Kurti për 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Kjo ngjarje ka gjithnjë të njëjtin emocion!

28 Nëntor 2024, 08:42 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti për 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë me rastin festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në adresimin e tij, kryeministri tha se “nuk janë të rralla rastet që mblidhemi në këtë datë, këtu në ngjarjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të përkujtuar ngjarjen tonë më të madhe, atë të themelimit të subjektivitetit të kombit shqiptar. E megjithatë, ky tubim ka gjithnjë të njëjtin emocion.”

Ai përmendi dy momente të veçanta për reflektim e përshtypje. Së pari, tha se sot e kemi shumë të lehtë të jemi bashkë me njëri tjetrin, gjersa para jo më larg se tri dekadash, ky tubim, nuk mund të imagjinohej, dhe kjo për tri herë më shumë dekada gjithsej.

“Ishte koha e sakrificave dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët në të dy anët e kufirit. Nënshkruar nga patriotët në 28 Nëntorin e motit 1912, që doli se nuk ishte thjesht akt, por program që do të shtrihej në një shekull e më shumë.

U nënshkrua pra një program që, për me u përfytyru dhe për me u realizu, kërkonte ndihmën e një projekti tjetër, atë të Sami Frashërit në Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Që e paraprinte dhe vijon ta pasojë me dimensionin aktual të tij”, tha Kurti.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri i ftoi të gjithë që ta festojmë e ta përkujtojmë këtë datë me idenë se Ismail bej Vlora dhe patriotët na shohin neve nga e ardhmja dhe presin që ne ta realizojmë sa më drejt e sa më mirë e sa më mbarë atë udhë që na e kanë përcaktuar me ngritjen e flamurit në Vlorë.

"Rilindasit tanë, janë në të kaluarën tonë dhe na shikojnë nga e ardhmja jonë.

Në të kaluarën e tyre e kishim Skënderbeun, e në të ardhmen Adem Jasharin. Dhe pikërisht, qenia e jonë e përbashkët, në të tashmen, i bën ata të jenë e kaluara e jonë e përbashkët, dhe njëkohësisht e ardhmja që na pret të bashkuar”, përfundoi ai.