë ndërrimit të sistemeve vuri ruajtjen e pushtetit dhe të kokës së vet.

Në thelb, me zbatimin e “Katovicës”, R.Alia synonte vendosjen e demokracisë komuniste me ngjyra shqiptare! Në këtë rrafsh, qëllimisht u fry edhe rreziku i luftës civile, të cilën sipas propagandës së kohës e evitoi vetëm R.Alia. Mendoj se kjo ka qenë tipike e sferës së miteve që thuren për udhëheqës “legjendarë”, pse jo për të fshehur pas kësaj mëkate nga më befasueset.

Vetë R.Alia nuk duhej ta pranonte këtë “mit” dhe në shkrimet e daljet e shumta në publik duhej ta kishte denoncuar. Veçoria e proceseve demokratike në Shqipëri ka qenë se elementët e klasave të përmbysura nga komunizmi apo dhe të përndjekurit e të dënuarit politikë, thuajse nuk morën pjesë në mënyrë të organizuar në demonstrata, manifestime apo në rrëzim bustesh e monumentesh të komunizmit, aq më pak në drejtimin e tyre.

Vetë populli, punëtorët, rinia studentore, përfshi edhe komunistë u bënë forcë lëvizëse e ndryshimeve në gjirin e të cilëve s’kishte potenciale hakmarrëse të përmasave që mund të çonin në luftë civile. Ndërkaq, R.Alia as në funksion të zgjedhjeve të para pluraliste nuk dëshmoi për ndonjë kujdes të veçantë, për t’i lehtësuar rrugën demokracisë pluraliste.

 

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128