
Kosovë/ KQZ-ja numëron të gjitha votat me postë, rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka bërë të ditur pasditen e së martës se i ka numëruar të gjitha votat me postë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe që Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.57 për qind të votave, apo me mbi 31.000 vota.
Pas saj radhiten Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, pasi KQZ-ja njoftoi se ka miratuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.
Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se menjëherë pas numërimit të votave me postë, ka nisur numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara, dhe që procesi pritet të përfundojë të mërkurën.
Me rezultatet aktuale, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës. Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.
Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur. Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.
Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt. KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji. Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re./REL

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128