Virusi i rrallë prek Indinë! “Nipah” mbyll shkollat, ndalon tubimet publike

16 Shtator 2023, 23:07 / KOSOVA ALFA PRESS

Virusi i rrallë prek Indinë! “Nipah” mbyll shkollat,

India ka ndaluar tubimet publike dhe ka mbyllur disa shkolla në shtetin jugor të Kerala në një përpjekje për të frenuar një shpërthim të rrallë të virusit Nipah, një virus që përhapet nga kafshët te njerëzit dhe shkakton ethe vdekjeprurëse me një shkallë të lartë vdekshmërie.

Shteti jugor indian i Kerala konfirmoi dy viktima nga virusi i rrallë Nipah. Një nga vdekjet ndodhi në fillim të këtij muaji, ndërsa e para më 30 gusht, thanë zyrtarët. Pozitivë me këtë virus kanë rezultuar edhe dy të afërm të njërës nga viktimat, ndërsa po trajtohen në spital.

Ky, sipas ekspertëve është shpërthimi i katërt i virusit Nipah në Kerala që nga viti 2018. Rasti i parë me virusin Nipah u regjistrua në vitin 1998 tek fermerët e derrave në Malajzi. Nipah zakonisht përhapet te njerëzit nga kafshët ose përmes ushqimit të kontaminuar, por gjithashtu mund të transmetohet drejtpërdrejt midis njerëzve.

Ekspertët thonë se “shkalla e vdekshmërisë në mesin e atyre që infektohen me virusin është e lartë për shkak se nuk ka asnjë ilaç apo vaksinë në dispozicion për të trajtuar infeksionin. Trajtimi është i kufizuar në menaxhimin e simptomave dhe kujdesin mbështetës.

Qeveria e Indisë përmes grupeve mjekësore të ngritura në Kerala po monitoron situatën. Punonjësit e shëndetësisë janë udhëzuar të ndjekin të gjitha protokollet e kontrollit të infeksionit.

ide