Parathënie nga Blendi Fevziu e botimit të dytë të librit “Fillimet” të Preç Zogajt

14 Nëntor 2025, 11:10 / JETË ALFA PRESS

Parathënie nga Blendi Fevziu e botimit të dytë të librit

Për librin “Filllimet”, botimi i dytë nga Uet Press

Një dëshmi e fortë mbi një moment magjik dhe historik

Parathënie nga Blendi Fevziu

Më është dashur një kohë relativisht e gjatë dhe një reflektim i thellë për të bërë dallimin mes peshës emocionale personale dhe asaj historike që Lëvizja studentore, rrëzimi i diktaturës komuniste, krijimi i PD dhe nisja e epokës demokratike, ose siç quhet ndryshe dhe më thjeshtë në publik, Lëvizja e Dhjetorit ‘90 - të, solli në historinë e Shqipërisë dhe në jetën e shqiptarëve.

Në ditët që pasuan atë, në vitet në vijim, i përpirë nga magjia e një bote të ëndërruar gjatë, por të panjohur, besoja se kjo ishte as më pak e as më shumë fati ynë i madh. Ishte një moment kthese që kishte ndryshuar jetën tonë, të brezit që po e jetonte atë dhe padyshim që do të ndikonte në jetën e mëpasme të vendit tim. U deshën të kalonin ca kohë, të njihja më thellë historinë dhe fazat përmes të cilave kishte kaluar ajo në Shqiperi, për të arritur në një përfundim që tashmë e kam jo vetëm bindje, por edhe përfundim të konsoliduar. Dhjetori i 1990, nuk ishte vetëm një moment i rëndësishëm kthese politike, as një protestë studentësh që ndryshoi një formë regjimi; as kalimi nga një ekonomi e centralizuar dhe e falimentuar komuniste, në ekonominë e tregut, as dalja në liri e një populli të izoluar prej katër dekadash e gjysëm; as ringjallja religjioze e tij.

Dhjetori i 1990 ishte fillimi i një klase të re politike, që vijon të drejtojë Shqipërinë ende sot. Por parimet që lindën këtë klasë politike që drejton prej 35 vitesh vendin e me gjasë do ta drejtojë edhe për një kohë të gjatë atë, lindën në dhjetor 1990. Koha historike e një klase politike nuk përputhet e nuk është detyrimisht e barabartë me moshën fizike të saj. Ajo llogaritet mbi parimet që e lindën atë dhe mund të vijojë me dekada të tëra e më gjerë.
Historia e Shqipërisë moderne ose historia e shtetit shqiptar, nëse mund ta quajmë kështu, regjistron të paktën 3 raste të këtilla në 113 vjet.
Klasa e parë politike, që drejtoi një epokë të caktuar të shtetit shqiptar, është ajo që shpalli pavarësinë. Klasa e vitit 1912, që me shumë sakrifica e privime, por edhe me shumë besim, ndërtoi një Shqipëri që më së fundi arriti të ketë një unitet territorial dhe një lloj zhvillimi shoqëror. Kjo klasë politike e përfaqësuar më së shumti nga Ahmet Zogu, një pjesëmarrës 17 vjeçar në mbledhjen e pavarësisë, më pas Kryeministër, President dhe Mbret i Shqipërisë, dominoi vendin nga themelimi i tij deri në vjeshtën e vitit 1944.

Në Nëntorin e 1944, një klasë e re politike filloi të ravijëzohej në vend. Ndryshe nga klasa e mëparshme që kishte në bazë të saj nacionalizmin dhe etninë, kjo klasë e re mbështetej mbi ideologjinë. Ithtare e një ideologjie të re, dominuese në shumë vende të Europës, komunizmit, ajo erdhi në krye të vendit duke larguar përdhunshëm e madje duke ekzekutuar një pjesë të mirë të klasës së mëparshme politike. E përfaqësuar më së shumi nga Enver Hoxha, lideri dhe diktatori komunist, ajo e dominoi vendin nga vjeshta e vitit 1944 deri në dhjetor 1990, duke ngjallur në fillim një lloj entuziazmi dhe në fund, një dështim dhe mjerim masiv, që e bëri atë klasën më të anatemuar në historinë e Shqipërisë.

Klasa e re dhe e tretë politike e Shqipërisë, lindi pikërisht nga ajo Lëvizje që unë e konsideroja emocionin më të madh të jetës sime dhe të gjithë pjesëmarrësve që u ndodhën aty: Lëvizja e Dhjetorit. Ajo erdhi si një lëvizje që kishte në bazat e saj parimet e demokracisë dhe lirisë, të brishta ose të mohuara nga gjithë klasat e tjera politike. E dominuar nga disa personazhe si Sali Berisha apo Fatos Nano e së fundmi Edi Rama, ajo vijon të drejtojë Shqipërinë me gjithë problemet e saj.
Dhe pikërisht atë ditë, madje atë orë të lindjes së saj, Preç Zogaj ishte atje. Herë protagonist e herë dëshmitar, herë motorr lëvizës e herë zë kritik i saj, Preç Zogaj është padyshim ndër burimet më të besuara dhe autoritare të këtij momenti të rëndësishëm historik. Ai ju bashkua Lëvizjes studentore në mëngjesin e të hënës 10 Dhjetor. U bë dëshmitar i protestës dhe një shtytës publik i saj. Së bashku me shumë pak intelektualë të kohës ai përcolli përfaqësinë e studentëve në takimin me Presidentin e kohës, Ramiz Alinë dhe po atë mbrëmje mori pjesë në themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së parë opozitare pas më thuajse 66 vitesh në Shqipëri. Po ato ditë ai u bë inisiator, bashkëthemelues dhe drejtues Këshillit Botues të gazetës së parë opozitare dhe të lirë në Shqipëri, Rilindjes Demokratike. Që shënjoi edhe fillimin e lirisë së shtypit në Shqipëri. Zhvillimet e më pasme kanë pastaj një ritëm thjeshtë të pobesueshëm, por edhe të paharrueshëm.

Libri “Fillimet” është botuar një dekadë vjet më parë, me rastin e 25 vjetorit të Lëvizjes së Dhjetorit 1990. Më ka qëlluar që t’i referohem atij shpesh në botimet, “Fillimet” nuk është thjeshtë një libër me kujtime, edhe pse në thelb ka nisur si i tillë. Ai është një dëshmi e fortë historike, një libër i mirëfilltë dokumentar historik. Kujtimet e protagonistëve janë përballur aty me dokumentat e kohës në pjesën më të madhe të tyre. Janë aty dëshmitë origjinale të fjalimeve, qëndrimeve, por edhe deklaratave të një lëvizje që në thelb të saj nuk pati asnjëherë dokumentin e firmosur, por forcën e fjalës. Në këtë aspekt ky libër është një dokument në vetvete, për të hedhur dritë mbi këtë moment magjik e misterioz për të tjerë, që duam apo nuk duam shënjoi dhe vijon të shënjojë jetën e gjithë shqiptarëve përmes parimeve politike që ai rrënjosi.

Si botimet e ngjashme, ky libër do të mbetet aty edhe kur protagonistët e tij të mos jenë më në fushën aktive të politikës ose mbase edhe të jenë larguar nga kjo botë. Ai do të jetë dëshmi e një kohe drithërimash, heroizmi, frike, suksesi e dështimi, por padyshim pasioni të pakrahasueshëm, që e ngjizi atë. Dhe Preç Zogaj ka qenë aty jo vetëm për ta shtyrë më tej, por edhe për ta dokumentuar me “Fillimet” këtë fillim tashmë 35 vjet të shkuar të historisë së re të Shqipërisë.

Po ndodh...