Ndjenjat e holla

- Bert, ti s'mund ta mendosh ç'zotni njeri është!- më tha Keti. Ai qan edhe kur shikon një film! S'është kafshë, ka ndjenja, ka dhimbje...
I tunda kokën Ketit dhe vazhdova të rrufisja kafen. Me Ketin patëm ardhur gati në një kohë në gazetë. Unë, në fakt, e gjeta atë në redaksi, por pas shumë vjet pune, ne kishim ngelur më të vjetrit në kolektivin tonë të vogël. E desha Ketin, sepse ishte e mirë. Dikur, kur ushqeja ca iluzione për të, nuk më fyeu e s'më mbajti mëri. Më tha vetëm:"Mos tento ti prishësh kooperativat".
Të rroftë burri, iu përgjigja dhe hoqa dorë nga ëndrrat me të.
- Ket, - i thashë më në fund, - kaq shumë përshtypje të ka bërë?
Ajo mori një pamje prej njeriu të mahnitur në fytyrë.
- Mendo, - tha, kur të tjerët mezi të thonë "mirëmëngjes", ai qan duke parë një film!...
Njihja edhe një njeri tjetër të tillë, që qante për hiç gjë, një njeri si tel kitareje që, mjaft ta prekje, tingëllonte. Ai më pati ftuar atë dimër kur shkruaja romanin tim të parë në hotel turizmin e Sarandës. Pinim kafenë e mbrëmjes në lokalin e hotelit dhe befas ai mu lut me një ndjenjë të sinqertë në portret:
- Hajde sonte për darkë tek unë! Këtu në hotel do mërzitesh vetëm. Ka edhe një film të mirë te programi i parë i italianit...
Kundërshtova formalisht, me përtesë e formalitete të dukshme sepse vërtet mbrëmjeve trishtohesha në dhomën e hotelit.
Përgjithësisht unë nuk kam dashur të shkruaj natën. Nga pagjumësia prishet dita, pa harruar frikën tjetër, që natën mund të shkruash më gjatë nga ç'duhet e në kurriz të cilësisë. Dhe, si e përfundova ritin e lehtësimit të ndërgjegjes time, shkova pas tij.
Kishte një familje ëngjëllore. një grua si kukull, me bukuri të lyer me një trishtim të lehtë dhe dy fëmijë që nuk u ndihej zëri.
- Ne të kemi lexuar, - më tha gruaja, - dhe na bëhet qejfi kur shkruan gjëra që na pëlqejnë.
Më pritën si mik të rrallë, aq sa u pendova për bujtjen në atë familje. S'do të mund ti prisja kurrë në atë mënyrë madhështore në familjen time po të vinin në Tiranë dhe ky konstatim më trishtoi.
Gruaja e tij buzëqeshi ëmbël.
- Ne nuk shkelim në Tiranë. Edhe kur e marrim atë rrugë s'na del koha të takojmë as njerëzit tanë...
Po njerëz dashamirë një gazetar has plot e dashamirësia për gazetarin kësisoj harrohet. Unë s'mund ta harroj filmin e asaj nate. Ishte ndërtuar mbi një subjekt pak sentimental, që të bënte të qeshje me arkaizmin e tij të maskuar dhe unë e lëshova nja dy herë të qeshurën time të harbuar, siç e cilëson me etiketë ime shoqe, por e ndërpreva shpejt sepse pashë që mikut tim po i pikëllohej portreti. Pastaj, në një sekuencë të rëndomtë, kur mashkulli i atij filmi qante përpara fotografisë së të dashurës së tij, befas ndjeva që ai po fshinte lotët. Sikur ta kisha ndjerë vetëm unë atë dënesje, do të ishte një ngjarje e destinuar të hynte në harresë, por atë fatkeqësisht e ndjeu edhe vajza e tij që u prek nga lotët e babait dhe nisi të qajë në çast për llogari të saj. Djali ishte nja pesë vjeç. Ai zgurdulloi sytë njëherë rreth e rrotull, pa të atin dhe të motrën të mbytur në lotë dhe u këput dhe u shtri në tapet përmbys duke qarë me të madhe.
Mua më ngriu gota e rakisë në dorë. Nuk po merrja vesh ç'dreqin po ndodhte në këtë dhomë ku qanin të gjithë veç meje dhe atë çast që u bëra gati ta qetësoja mikun tim, bri meje u përplas me zhurmë një pjatancë e mbushur me patate dhe u dëgjua një thirrje e zemëruar e një njeriu të fyer e të prekur deri në palcë:
- Ti Gimi kështu na i prish darkat gjithmonë!
Ishte zëri i së shoqes së tij, i ëngjëllores së vogël, të cilën unë e pashë të plasur mbi divan me kokën mes duarve duke qarë me kuje.
- Po ç'bëni kështu? - guxova e thashë me zë të dridhur. - S'qan njeriu nga një film!
Unë kam parë në jetën time plot njerëz që qajnë për hiçmosgjë, por një kolektiv të tërë, kurrë! Heroi i filmit i thoshte të dashurës me një ton deklarativ: "Mos më braktis!" atyre lotët çurg!...
Mbaj mend që u vura në një hall të jashtëzakonshëm. Darka sapo ishte shtruar, qenë bërë harxhime, kurse unë desha të ngrihesha, por s'gjeja dot mundësinë.
- Si të mos qajmë?- dënesi ajo grua e mrekullueshme, - a ka mundësi të mos prekesh nga fatkeqësia e tjetrit!
- Po pse e braktisi, - u hodh duke ndjellë hundët miku im.- Pse, çi bëri? Poshtërsi e madhe!
Mua më prekën ndjenjat e tyre dhe më erdhi ti përqafoja. Ndjehesha i lumtur që mbi tokë, megjithë ftohjen e njeriut, jetonte edhe ndjenja, edhe dhimbja, dashuria dhe trishtimi njerëzor. Isha gati të përlotesha edhe vetë, aq sa e ula gotën e rakisë që po ndërmerrja ta ngrija, nga frika mos alkooli më stimulonte më keq të qaja.
Fati im që filmi ishte andej nga fundi dhe nuk mu desh të duroja shumë. Ata qanë edhe një copë herë, herë heshturazi, herë me dënesë, pastaj, me të dalë fjala "fine" në ekran, fshinë lotët e u ulën të çelur në tryezë.
Ndjeheshin në çast aq mirë, sa mua, e qara e tyre, sepse më kujtoi vetëtimthi ata njerëzit që shkonin në varreza vetëm për të pastruar shpirtrat e tyre të trazuar nga e keqja.
Miku im kapi gotën e rakisë në dorë dhe unë e ngrita gjithashtu gotën për të pritur urimin tradicional të zotit të shtëpisë. Dhe fjala e parë që ai shqiptoi pas atij vajtimi madhështor, ishte:
- More, ajo kolegia juaj, Keti, mos është gjë dashnore e Albanit, apo janë thashetheme?
- Ama edhe ti Gimi, ç'na përmend prostitutat në tryezë, - u hodh gruaja e tij ëngjëllore dhe në çast m'u kthye mua: Mirë se na erdhe, gëzuar!...
Keti vazhdonte të më fliste për mikun e saj të mrekullueshëm, aq të mrekullueshëm, sa madje qan edhe kur shikon një film, kurse unë tundja kokën si kalë, pa guxuar ti them Ketit se dikur, kur shkruaja romanin në Sarandë, dy njerëz që qanin jo vetëm me lotë, por me kuje e ligje, ishin kaq të mrekullueshëm, magjepsës, mahnitës e ndonjë diçka tjetër më konkrete që fillon me gërmën "m", sa e quajtën atë, Ketin e pastër, prostitutë.
Po ja, nganjëherë njeriu është i drojtur...
**Teodor Keko
Nga vëllimi me tregime e novela "Lajmëtarja e vdekjeve"
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
