Hungari/ Masa për abortin, fillimisht nëna duhet të dëgjojë tingullin e zemrës së bebit

Hungaria ka përdorur një tjetër masë në tentativë për të ulur numrin e aborteve. Sipas mediave vendase duke nisur që nga dita nesërme, gratë shtatzëna të cilat kërkojnë të abortojnë, do t'u kërkohet që fillimisht të dëgjojnë tingullin e rrahjes së zemrës të embrionit.
Lëvizja e qeverisë së Viktor Orban, kryeministrit populist, sinjalizon një shtrëngim të ligjeve relativisht liberale të vendit për abortin duke i detyruar mjekët t’i paraqesin gruas shenjat vitale të embrionit ose fetusit.
Aborti në Hungari lejohet deri në javën e 12-të të shtatzënisë për arsye mjekësore ose sociale, dhe më vonë nëse ka komplikime të rënda shëndetësore.
“Pothuajse dy të tretat e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjen e parë të zemrës”, thuhet në dekretin e lëshuar nga ministri i brendshëm, Sandor Pinter.
Ministria e Brendshme tha se pajisjet moderne mund të zbulojnë rrahjet e zemrës në fillim të shtatzënisë dhe kështu të ofrojnë “informacion më të plotë për gratë shtatzëna”.
Ndryshimi në ligj do të thotë që gjatë aplikimit për abort, një grua duhet të paraqesë një certifikatë mjekësore që thotë se “faktorët që tregojnë praninë e funksioneve vitale të embrionit janë vënë në vëmendje të saj në mënyrë të qartë”.
Ndërsa një ligjvënës i krahut të djathtë e quajti atë një “shans për jetën”, organizatat e të drejtave të njeriut thanë se ndryshimi do të rriste presionin mbi gratë që ishin tashmë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë për shkak të një shtatzënie të padëshiruar.
Ideja për t’i bërë gratë të dëgjojnë zemrën e embrionit e ka origjinën në partinë e ekstremit të djathtë Mi Hazank (Atdheu ynë), e cila hyri në parlament në zgjedhjet e prillit. Partia është në opozitë, por ka fituar vlerësime në mediat pro-qeveritare.
Ligjet e Hungarisë për abortin, të cilat nuk kanë ndryshuar që nga viti 1992, konsideroheshin liberale në krahasim me vendet evropiane si Polonia, ku aborti lejohet vetëm kur jeta e një gruaje është në rrezik ose shtatzënia është rezultat i një akti kriminal.
Në Gjermani, aborti është ende teknikisht i paligjshëm.
Orban e ka paraqitur veten si një kampion i vlerave të krishtera dhe familjes tradicionale, por nuk ka ndjekur shembullin e Polonisë për të ndaluar kryesisht abortin, i cili do të ndikonte në popullaritetin dhe mbështetjen e tij.
Ekziston një mbështetje e gjerë për abortin në Hungari, me një sondazh të Ipsos në gusht që tregon se 70 për qind e popullsisë besojnë se ai duhet të jetë i ligjshëm në pothuajse të gjitha rastet para javës së 20-të. Vetëm 14 përqind mendojnë se duhet të jetë i paligjshëm në shumicën ose të gjitha rastet.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
