Krasniqi: Duhet të rishikohet kontrata e munguar me qytetarët

22 July 2026, 22:01 / POLITIKË ALFA PRESS
Krasniqi: Duhet të rishikohet kontrata e munguar me qytetarët

Politologu Afrim Krasniqi deklaroi se qeveria ka pasur qasje krejtësisht të gabuar ndaj protestës dhe zgjidhja, sipas tij, është “rishikimi tërësisht i kontratës së munguar me qytetarët”

“Mendoj që qasja e qeverisë deri tani ishte krejtësisht e gabuar. Fushata denigruese, akuzuese që jeni në shërbim të shteteve të tjera ishte një absurditet dhe ishte autogol për Shqipërinë, sepse do jetë shumë e vështirë për t'ia shpjeguar fëmijëve tanë ç’ka dashur të thotë kryeministri, kryetari i grupit parlamentar dhe ministrat kur kanë thënë që populli që është ngritur në Tiranë është i i Greqisë, i Serbisë apo i nxitur nga shtete të tjera. Por, teknikisht ka dy zgjidhje teorike. Zgjidhja e parë teorike është që brenda shtatorit të bëjë një reformë në përfaqësim, në qasjen publike dhe në axhendën e asaj që quhet axhenda e ofertës ndaj qytetarëve. Një lloj rishikimi tërësisht të kontratës së munguar me qytetarët. Kush merr vesh nga politika e di që kjo gjë duhet të ndodhë dhe kjo është këshilla që ia kanë dhënë. Por, unë nuk mendoj që teknikisht PS-ja ka kapacitete. Duhet të kemi parasysh se konsumi i tmerrshëm i pushtetit i bën njerëzit të pazëvendësueshëm. Unë kur shoh procesverbalet e Byrosë Politike në vitin ’90, ata nuk e kuptonin se ca 20-vjeçarë mund t'i largonin nga Byroja kur kishin 50 vjet aty. Ata mendonin që nuk mund të jetë reale kjo gjë. Edhe këtu ka shumë njerëz që nuk mendojnë që kjo gjë është reale”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“E dyta është zgjidhja shqiptare, që ka ndodhur në vitin 2002-2003, ka ndodhur në vitin 2011-2013 dhe rrezikon të ndodhë prapë. Ideja është: shtyje ta shtyjmë në pushtet derisa të vijnë zgjedhjet e radhës parlamentare. Dhe kjo do jetë katastrofike në aspektin e përfaqësimit politik, por edhe me kosto të madhe për vendin. Mund të ketë një përfundim afatgjatë pozitiv, por është një lloj mësimi që i japim shoqërisë që “kot të ngrihesh sepse cikli i palëve, edhe kur gabojnë, konsumohet deri në fund”. Kështu që, kjo do jetë dilema dhe unë habitem që PS-ja i shmanget kësaj lloj përballjeje me realitetin. Gabimi që bëjnë duke i numëruar sa janë në bulevard. Unë mendoj madje që protesta e ka kryer misionin e vet në kushtet aktuale dhe do duhet të kthehen  në shtator, kur vijnë studentët dhe të kthehet te gjenerata e re, sepse ata e nisën protestën me një lloj qasje krejt tjetër”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)

Po ndodh...

ide